Kërko

Papët në një pikturë në Radio Vatikan, ku paraqitet edhe shpikësi i radios, Guglielmo Marconi Papët në një pikturë në Radio Vatikan, ku paraqitet edhe shpikësi i radios, Guglielmo Marconi

Thirrjet për të ndalur konfliktet botërore: kur Papët udhëheqin frontin e paqes

“Kurrë më luftë!” Thirrjet e Papëve kundër konflikteve botërore, kundër Luftës së Ftohtë e terrorizmit janë dëgjuar anembanë botës gjatë gjithë historisë, kanë pasur jehonë gjithnjë e më të madhe dhe i kanë vënë shpesh ata në krye të frontit në favor të paqes botërore, duke filluar që nga shekulli i kaluar

R.SH. – Vatikan

"Kurrë më luftë!". Është thirrja e shqiptuar nga të gjithë Papët e shekullit të kaluar, të cilët kanë ripohuar gjithnjë vendosmërinë e Kishës Katolike për të dënuar përdorimin e armëve. Ky qëndrim në favor të paqes u bë edhe më i qartë pas përfundimit të Shtetit Papnor, me marrjen e Porta Pia-s, më 20 shtator 1870, ndërsa më parë, Papët kishin ushtrinë e tyre. Në vitin 1917, Benedikti XV e quajti Luftën I Botërore "masakër të padobishme". Piu XI, në vitin 1938, u përpoq të ndalte Luftën II Botërore: "Ndërsa miliona njerëz jetojnë në ankth për rrezikun e afërt të luftës dhe kërcënohen nga masakra e rrënoja të pashembullta, ne mbajmë në zemrën tonë atërore drithërimin e shumë prej bijve tanë dhe ftojmë ipeshkvijtë, klerikët, rregulltarët e besimtarët të bashkohen me ne në lutjen më të zjarrtë dhe më këmbëngulëse për ruajtjen e paqes, në drejtësi e solidaritet”. Papa Piu XII bëri të njëjtën gjë vitin e mëpasëm, më 1939: “Asgjë nuk humbet me paqen. Çdo gjë mund të humbasë me luftën. Njerëzit të përpiqen ta kuptojnë sërish njëri-tjetrin. Të rifillojnë negociatat. Duke dialoguar me vullnet të mirë dhe me respekt për të drejtat e njëri-tjetrit, do ta vënë re se bisedimeve të sinqerta dhe të mundshme nuk do t’u mungojë kurrë suksesi me nder”. Siç dihet, thirrja e të dyve nuk u dëgjua.

Shën Gjoni XXIII arriti të shmangë një konflikt atomik botëror

Gjithsesi, në vitin 1962, në kulmin e Luftës së Ftohtë, Shën Gjoni XXIII arriti të shmangë një konflikt atomik botëror, gjatë krizës së mirënjohur të raketave në Kubë, duke iu drejtuar një thirrje dramatike dhe të zjarrtë për paqe të gjithë atyre, që kishin përgjegjësi e pushtet: "Me dorën në zemër, dëgjojeni thirrjen e shqetësuar, që lartohet në qiell nga të gjitha anët e tokës, nga fëmijët e pafajshëm tek të moshuarit, nga individët tek bashkësitë: paqe, paqe!” E pikërisht 60 vjet më parë, më 11 prill 1963, Papa Roncalli i la botës testamentin e tij, enciklikën “Pacem in terris”, botuar më pak se dy muaj para vdekjes: "Qeniet njerëzore jetojnë me makthin e një uragani, që mund të shpërthejë çdo çast, me një forcë shkatërrimtare të paimagjinueshme. Armët aty i ke; e, megjithëse vështirë të bindesh se ka njerëz, të cilët mund të marrin përsipër përgjegjësinë për shkatërrimin dhe dhimbjen, që do të shkaktonte një luftë, nuk përjashtohet mundësia që një ngjarje e paparashikueshme dhe e pakontrollueshme të ndezë shkëndijën, e cila vë në lëvizje aparatin e luftës. Përveç kësaj, duhet pasur parasysh se edhe kur, falë forcës parandaluese të po atyre armëve, nuk do të ketë luftë deri në fund, është e drejtë frika se thjesht vazhdimi i provave bërthamore për qëllime lufte mund të ketë pasoja fatale për jetën e Tokës”. Fjalë shumë aktuale, veçanërisht për kërcënimin e vazhdueshëm të luftës bërthamore.

