Aksidentet në punë, Papa: nuk mund të mësohemi me to, jeta nuk shitet për fitime
R.SH. – Vatikan
“Siguria në punë është si ajri që thithim: e kuptojmë rëndësinë e tij vetëm kur mungon tragjikisht dhe është gjithmonë tepër vonë!”
Papa Françesku e ka prekur edhe herë të tjera temën e të ashtuquajturave “vdekje të bardha”, aksidentet në punë, që u marrin jetën shumë punëtorëve. Sot, ishte rasti për ta përsëritur sërish shqetësimin e tij për to, në audiencën me rreth 300 anëtarë të Shoqatës Italiane të Punëtorëve të Gjymtuar dhe Invalidë (ANMIL), e cila kremton 80-vjetorin e themelimit.
Çdo konflikt i armatosur sjell me vete një masë njerëzish të gjymtuar
Fjalimi i Papës Françesku nisi nga kujtimi i Luftës II Botërore - në fakt shoqata ANMIL lindi më 1943 – për të folur për luftërat e sotme dhe për pasojat e tyre dramatike. “Çdo konflikt i armatosur – theksoi ai - sjell me vete një lumë njerëzish të gjymtuar, edhe sot”.
“Pasi përfundon konflikti, rrënojat mbeten, edhe në trup e në zemër dhe paqja duhet arritur sërish nga dita në ditë, vit pas viti, përmes mbrojtjes dhe promovimit të jetës dhe të dinjitetit të saj, duke filluar nga më të brishtët e më të pafavorizuarit”.
T’u njihet dinjiteti njerëzve me aftësi të kufizuara
Më pas fjalët e Papës vijuan me një 'faleminderit' të përsëritur disa herë, shoqëruar me kërkesën që të mos harrohen të drejtat e njerëzve me aftësi të kufizuara, veçanërisht të grave dhe të të rinjve:
“Faleminderit fillimisht për gjithçka vazhdoni të bëni për mbrojtjen dhe përfaqësimin e viktimave të aksidenteve në punë, të vejushave dhe jetimëve të të aksidentuarve. Faleminderit që e keni mbajtur lart nivelin e vëmendjes për çështjen e sigurisë në vendin e punës, ku ende ndodhin shumë vdekje dhe fatkeqësi. Faleminderit për nismat për përmirësimin e legjislacionit civil lidhur me aksidentet në punë dhe me integrimin profesional të njerëzve me aftësi të kufizuara. Në fakt, s’është fjala vetëm për të garantuar ndihmën mjekësore dhe sigurimet shoqërore për këta njerëz, por edhe për t'u dhënë mundësi të reja atyre, që të integrohen sërish e t’u njihet plotësisht dinjiteti. Së fundi, ju falënderoj për punën tuaj në ndërgjegjësimin e publikut për parandalimin e aksidenteve dhe për politikat e sigurisë, veçanërisht në favor të grave dhe të rinjve”.
Pavarësisht nga teknologjia, aksidentet nuk ndalen
Duke vënë në dukje se as me përdorimin e teknologjisë, aksidentet në punë nuk reshtin, Papa Françesku nënvizoi se “nganjëherë duket sikur po dëgjojmë ndonjë buletin lufte".
“Kjo ndodh kur puna bëhet çnjerëzore dhe, në vend që të jetë mjet për të realizuar vetveten, duke u vënë në dispozicion të gjithë bashkësisë, ajo bëhet garë pa fund për fitim. Tragjeditë fillojnë kur qëllimi i punës nuk është më njeriu, por produktiviteti. E njeriu kthehet në makinë prodhimi”.
Nuk mund ta pranojmë humbjen e jetës njerëzore
Siguria në punë është si ajri që thithim, vijoi Papa, por, nganjëherë, ecet përpara pa e pasur parasysh, duke u dorëzuar para idhujtarisë së tregut. “Nuk mund të mësohemi me aksidentet në punë”, theksoi Françesku. “Nuk mund ta pranojmë humbjen e jetës njerëzore”, nënvizoi Ati i Shenjtë, duke i quajtur vdekjet dhe lëndimet në punë “varfërim tragjik shoqëror” e duke bërë thirrje që jo vetëm të përmirësohet legjislacioni, por të sigurohet një atmosferë vëllazërimi në vendin e punës.
“Nuk mundemi, në emër të fitimit më të madh, të kërkohen tepër orë pune, duke bërë kështu që të ulet përqendrimi, ose të mendohet se format e sigurimit shoqëror dhe kërkesa për siguri është shpenzim i padobishëm dhe humbje fitimi”.
“Carewashing”, ose larja e ndërgjegjes
Në pjesën e fundit të fjalës së tij, Papa foli për fenomenin e “carewashing”, që s’është tjetër, veçse ai qëndrim i sipërmarrësve apo i ligjvënësve, të cilët, në vend që të investojnë për sigurinë, “preferojnë ta lajnë ndërgjegjen me ndonjë vepër bamirësie”.
“Kështu, ata e vendosin imazhin e tyre publik para çdo gjëje, duke u bërë bamirës të kulturës apo të sportit, duke bërë ndonjë vepër të mirë, përmes hapjes së dyerve të artit apo të ndërtesave të kultit për të gjithë, pa i kushtuar vëmendje faktit se, siç na mëson një nga etërit dhe nga dijetarët e mëdhenj të Kishës, "lavdia e Zotit është njeriu i gjallë" (Shën Ireneu i Lionit, Kundër herezive, IV,20,7). Përgjegjësia ndaj punëtorëve është përparësi: jeta nuk kthehet në mall për asnjë arsye, veçanërisht nëse është e varfër, e pasigurt dhe e brishtë. Jemi qenie njerëzore dhe jo makina, njerëz unikë dhe jo pjesë këmbimi”.
Së fundi, Papa Françesku ua besoi punëtorët Shën Jozefit, pajtorit të tyre qiellor, duke nënvizuar se “çdo njeri është dhuratë për bashkësinë, prandaj, gjymtimi i tij lëndon krejt indin shoqëror”.