Kërko

Papa, gjatë audiencës me pjesëmarrësit në Kongresin V Botëror të Oblatëve benediktinë Papa, gjatë audiencës me pjesëmarrësit në Kongresin V Botëror të Oblatëve benediktinë

Françesku: kemi nevojë për të krishterë, që rrezatojnë Ungjillin

Gjatë audiencës me pjesëmarrësit në Kongresin V Botëror të Oblatëve benediktinë, Papa u bën thirrje rregulltarëve të mos mbyllen në individualizëm dhe të mos jenë indiferentë para nevojtarëve. I këshillon edhe të lënë mënjanë thashethemet, që u bëjnë dëm të tjerëve

R.SH. – Vatikan

Papa Françesku bën një reflektim të ri mbi mikpritjen, duke ripërtërirë ftesën për të respektuar ata, që kërkojnë strehim e pranim, duke favorizuar të varfërit. Sot paradite, Ati i Shenjtë priti në Vatikan pjesëmarrësit në Kongresin V Botëror të Oblatëve benediktinë.

“Nganjëherë – u tha atyre - duket sikur shoqëria po mbytet dalëngadalë në kasafortat e mbyllura të egoizmit, individualizmit dhe indiferencës”.

Sot “ka prirje për t’u mbyllur në vetvete” dhe e bëjmë këtë përmes “thashethemeve, i ndyejmë të tjerët”, i gjykojmë dhe largohemi prej tyre. Por, nënvizoi Papa, "gjuha na është dhënë për të lëvduar Zotin, jo për të bërë thashetheme".

Një zemër e hapur për dashurinë

Papa u kujtoi oblatëve benediktinë se Shën Benedikti, në Prologun e Rregullës së tij, u kërkonte të kishin një "zemër të zgjeruar nga sovraniteti i papërshkrueshëm i dashurisë" dhe vërejti se pikërisht "kjo zemër e zgjeruar" e karakterizon shpirtin benediktin dhe është "sekreti i veprës së madhe të ungjillëzimit” kryer nga monakizmi i lindur me shenjtin e Norcias. Pastaj, Françesku reflektoi mbi tre aspekte, që rrjedhin pikërisht nga zgjerimi i zemrës: kërkimi i Zotit, pasioni për Ungjillin dhe mikpritja.

Rrezatoni Ungjillin në jetën e përditshme

Nëse kërkimi i vazhdueshëm i Zotit është tipar kryesor i jetës benediktine, pasioni për Ungjillin është përkushtimi, që rrjedh prej tij. Rregulltarët përpiqen të gjëjnë cili është vullneti i Krijuesit, duke lexuar Fjalën e tij, "duke kundruar gjithësinë e krijuar prej Tij", duke e parë "në çdo ngjarje të përditshme" e "në punën e jetuar si lutje". Françesku u uroi rregulltarëve t’i transformojnë fushat e ndryshme të jetës së përditshme, "duke punuar si tharmi në brumë, me kompetencë dhe përgjegjësi e, njëkohësisht, me butësi dhe dhembshuri", ashtu si monakizmi i mesjetës, i cili "me modelin e tij të jetës ungjillore, bazuar në ‘ora et labora’", çoi në "kthesën paqësore" në krishtërim dhe në "integrimin e shumë popullsive". Qëllimi është të mishërohet Ungjilli në jetën e përditshme.

“Në një botë të globalizuar, por të fragmentuar, të nxituar, të përkushtuar ndaj konsumizmit, ku rrënjët familjare dhe shoqërore nganjëherë duket se thuajse po treten, nuk ka nevojë për të krishterë që tregojnë me gisht, por për dëshmitarë të apasionuar, të cilët rrezatojnë Ungjillin ‘në jetë, përmes jetës’. Tundimi është gjithmonë ky: nga të krishterë dëshmitarë në të krishterë akuzues. Akuzuesi është një i vetëm: djalli. Të mos luajmë rolin e djallit, të luajmë rolin e Jezusit, të shkollës së Jezusit, të Lumnive ungjillore”.

Mikpritja e rekomanduar nga Shën Benedikti

Së fundi, mikpritja. Papa nënvizoi ç’thoshte për këtë Shën Benedikti: të tregohet dashamirësi për tjetrin, të përfshihet në lutje, të ndahet me të gjithçka. Françesku vuri në dukje edhe shqetësimin e shenjtit veçanërisht për të varfrit dhe shtegtarët, "sepse pikërisht në ta pranohet Krishti, në mënyrë tejet të veçantë".

“Si oblatë, manastiri juaj i madh është bota, qyteti, vendi i punës dhe atje jeni të thirrur të bëheni model mikpritjeje, duke respektuar ata, që ju trokasin në derë dhe duke parapëlqyer të varfrit”.

Në fund të takimit, Françesku i ftoi rregulltarët e Shën Benediktit të vazhdojnë t’i zgjerojnë zemrat dhe t’ia dorëzojnë ato, çdo ditë, dashurisë së Zotit, duke e kërkuar Atë gjithmonë, duke e dëshmuar me pasion dhe duke e mirëpritur ndër të varfrit.

15 shtator 2023, 13:10