Kërko

70 vjet më parë, në përkujtimin e Shën Mateut, thirrja meshtarake e Papës Bergoglio

Ishte 21 shtator 1953: i riu Jorge Mario Bergoglio shkoi për tu rrëfyer para një feste. Ajo përvojë e mëshirës bëhet një moment vendimtar në jetën e tij

R.SH. / Vatikan

Shtatëdhjetë vjet më parë, më 21 shtator 1953, lindi thirrja meshtarake e Papës Françesku. Jorge Mario Bergoglio ishte pothuajse 17 vjeç, në Argjentinë ishte dita e studentit, për Kishën katolike, përkujtimi liturgjik i Shën Mateut, mëkatar publik i thirrur nga Jezusi për t'u bërë apostull. Vetë Papa tregon atë, që i ndodhi në atë ditë të veçantë:

Para se të shkoja në festë, u ndala pranë famullisë kishtare ku po shkoja, gjeta një prift, që nuk e njihja dhe ndjeva nevojën të rrëfehem. Kjo ishte një përvojë takimi për mua: kuptova se dikush po më priste. Por nuk e di se çfarë ndodhi, nuk mbaj mend, vërtet nuk e di pse ai prifti ishte atje, nuk e njihja, s'e di pse ndjeva këtë dëshirë për t'u rrëfyer, por e vërteta është se dikush po më priste. Më priste prej një kohë të gjatë.

Pas rrëfimit ndjeva se diçka kishte ndryshuar. Unë nuk isha i njëjti. Kisha dëgjuar pikërisht si një zë, një thirrje: isha i bindur se duhej të bëhesha meshtar. Kjo përvojë në fe është e rëndësishme. Ne themi se duhet ta kërkojmë Zotin, të shkojmë tek Ai për të kërkuar falje, por kur shkojmë, e Ai na pret, Ai është i pari! Ne, në spanjisht, kemi një fjalë që e shpjegon mirë këtë: Zoti gjithmonë 'ci primerea', 'na paraprin', Ai është i pari, Ai na pret! Dhe ky me të vërtetë është hir i madh: të gjesh dikë që të pret. Ti shkon si mëkatar, por Ai pret për të të falur. (Vigjilja e Rrëshajëve 18 maj 2013)

Kështu thirrja meshtarake e Françeskut lindi në përvojën e mëshirës së Zotit, sikur e kujton edhe Motoja e Papës që është "Miserando atque eligendo", e cila kujton pikërisht ngjarjen ungjillore të thirrjes së publikanit mëkatar, Mateut: “E pa me mëshirë dhe e zgjodhi”. Kjo shprehje është marrë nga një predikim i Shën Bedës së Nderuar, meshtar i shekullit të tetë, ku flet për Jezusin që e thërret Mateun tagrambledhës, e shikon me një ndjenjë dashurie dhe e zgjedh si dishepull.

Papa Françesku e ka përshkruar shpesh pikturën e Caravaggio-s, që paraqet thirrjen e Shën Mateut, e cila gjendet në Kishën e Shën Luigjit të Francezëve, në Romë, pasi i pëlqen në mënyrë të veçantë:

Jezusi vinte nga shërimi i një të paralizuari dhe ndërsa po largohej, gjeti këtë njeri të quajtur Mate. Ungjilli thotë: "Ai pa një njeri të quajtur Mate". Dhe ku ishte ai njeri? Ulur në tryezën e taksave. Një nga ata, që e detyronte popullin e Izraelit të paguante taksa, për t'ua dhënë romakëve: tradhtar i atdheut. Këta ishin të përbuzur, të urryer. Ai e ndien vështrimin e Jezusit, i cili i tha: "Ndiqmë". "Dhe ai u çua dhe e ndoqi". Por çfarë ndodhi?

Kjo është forca e vështrimit të Jezusit. Sigurisht Jezusi e shikoi me aq dashuri, me shumë mëshirë, me atë vështrim të mëshirshëm: “Ndiqmë, eja”. E ky tjetri, duke shikuar anash, me njërin sy te Zoti dhe me tjetrin te paratë, duke u kapur pas parave siç e pikturon Caravaggio: pikërisht ashtu, i kapur pas parave e madje edhe me vështrim të vrenjtur e të vëngër. Ndërsa Jezusi, plot dashuri, e shikon me mëshirë. Kështu, rezistenca e atij njeriu, që i donte paratë - ishte skllav i parasë - bie. "E ai u çua dhe e ndoqi". Është lufta mes mëshirës dhe mëkatit.

Por si hyri dashuria e Jezusit në zemrën e atij njeriu? Cila ishte dera për të hyrë? Ai e dinte se ishte mëkatar: e dinte këtë. Kushti i parë për t'u shpëtuar është të ndihesh në rrezik; kushti i parë për t'u shëruar është të ndihesh i sëmurë. Të ndihesh mëkatar është kushti i parë për këtë vështrim të mëshirshëm. Dikush mund të thotë: “O Atë, por a është hir të ndihesh vërtet mëkatar?”. Po, sepse e ndjen të vërtetën. Por jo mëkatar në mënyrë abstrakte: mëkatar për këtë, për këtë, për atë, për atë etj. Mëkat konkret, mëkate konkrete! Të gjithë kemi shumë mëkate! Ta lëmë Jezusin të na shikojë me atë vështrim të mëshirshëm plot dashuri (Homelia në Shën Martë, 21 shtator 2017)

Papa Françesku thotë se ndihet si Mateu:

Ai gishti i Jezusit kështu... drejt Mateut. Kështu jam unë. Kështu ndihem. Ashtu si Mateu. Është gjesti i Mateut që më prek: i kap paratë, si për të thënë: “jo, jo unë! Jo, këto para janë të miat!”. Ja, ky jam unë: një mëkatar tek i cili Zoti i ka kthyer sytë e vet. Këtë thashë edhe kur më pyetën pse e pranova zgjedhjen time si Papë (Intervistë me At Antonio Spadaro, 19 gusht 2013).

21 shtator 2023, 10:18