Kërko

Logo e vizitës së Papës në Mongoli Logo e vizitës së Papës në Mongoli

Vizita e Papës në Mongoli “themelore” për paqen

Grupe katolike ndërkombëtare laike deklarojnë me optimizëm se vizita e ardhshme e Papës Françesku në Mongoli do të shërbejë për të konsoliduar trashëgiminë e "paqes, të solidaritetit dhe të vëllazërimit" në Azinë Verilindore. Ata i shkruajnë një letër Atit të Shenjtë

R.SH. – Vatikan

Disa Grupe katolike ndërkombëtare u shprehën këto ditë për vizitën e ardhshme të Papës Françesku në Mongoli, duke nënvizuar rëndësinë që do të ketë ajo për ruajtjen e paqes në gjithë rajonin. Në një letër për Atin e Shenjtë, Lëvizja Ndërkombëtare e Studentëve Katolikë “Pax Romana” (IMCS) dhe Lëvizja Ndërkombëtare Katolike për Çështjet Intelektuale dhe Kulturore (ICMICA) në Azinë e lagur nga Oqeani Paqësor deklarojnë se prania e Papës në Mongoli, nga 31 gushti deri më 4 shtator, "ka rëndësi të veçantë" për situatën aktuale politike në zonë.

“Në këto kohë, kur kemi shumë nevojë për harmoni, - i shkruajnë ata - roli juaj si lajmëtar apostolik i paqes është më vendimtar se kurrë më parë”. Grupet nënvizojnë se vizita apostolike "do të promovojë më tej trashëgiminë e paqes, të solidaritetit dhe të vëllazërimit të qëndrueshëm", si edhe "do të forcojë bashkëpunimin ekonomik global në spektrin më të gjerë të botës sonë konfliktuale".

Tensionet aktuale në Azi

Në udhëtimin e tij të 43-të apostolik ndërkombëtar, Françesku do të gjejë një Mongoli me rreth 1.500 katolikë në mesin e shumicës budiste, një grigjë tejet e vogël, por me rëndësi për rolin, që mund të luajë në atë pjesë të Azisë. Grupet katolike ndërkombëtare vënë në dukje situatën e tensioneve në rritje në gadishullin korean, në ngushticën e Tajvanit, si edhe problemet territoriale në detin e Azisë Juglindore. Sipas tyre, me "qëndrimin e saj unik diplomatik”, Mongolia është "politikisht e gatshme" të bëhet jehonë e mesazhit papnor për paqen dhe mirëkuptimin.

Mongolia, vend pa armë bërthamore

“Qëndrimi i Mongolisë, e vetmja në Azinë Verilindore, që është shpallur zonë pa armë bërthamore, i ka dhënë mundësinë këtij shteti të kultivojë marrëdhënie shumëpalëshe miqësore me të gjitha vendet fqinje”, thuhet në letrën për Papën Françesku. Grupet katolike shprehin kënaqësinë edhe për zgjedhjen e Koresë së Jugut si vend për Ditën Botërore të Rinisë 2027, e cila duhet t’u dëshmojë të rinjve se “është e mundur një botë vëllezërish e motrash, ku valëviten së bashku flamujt e të gjithëve, njëri pranë tjetrit, pa urrejtje, pa frikë, pa mbyllje, pa armë”. Grupet i kërkojnë Papës e Selisë së Shenjtë të marrë parasysh një vizitë të mundshme në Kinë dhe në Korenë e Veriut, "në një të ardhme jo shumë të largët".

“Duke i vënë në qendër të vëmendjes këto çështje të ndërlikuara gjeopolitike, prania juaj – kështu përfundon letra drejtuar Papës - mund ta katalizojë vëmendjen globale dhe të nxisë përpjekjet kolektive, që synojnë promovimin e dialogut për të favorizuar paqen dhe stabilitetin rajonal”.

24 gusht 2023, 15:59