Kërko

“Dhimbja” dhe "afërsia" e Papës me njerëzit e goditur nga tërmeti në Marok

Në një telegram, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit kardinali Parolin, Papa siguron afërsinë dhe lutjet e tij për ata që kanë humbur të dashurit dhe shtëpitë e tyre nga tërmeti dhe inkurajon të gjithë ata që janë përfshirë në përpjekjet e shpëtimit. Ndërsa numri i të vdekurve rritet, shprehjet e solidaritetit po mbërrijnë nga e gjithë bota.

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku shpreh "dhimbjen" e tij për qindra viktimat e tërmetit me magnitudë 7 që goditi "dhunshëm" rajonin e Marrakech, në Marok: rmbi një mijë të vdekur deri tani dhe më shumë se 600 të plagosur, po mjerisht, numri është i përkohshëm. Në një telegram të nënshkruar nga kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, Papa Françesku thotë se është "i pikëlluar" nga kjo katastrofë natyrore e siguron "bashkimin e tij në lutje" dhe shpreh "solidaritetin e thellë" ndaj "atyre që janë prekur në zemër" nga kjo tragjedi”. Papa lutet për të vdekurit, për shërimin e të plagosurve dhe për ngushëllimin e atyre “që vajtojnë humbjen e të dashurve dhe shtëpive të tyre”.

"Ati i Shenjtë Bergoglio – thuhet në telegram - i lutet të Plotfuqishmit Zot që të mbështesë marokenët në këtë sprovë dhe u ofron inkurajimin e tij autoriteteve civile dhe shërbimeve të ndihmës". Mbi të gjitha, Papa kërkon bekimin e Hyjit si "shenjë ngushëllimi".

Numri i të vdekurve rritet

Goditja e parë e tërmetit u regjistrua në orën 23:11 të së premtes 8 shtator. Epiqendra e tërmetit u lokalizua 16 kilometra larg fshatit Tata N'Yaaqoub, në zonën e Marrakech. Në orët e fundit autoritetet marokene kanë publikuar një numër të ri shumë të rëndë shkaktuar nga tërmeti i cili aktualisht është 2012 vdekje të konfirmuara. Të lënduarit janë 2059. Prej tyre 1400 janë në gjendje të rëndë. Tërmeti, më i dhunshmi i regjistruar ndonjëherë në historinë e vendit të Afrikës Veriore, shkatërroi fshatra dhe lagje të tëra, duke rrënuar shtëpi dhe ndërtesa.

Imazhet dhe videot e shtëpive të shkatërruara dhe njerëzve në rrugë po qarkullojnë në mediat sociale dhe faqet e lajmeve. Ndërkohë apeli për dhurim urgjent të gjakut vjen nga Maroku. Ndërsa numri i të vdekurve rritet, shprehjet e solidaritetit po mbërrijnë nga e gjithë bota. Ndërkohë, mbreti i Marokut Mohamed VI ka shpallur tri ditë zie kombëtare.

09 shtator 2023, 13:32