Shën Pali VI: "Jo kundër njëri-tjetrit, jo më, kurrë!”

Shën Pali VI, më 4 tetor 1965, ishte Papa i parë që foli në OKB, siç tha me atë rast, në emër të Kishës "eksperte në humanizëm": "Jo kundër njëri-tjetrit, jo më, kurrë! Për këtë qëllim është themeluar Organizata e Kombeve të Bashkuara; kundër luftës dhe për paqen! Dëgjojini fjalët e qarta të një njeriu të madh, që tashmë s’është më, të John Kennedy-t, i cili, katër vjet më parë, pati thënë: ‘Njerëzimi duhet t'i japë fund luftës, ose lufta do t'i japë fund njerëzimit’. Nuk duhen shumë fjalë për të shpallur qëllimin më të lartë të këtij institucioni. Mjafton të kujtojmë se gjaku i miliona njerëzve dhe vuajtjet e panumërta e të padëgjuara, masakrat e kota dhe rrënojat e frikshme sanksionojnë paktin, që ju bashkon, me një betim, i cili duhet ta ndryshojë historinë e ardhshme të botës: jo më luftë, jo më luftë! Paqja, paqja duhet të udhëheqë fatin e popujve dhe të mbarë njerëzimit!”

Shën Gjon Pali II: “lutje dhe pendesë!”

Shën Gjon Pali II, i cili foli dy herë në OKB, në vitin 1979 dhe më 1995, në njëzet e shtatë vitet e papnisë, e dënoi përdorimin e armëve gjithmonë e me vendosmëri. Siç kujtonte vazhdimisht, e bëri këtë pasi kaloi përvojën dramatike të diktaturave, fillimisht të asaj naziste e, më vonë, të asaj komuniste, si edhe duke pasur në sy tmerret e Luftës II Botërore e kampet naziste të përqendrimit në Poloninë e tij. Wojtyla e njihte mirë antisemitizmin dhe i dhimbte shpirti për torturat çnjerëzore, pësuar nga shumë miq të tij hebrenj: “I përkas atij brezi, që e jetoi Luftën II Botërore dhe mbijetoi. E kam për detyrë t'u them gjithë të rinjve, atyre më të rinj se unë, që nuk e kanë kaluar këtë përvojë: 'Kurrë më luftë!', siç tha Pali VI në vizitën e tij të parë në Kombet e Bashkuara. Duhet të bëjmë ç’është e mundur! E dimë mirë se paqja me çdo kusht s’është e mundur. Por e dimë edhe sa e madhe është kjo përgjegjësi. Prandaj, lutje dhe pendesë!” E pavarësisht nga këto fjalë, papnia e gjatë e Gjon Palit II, me rënien e Murit të Berlinit, më 9 nëntor 1989, për të cilin kontribuoi me vendosmëri edhe vetë Wojtyla, ishte plot me luftëra.

11 shtatori 2001: “ditë e zezë në historinë e njerëzimit”

Më 11 shtator 2001, Papa polak, i cili pati shpresuar se mijëvjeçari i tretë do të vinte me paqe, ndoqi me shqetësim në televizion sulmin tragjik terrorist kundër Kullave Binjake në Nju Jork, agresion i vërtetë kundër demokracisë perëndimore. “Ishte – komentoi Wojtyla – një ditë e zezë në historinë e njerëzimit, një fyerje e tmerrshme kundër dinjitetit njerëzor. Sapo mora vesh lajmin, ndoqa evolucionin e situatës, duke iu lutur Zotit me gjithë zemër. Si mund të ndodhin episode të një brutaliteti kaq të egër? Zemra e njeriut është humnerë, nga e cila, ndonjëherë, del egërsi e padëgjuar”. E shtonte: “Përballë ngjarjeve me tmerr kaq të papërshkrueshëm, njeriu nuk mund të mos shqetësohet thellë. Bashkohem me ata, që në këto orë, shprehën me indinjatë dënimin e tyre, duke ripohuar me forcë se dhuna nuk çon kurrë në zgjidhje të vërteta për problemet e njerëzimit”.

