Kërko

Papa Kishës Valdeze, "Sinodi qoftë rast për bashkim të plotë"

Në një telegram të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin, Françesku shpreh besimin se ditët e diskutimit të Kishave metodiste-valdeze do të jetohen si "përvojë e thellë e Krishtit" dhe se "mund të thellojnë mirëkuptimin e anasjelltë". Takimi i zakonshëm, me 180 delegatë nga e gjithë Italia, i nisur më 20 gusht, do të vijojë deri më 25 të këtij muaji

R.SH. - Vatikan

Rast për "një përvojë të thellë të Krishtit që mirëpret, prin dhe çon në bashkimin e plotë". Këtë dëshirë shpreh Papa Françesku në një telegram, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, drejtuar imzot Derio Olivero, ipeshkëv i Pinerolo (Torino) dhe atyre, të cilët po marrin pjesë në Sinodin e Kishave Metodiste-Valdeze, që vijon në Torre Pellice (Torino) që dje, 20 gusht, deri më 25 gusht.

Sinodi qoftë rast për bashkim të plotë

Papa u dërgon përshëndetjet e tij të përzemërta pjesëmarrësve në Sinodin e Kishave Metodiste-Valdeze - shkruhet në tekstin e telegramit - “duke uruar që ditët e takimit të jenë për të gjithë rast për një përvojë të thellë të Krishtit, që mirëpret, udhëzon, prin drejt bashkimit me Të e me vëllezërit”

“Shenjtëria e Tij, ndërsa i larton lutjen e lavdit Hyjit Atë për dhuratat e falura nëpërmjet dialogut ekumenik, si dhe për bashkëpunimin e harmonishëm ndërmjet Kishave, dëshiron të bashkohet shpirtërisht në këtë ngjarje të rëndësishme, në mënyrë që të thellojmë njohjen e ndërsjelltë për të dëshmuar së bashku Ungjillin e Jezusit. Me këto ndjenja Papa, duke  bërë urimet më të mira për punën e kësaj asambleje sinodale, kërkon bekimin e Zotit”.

Temat sinodale: Kisha në shoqëri, feja, etika

Në takimin tradicional vjetor, që po mbahet në zemër të luginave valdeze, marrin pjesë 180 delegatë nga e gjithë Italia, rreth 30 të ftuar ndërkombëtarë dhe përfaqësues ekumenikë, që ndërrohen gjatë këtyre ditëve. Sinodi përfaqëson organin më të lartë vendimmarrës demokratiko-asambleist të kishave protestante italiane.

Temat kryesore të edicionit 2023, janë: angazhimi i Kishës në shoqëri, feja, etika. Në qendër të vëmendjes së programit, kulti i hapjes në mbrëmjen e zakonshme publike (sonte, më 21 gusht, në tempullin waldez të Torre Pellice-s), këtë vit titulluar "Shtypja, elasticiteti, transformimi: gratë në hapësirën publike". Flitet edhe për një takim tjetër të rëndësishëm: 2024-ta shënon një etapë themlore për valdezët, të cilët do të festojnë 850-vjetorin e lindjes së lëvizjes së Pietro Valdo, në Lion. Sinodi do të përcaktojë linjat e punës për vitin e ardhshëm.

21 gusht 2023, 14:46