Kërko

Ekumenizmi, Françesku: ta ndryshojmë udhën, nga ndarje në bashkim

Në audiencën me pjesëmarrësit në Bisedën e 26-të Ekumenike Pauline, Papa nënvizon se nisma, që bashkon studiues të emërtimeve dhe kulturave të ndryshme të krishtera, bën të kapërcehen barrierat e mosbesimit përmes takimeve me të tjerët, duke inkurajuar "dialogun e nisur nga pika të ndryshme fillestare, të cilat kërkojnë bazën e përbashkët duke u mbështetur nga Shkrimi Shenjt": ajo shtoftë frymën e vëllazërimit ndërmjet besimtarëve

R.SH. – Vatikan

“Nëse gjatë historisë ndarjet kanë qenë shkak vuajtjesh, sot duhet të impenjohemi për ta ndryshuar këtë prirje, duke ecur në rrugët e bashkimit dhe të vëllazërimit, të cilat fillojnë pikërisht duke u lutur, duke studiuar dhe duke punuar së bashku”.

Kjo ishte ftesa e Papës Françesku, drejtuar gjithë të krishterëve gjatë takimit me pjesëmarrësit e Bisedës XXVI Ekumenike Pauline, "nismë e lindur menjëherë pas Koncilit II të Vatikanit nga një grup studiuesish të rreth dhjetë vendeve dhe traditave të ndryshme të krishtera". Që nga ajo kohë është bërë një udhë e gjatë studimi e pune kërkimore për të kontribuar në njohjen biblike e shpirtërore të Letrave të Shën Palit, Apostullit të Popujve.

Një takim që hap konfrontimin me të tjerët

Nisma, në të cilën edhe sot përfshihen emërtime të ndryshme të krishtera dhe njerëz të apasionuar me jetën e veprën e Shën Palit apostull jep një kontribut të madh, theksoi Papa në fjalën e tij, sepse lejon "dialogun, duke u nisur nga pika të ndryshme fillestare, të cilat kërkojnë bazën e përbashkët duke u mbështetur nga Shkrimi Shenjt". Gjithashtu, bën të mundur "konfrontimin kishtar rigoroz dhe shkencor, që e gjen burimin e tij jetësor në lutje e përshpirtëri", duke vënë në pah “bukurinë e letrave të Apostullit dhe rëndësinë e tij për jetën e krishterë e kishtare". Për Papën, në Bisedën Ekumenike Pauline gjejmë edhe "guximin për të kapërcyer barrierat e mosbesimit, të cilat ngrihen shpesh pikërisht kur jemi të thirrur të takojmë të tjerët", që kanë tradita të ndryshme.

Zoti e mban gjithmonë premtimin

Përsa i përket analizës së kapitujve 9-11 të Letrës së Shën Palit drejtuar Romakëve, që propozon këtë vit Takimi paolin, Françesku saktëson se "është fjala për një ekspoze të jashtëzakonshme të misterit të shëlbimit, i cili lidh – e, për këtë arsye, i vë në dialog - dhuratat dhe thirrjen e Zotit për Izraelin" me "shpresën e Ungjillit", përmes së cilës Apostulli i johebrenjve "na jep një mesazh me rëndësi thelbësore" e, mbi atë bazë, duhen “thelluar studimet biblike" dhe duhet kultivuar dialogu ekumenik.

“Zoti nuk dështon në mbajtjen e premtimeve për shëlbim dhe i realizon ato me durim, madje edhe me mënyra të papritura dhe befasuese. Por siguria në themel të tyre është se besimtarët mund të mbështeten në mëshirën dhe në premtimet e Hyjit. Edhe në dobësinë e tyre dhe në kërcënimet e shumta, që u vënë në rrezik fenë, ata mund të mbështeten, për shkak të vdekjes dhe ringjalljes së Krishtit, në premtimin e frytshëm të hirit të Tënzot".

Studimet Pauline e shtojnë frymën ekumenike

Françesku inkurajon pjesëmarrësit në Bisedimet Ekumenike Pauline të vazhdojnë "dialogun akademik, biblik, shpirtëror dhe vëllazëror", të vënë "në qarkullim pasurinë origjinale, që bart secili", të vazhdojnë "kërkimet biblike me rigorozitet dhe kompetencë, por duke u "mahnitur nga pasuritë e panumërta shpirtërore, që përmbajnë Letrat e shën Palit", në mënyrë që t’u flasin gjithnjë me "fjalë të reja" bashkësive të krishtera, në gjendje të komunikojnë mirësinë e mëshirshme të Atit Qiellor, aktualitetin e shëlbimit të Krishtit, shpresën e përtërirë të Shpirtit Shenjt”. Që këtej, shpresa se vepra e studiuesve të Shën Palit, "shpesh e lodhshme dhe e padukshme, mund të shtojë frymën ekumenike ndërmjet besimtarëve, frymë dialogu dhe vëllazërimi, që ndihmon udhën e përbashkët në kërkim të Zotit".

14 shtator 2023, 12:45