Riese kremton Shën Piun X, zgjedhur Papë 120 vjet më parë
R.SH. - Vatikan
120 vjet pas zgjedhjes në katedrën e Pjetrit, dioqeza e Trevisos, Fondacioni Giuseppe Sarto dhe komuna e Riese, në provincën e Trevizos, kremtojnë me një sërë ngjarjesh Shën Piun X, zgjedhur Papë më 4 gusht 1903.
Në qytezën venete ku lindi Ipeshkvi i 257-të i Romës, Giuseppe Sarto, të hënën më 21 gusht - një ditë pas përvjetorit të vdekjes së tij 109 vjet më parë - ipeshkvi i Vicenzës, imzot Giuliano Brugnotto, do të kremtojë meshën në famullinë e Shën Mateut, në orën 20.00, pasuar nga procesioni tradicional në vendlindjen e Papës Shenjt.
Peregrinatio corporis- shtegtimi i korpit
Nga data 6 deri më 15 tetor do të kremtohet "Peregrinatio corporis di San Pio X": trupi i Papës Sarto, i ruajtur në Bazilikën e Shën Pjetrit, do të arrijë në rajonin e Venetos dhe do të ekspozohet për nderimin e besimtarëve në katedralen e Trevisos, në Cendrole - lagje ku ngrihet Shenjtërorja e Zojës së Bekuar, për të cilën Giuseppe Sarto kishte devocion të veçantë që kur ishte i ri, e pastaj, edhe në Riese. Programi, i publikuar në portalin papapiox.it është i pasur me kremtime liturgjike dhe çaste të ndryshme lutjeje. Nisma synon të rikujtojë dhe të nënvizojë risinë, bashkëkohësinë dhe kompleksitetin e Piut X, një prej reformatorëve më të mëdhenj në historinë e Kishës.
Përgatitjet
Zjejnë përgatitjet në pritje të relikeve të bashkëqytetarit të famshëm. Disa dioqeza në rajonin e Venetos i kanë nisur tashmë shtegtimet. Planifikohen ndërhyrje restauruese në vendlindjen dhe në muzeun kushtuar Piut X ku, në një ekspozitë të përhershme, mund të njihet me hollësi jeta, thjeshtësia e, njëkohësisht, edhe madhështia e Papës Piu X. Hapësirat e ekspozitës dhe itineraret e vizitorëve do të riorganizohen, ndërsa do të kryhen punime në Casa Maggione, më pas, edhe në "Shtëpinë e Gardianit" e cila, në të ardhmen, do të presë Arkivin e Papës Piu X dhe ekspozitën në kujtim të Tij. Me rastin e "Peregrinatio corporis", Muzeu Piu X do të mund të soditet edhe në ueb. Më në fund, bashkia e Riese po përgatit edhe shtegun Curiotto, atë që Giuseppe Sarto e përshkonte për të arritur në Sanctuare Cendrole. Po ndërton edhe një shteg biçikletash, nga Cendrole në Spineda.