Falënderimi i Papës për Mongolinë: fara të paqes në një botë me konflikte
R.SH. – Vatikan
"Hyjit i pëlqen të bëjë gjëra të mëdha në gjërat e vogla". Në fund të meshës në Steppe Arena të Ulan Batorit, Papa u thotë kështu besimtarëve të Mongolisë, të cilët i quan "të krishterë të mirë dhe qytetarë të ndershëm". Fjala e tij, me të cilën i falënderon të pranishmit, është përkëdhelja e atit, që nuk harron askënd.
“Shkoni përpara, me butësi dhe pa frikë, duke e ndierë afërsinë dhe inkurajimin e gjithë Kishës e, sidomos, vështrimin e ëmbël të Zotit, i cili nuk harron askënd dhe shikon me dashuri secilin nga bijtë e tij”.
Punoni për ta shtuar vëllazërimin
Duke përshëndetur ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët, autoritetet dhe shtegtarët e shumtë, ardhur nga kontinenti i madh aziatik dhe të gjithë ata, që kanë punuar për organizimin e këtij udhëtimi, Françesku përmend ata, që e ndihmojnë Kishën lokale, duke e mbështetur shpirtërisht e materialisht, si edhe vëllezërit dhe motrat e besimeve të krishtera dhe të feve të tjera, të cilëve u beson një detyrë të rëndësishme:
"Të vazhdojmë të ecim përpara së bashku në vëllazërim, si fara të paqes në një botë zymtuar dhimbshëm nga shumë luftëra dhe konflikte".
Në gjuhën mongole "faleminderit" do të thotë "gëzohu", prandaj, Papa pohon se falënderimet e tij janë vërtet plot gëzim:
“Një falenderim të madh për ty, o popull mongol, për dhuratën e miqësisë që kam marrë këto ditë, për aftësinë tënde të mirëfilltë për të vlerësuar edhe aspektet më të thjeshta të jetës, për të ruajtur me urti marrëdhëniet dhe traditat, për të kultivuar jetën e përditshme me kujdes dhe vëmendje”.
Kujtimi i Pierre Teilhard de Chardin
Mesha është falënderim, "Eukaristi" - përfundon Françesku ndërsa kujton jezuitin Pierre Teilhard de Chardin dhe lutjen, që ai i lartoi Zotit 100 vjet më parë, në shkretëtirën Ordos, jo shumë larg Steppe Arena. "Përkulem o Zot, - lexohet në tekst - para Pranisë sate në Univers, që e përflaku atë dhe, nën pamjen e gjithçkaje që do të takoj, e gjithçkaje që do të më ndodhë dhe e gjithçkaje që do realizoj në këtë ditë, të dëshiroj dhe të pres”. Át Teilhard, shpjegon Papa, impenjohej në kërkime gjeologjike. Një ditë, dëshironte me zjarr të kremtonte meshën, por nuk kishte as bukë e as verë me vete, pradaj, hartoi "Meshën për botën", duke e shprehur kështu ofertën e tij: "Merre, o Zot, këtë Oste të plotë që Krijimi, i cili lëviz sepse Ti e tërheq, ta paraqet në agimin e ri”. Një lutje të ngjashme ai e kishte ndierë në zemër në front, gjatë Luftës I Botërore, ku kishte për detyrë të mbante të plagosurit me barelë. Ky prift, shpesh i keqkuptuar, nënvizon Papa, e kishte perceptuar se "Eukaristia është qendra jetike e universit, qendra e mbushur me dashuri dhe jetë të pashtershme" (Enciklika Laudato si', 236). Prandaj, Ati i Shenjtë u kërkon të gjithëve, në një kohë si kjo e jona, plot tensione dhe luftëra, të luten me fjalët e Át Teilhard: "Fjalë që vezullon, Pushtet që djeg, o Ti që u jep formë të shumtëve për t'u dikuar jetën tënde, uli mbi ne, po të përgjërohem, Duart e tua të fuqishme, Duart e tua të kujdesshme, Duart tuaja të kudondodhura”. Mes duartrokitjeve, Papa përfundon:
“Vëllezër dhe motra mongole, faleminderit për dëshminë tuaj, bayarlalaa! [faleminderit!]. Zoti ju bekoftë. Ju kam në zemër dhe do të mbeteni në zemrën time”.
Përshëndetja e kardinalit Marengo
Pak para bekimit përfundimtar, kardinali Giorgio Marengo, prefekt apostolik i Ulan Batorit, e falënderoi Françeskun për praninë e tij si shtegtar i paqes dhe bartës i flakës së Shpirtit Shenjt, atij zjarri që ndriçon, ngroh dhe ngushëllon edhe kur nuk shihen flakët plot shkëndija. “Tani, që e prekëm më dorë sa e doni popullin e Zotit në Mongoli - tha kardinali - dëshirojmë ta pranojmë ftesën tuaj për të qenë dëshmitarë të gëzuar dhe të guximshëm të Ungjillit në këtë tokë të bekuar. Vazhdoni të na mbështesni me fjalë dhe shembuj; ne, tani e tutje, nuk mund të bëjmë tjetër veçse të kujtojmë dhe të vëmë në jetë ato, që kemi parë dhe dëgjuar ditët e fundit”. Kardinali Marengo i parapriu dhuratës së një gruaje të re të formuar në institucionet arsimore të Kishës Katolike, e cila i dha Papës një kornizë, me mbishkrimin e lashtë mongol të fjalës "bayarlalaa", "faleminderit". Ai falënderim rrjedh nga folja "bayarlakh", që do të thotë saktësisht "gëzohu" dhe ta çon mendjen në Nxitjen apostolike “Evangelii gaudium”, duke i kujtuar çdo të krishteri se misioni i tij për të kumtuar Ungjillin duhet të kryhet me gëzim.