Prelaturat personale konsiderohen shoqata publike klerikale të së drejtës papnore
R.SH. – Vatikan
Me një Motu Proprio të re, me tre nene, Papa Françesku ndryshon kanunet, që kanë të bëjnë me prelaturat personale, të cilat tani e tutje, do të konsiderohen shoqata publike klerikale të së drejtës papnore. Kjo është një përshtatje e mëtejshme me kushtetutën apostolike “Praedicate evangelium”, që ia transferon kompetencën mbi prelaturat personale Dikasterit për Klerin, nga i cili varen edhe shoqatat publike klerikale me mundësinë për të inkardinuar meshtarë. Tani për tani, prelatura e vetme personale ekzistuese është ajo e Opus Dei-t, themeluar 40 vjet më parë me Kushtetutën Apostolike të Gjon Palit II “Ut sit”, e ndryshuar në disa aspekte nga Françesku me Motu proprio-n “Ad charisma tuendum”, publikuar më 14 korrik 2022.
Pikërisht, duke u nisur nga kanuni 265 dhe nga neni 6 i “Ad charisma tuendum”, në dokumentin e botuar sot më 8 gusht, kujtim liturgjik i Shën Dedës, Papa Françesku vendos që në kanunin 295 paragrafi 1, ku flitet për statutet dhe prelatin, të shtohet se Prelatura personale konsiderohet një nga “shoqatat publike klerikale të së drejtës papnore, me kompetencën për të inkardinuar meshtarë" dhe se statutet e saj mund të "miratohen ose të publikohen nga Selia Apostolike". Gjithashtu, theksohet se prelati vepron “si Moderator, i pajisur me kompetencat e Ordinarit”.
Deri tani, ky kanun, në paragrafin 1, ishte formuluar kështu: "Prelatura personale ngrihet mbi statutet e hartuara nga Selia Apostolike dhe në krye të saj si Ordinar vendoset një prelat, i cili ka të drejtë të ngrejë një seminar kombëtar, ose ndërkombëtar, si edhe të inkardinojë studentët dhe t’i promovojë në urdhra me titullin e shërbimit për Prelaturën”.
Në paragrafin 2, ku flitet për përgjegjësitë e prelatit lidhur me formimin dhe mbështetjen e klerikëve të inkardinuar të Prelaturës, sqarohet se ai vepron si Moderator, i pajisur me kompetencat e ipeshkvit, duke e formuluar kështu kanunin përkatës: “Prelati duhet të sigurojë si formimin shpirtëror të atyre, që i ka promovuar me titullin e lartpërmendur, ashtu edhe mbështetjen e tyre të denjë”.
Më tej, me Motu Proprio-n e re, modifikohet kanuni 296, që ka të bëjë me pjesëmarrjen e laikëve në veprimtaritë apostolike të prelaturës personale, duke i shtuar referimin për kanunin 107.
Kanuni 296, tani, thotë: “Laikët mund t'u kushtohen veprave apostolike të një prelature personale përmes marrëveshjeve të përcaktuara me vetë prelaturën; mënyra e këtij bashkëpunimi dhe detyrat e të drejtat kryesore, që lidhen me të, përcaktohen saktësisht në statut”.