Françesku, farmacistëve të Vatikanit: dëgjimi i të sëmurëve është përkëdhelje e Zotit
R.SH. – Vatikan
Farmacistët, laikë dhe rregulltarë, janë të thirrur për një "shtesë bamirësie": kështu u tha sot Papa Françesku punonjësve të Farmacisë së Vatikanit, të cilët i priti në audiencë, me rastin e 150-vjetorit të themelimit të këtij shërbimi, ëndërr e Papës Gregori XVI, realizuar më vonë nga i Lumi Piu IX. Puna e tyre, u tha Ati i Shenjtë, është mision afërsie dhe inkurajimi për të sëmurët. Farmacistët kanë qenë dhe janë gjithnjë të gatshëm për sakrificë, veçanërisht gjatë pandemisë, duke mbarështuar mëshirën dhe përkëdheljen e Zotit përmes dëgjimit, apo “apostullimit të veshëve”, siç nënvizoi Papa. Pasi ata e shohin këtë punë si shërbim për Zotin “e plagosur e të lënduar” në Kryq, drejt të cilit Françesku i ftoi farmacistët në sportel t’i ngrenë sytë herë pas here.
E thirrur për një "shtesë bamirësie"
Pasi kujtoi se Piu IX ia besoi farmacinë Urdhrit Spitalor të Shën Gjonit të Zotit, të njohur si Fatebenefratelli, Françesku përmendi periudhën e Koncilit II të Vatikanit, kur ajo mbushej me “ipeshkvij të çdo kombësie për të blerë barna” dhe kur “dy rregulltarë infermierë ishin të pranishëm në qendrën e ndihmës së parë, së bashku me një mjek dhe dy sanitarë, për çdo nevojë tjetër”. Edhe sot Farmacia e Vatikanit…
"…nuk ndryshon nga të tjerat vetëm sepse i kushtohet shërbimit të drejtpërdrejtë për Pasardhësin e Shën Pjetrit dhe për Kurien romake, por edhe sepse është e thirrur për një "shtesë bamirësie", duke kryer një shërbim, që përveçse për shitjen e barnave, duhet të dallohet edhe për vëmendjen ndaj njerëzve më të brishtë dhe për kujdesin ndaj të sëmurëve”.
Faleminderit për profesionalitetin dhe përkushtimin
Farmacia nuk u shërben vetëm punonjësve të Vatikanit, por edhe banorëve të tij e njerëzve, “që kanë nevojë për ilaçe të veçanta, shpesh të vështira për t'u gjetur diku tjetër". Për këtë, Papa falenderoi rregulltarët e Fatebenefratelli-t, bashkëpunëtorët laikë, farmacistët dhe punonjësit, ata që punojnë në magazina dhe të gjithë bashkëpunëtorët.
“Faleminderit për profesionalitetin dhe përkushtimin tuaj, por edhe për frymën e mikpritjes dhe për gatishmërinë me të cilën e kryeni detyrën, e cila, nganjëherë, kërkon përpjekje e lodhje dhe – siç ndodhi veçanërisht gjatë pandemisë – sakrificë”.
Një vesh e një fjalë ngushëllimi
Më pas, Ati i Shenjtë, vuri në dukje punën jo të lehtë të gjithë farmacistëve, para të cilëve mbërrijnë edhe “të moshuarit, të cilët shpesh, në ritmin e furishëm të kohës së sotme, nuk kanë nevojë vetëm për ilaçe, vëmendje, buzëqeshje, por kanë nevojë edhe për një vesh e një fjalë ngushëllimi".
“Mos e harroni këtë: apostullimin e veshëve. Dëgjoni e dëgjoni... ndonjëherë duket e mërzitshme, por për personin që flet, dëgjimi është përkëdhelje e Zotit nëpërmjet jush. Farmacistët janë kjo dorë e afërt dhe e shtrirë, që jo vetëm jep ilaçet, por transmeton guxim dhe afërsi. Faleminderit juve dhe të gjithë farmacistëve për këtë! E juaja nuk është punë, është mision”.
Shërbim për Zotin e plagosur e të lënduar në kryq
Së fundi, Papa i ftoi të gjithë të vijojnë punën me bujari, "sepse çdo ditë mund të bëjnë shumë të mira, si për ta bërë shërbimin e Farmacisë së Vatikanit gjithnjë e më të frytshëm dhe modern, ashtu edhe për të treguar atë kujdes plot vëmendje dhe atë mikpritje, që janë dëshmi ungjillore” për ata, që takohen përditë. Ati i Shenjtë i këshilloi t’i lartojnë sytë kah Kryqi, pasi shërbimi për të sëmurët është shërbim për Zotin e plagosur e të lënduar në kryq.
“E është bukur të marrësh nga Mjeku qiellor durimin dhe dashamirësinë, si edhe forcën për të dashur, pa u lodhur. Në shkollën e tij, nga katedra e kryqit deri te sporteli i farmacisë, qofshi edhe ju mbarështues të mëshirës, çdo ditë”.