Benedikti XVI, objektivat e OKB-së: paqja, drejtësia, dinjiteti i njeriut, bashkëpunimi dhe ndihma humanitare

Në vitin 2008, edhe Benedikti XVI foli në OKB, duke përsëritur qëndrimin e bindur pacifist të Kishës Katolike: "Përmes Kombeve të Bashkuara, shtetet kanë menduar objektiva universale, të cilat, megjithëse nuk përkojnë me të mirën e përbashkët të gjithë familjes njerëzore, pa dyshim, përfaqësojnë një pjesë themelore të vetë asaj të mire. Parimet themeltare të Organizatës - dëshira për paqe, kërkimi i drejtësisë, respektimi i dinjitetit të njeriut, bashkëpunimi dhe ndihma humanitare - shprehin aspiratat e drejta të shpirtit njerëzor dhe përbëjnë idealet, që duhet të jenë në themel të marrëdhënieve ndërkombëtare. Siç pohuan nga i njëjti podium paraardhësit e mi, Pali VI dhe Gjon Pali II, këto janë tema që Kisha Katolike dhe Selia e Shenjtë i ndjekin me vëmendje dhe interes, pasi në veprimtarinë tuaj shohin se problemet e konfliktet e bashkësisë ndërkombëtare mund të jenë subjekt normash të përbashkëta”.

Papa Françesku: lufta, rrugë e vdekjes

Ndërkaq, impenjimi i Papës aktual, Françeskut, kundër të gjitha luftërave është i qartë për të gjithë, sidomos, vendosmëria e tij për t'i dhënë fund konfliktit në Ukrainë. Bergoglio ia besoi misionin e paqes kardinalit Matteo Maria Zuppi, kreut të Konferencës Ipeshkvnore Italiane, njëkohësisht, kryeipeshkëv i Bolonjës. “Lufta në Ukrainë – denoncoi Papa –ka vënë në diskutim secilin prej nesh. Pas viteve dramatike të pandemisë, kur më në fund po dilnim nga faza më e vështirë e saj, pse erdhi tmerri i këtij konflikti të pakuptimtë dhe blasfemik, si çdo luftë? A mund të flasim me siguri për luftë të drejtë? A mund të flasim me siguri për luftë të shenjtë?” E shtoi: “Britma e fëmijëve, grave dhe burrave të plagosur nga lufta lartohet deri tek Zoti, si lutje e zjarrtë për zemrën e Atit. Për sa tragjedi të tjera duhet të jemi dëshmitarë para se të gjithë ata, që janë përfshirë në luftë të kuptojnë se kjo është vetëm rrugë e vdekjes, e cila i gënjen ata, që mendojnë se janë fitimtarë? Të jemi të qartë: me luftën, të gjithë jemi të mundur! Edhe ata, që nuk marrin pjesë në të dhe që, në indiferencën e tyre frikacake, e shikojnë këtë tmerr, pa ndërhyrë për të sjellë paqen”.

Bergoglio ndryshoi Katekizmin e Kishës Katolike për dënimin me vdekje

Françesku, Papa i katërt që foli në OKB, në vitin 2015, është edhe Papa i parë, që foli në Kongresin Amerikan, duke kërkuar heqjen e dënimit me vdekje dhe fundin e shitblerjes së armëve. Në vitin 2018, Bergoglio ndryshoi Katekizmin e Kishës Katolike, duke shkruar se "dënimi me vdekje është i papranueshëm, sepse kërcënon paprekshmërinë dhe dinjitetin e njeriut". Së bashku me ato për çarmatimin e botës dhe për paqen, Papa nuk lodhet duke i përsëritur e duke i shoqëruar gjithmonë thirrjet e tij me përpjekjen diplomatike e humanitare për përfundimin e të gjitha luftërave.

18 gusht 2023, 08:54