Kërko

Portret i Papës Pio VII, nga Vincenzo Camuccini Portret i Papës Pio VII, nga Vincenzo Camuccini 

Piu VII, Mëkëmbës i Zotit të Paqes

200 vjet pas vdekjes së Papës Chiaramonti, më 20 gusht 1823, L'Osservatore Romano boton një artikull, në të cilin Atë Bernard Ardura, Kryetar i Komitetit Papnor për Shkencat Historike, përshkruan historinë e papnisë, nga reforma e Shteteve Papnore, tek ndeshja me Francën napoleonike

R. SH. - Vatikan

I informuar mirë për rrethanat e jashtëzakonshme në të cilat duhej të thirrej konklavi për të zgjedhur pasardhësin e tij, Piu VI kishte vendosur që ai të thirrej nga kardinali më i motuar, në tokat e një princi katolik, ku mund të mblidhej më lehtë kolegji kardinalor.

Kardinali dekan Albani, i strehuar në Venecia, territor austriak që nga viti 1797, shprehu mendimin që konklavi të vihej nën mbrojtjen e perandorit Jozefi II. Kardinajtë u takuan në ishullin San Giorgio, më 1 tetor 1799: nga 46 kardinaj, 30 ishin italianë. Pa filluar mirë takimi, nisi kundërshtimi: dy palët iu kundërvunë njëra-tjetrës: njëra, me synimin për t'iu përshtatur situatës së re dhe për të mos i prishur lidhjet me Francën, tjetra, e papajtueshme, gjithnjë me mendimin për ruajtjen e trashëgimisë së së kaluarës, e sigurt për ndihmën e Austrisë e, më pas edhe Francës. Të parët, të grupuar rreth nipit të Papës së ndjerë, Braschi, e mbështetën delfinin e tyre, kardinalin Bellisomi, i cili arriti afër dy të tretat e votave;  të dytët, të kryesuar nga dekani Antonelli dhe të mbështetur nga kardinali Maury, përfaqësues i Luigjit XVIII në mërgim, si dhe nga kardinali austriak Herzan, i ngarkuar me veton perandorake kundër çdo kandidati të dyshuar për qëndrim të vaktë ndaj Vjenës, kishte si kandidat kardinalin Mattei.

Kardinali Herzan kundërshtoi në mënyrë të ngathët zgjedhjen praktikisht të siguruar të Bellisomit dhe u përpoq të impononte Mattein me forcë. Shumica ishte e pakënaqur, ndaj konklavi u paralizua për tre muaj, ndërsa Kishës i duheshin zgjedhje të shpejta. Kardinali Chiaramonti kishte votuar gjithmonë me shumicën, pa bërë kurrë kompromis me asnjërin grup. Ercole Consalvi, sekretari i konklavit, luajti një rol kyç në realizimin e zgjedhjeve. Në të vërtetë, ai gjeti një zgjidhje kompromisi, të propozuar nga kardinali Ruffo: të votonte për kardinalin Chiaramonti.

Të dy palët ranë dakord natën e votimit të fundit. Për këtë u paralajmërua i zgjedhuri i ardhshëm, i cili u tërhoq në dhomën e tij dhe mendoi të vepronte sipas vullnetit të Provanisë Hyjnore. Në mbrëmjen e 13 marsit, Papa u zgjodh me shumicë të plotë.

Ndryshe nga paraardhësit e tij, Piu VII, 58 vjeç në kohën e zgjedhjes ishte njeri me doktrinë dhe bari intelektualisht i shqetësuar për fatet dhe interesat e Kishës, të cilat do të zinin vendin e parë në veprimtarinë e tij papnore. I guximshëm dhe i mençur, i përgatitur mirë në shkollën benediktine, atij do t'i duhej të zgjidhte problemet serioze, që shoqëria evropiane, në transformim të plotë,  po shtronte për Selinë e Shenjtë dhe për të gjithë Kishën.

Një dëshmitar anonim i konklavit, Ditari i të cilit u botua së fundmi, sigurisht edhe ai benediktin në San Giorgio Maggiore,  tregon se si e kremtoi Papa i ri Meshën e kurorëzimit: «Kur mbërriti para altarit, filloi meshën. Kremtonte solemnisht e me gjakftohtësi, me madhështi e me dinjitet, që ngjallte përkushtim dhe nderim tek të gjithë njerëzit që e ndiqnin me vëmendje”.

Benediktini, autor i këtij Ditari të konklavit, nuk e përmban ngazëllimin e  brendshëm dhe, tejet i kënaqur, thekson se më 26 mars, ditën e parë të tëtëditshit të solemnitetit të Shën Benediktit, patriarkut të murgjërve të Perëndimit, po kremtohej një festë solemne. U këndua mesha solemne - kujton - e ndjekur nga Te Deum, në abacinë benediktine të Shën Gjergjit të Madh. Kremtoi imzot Arnaldo Speroni, murg benediktin, ipeshkëv i Adrias. “Për të gjitha këto - shkruan ai - Ati i Shenjtë mbeti shumë i kënaqur, domethënë për faktin e veçantë e të papritur që një ipeshkëv benediktin falënderonte të Madhin Zot, për një fakt kaq të veçantë, të papritur dhe të jashtëzakonshëm sa ky i zgjedhjes së Pape Benediktin, i ndjekur nga një qytet i lashtë si Roma, dhe në një kuvend murgjish benediktinë: gjithçka - shkruan dëshmitari anonim - është vërtet e jashtëzakonshme; gjithçka, e admirueshme dhe e veçantë».

Në kushte pak a shumë të ngjashme me këto, në vitin 1903, imzot Rafael Merry del Val u zgjodh sekretar i konklavit, ndërsa sekretari i konklavit i   Piu X, imzot Consalvi, u zgjodh, në mungesë, në vend të ish-kryetarit, imzot Pietro Negroni, që kishte mbetur në Romën e pushtuar nga ushtria franceze, nga 10 shkurti 1798. Diviza e Consalvit, rezultat i një përvoje të gjatë në Kurien Romake, ishte: «Përshtatju kohës!». Me këshillën e tij, Piu VII refuzoi ftesën e perandorit Françesku II për të shkuar në Vjenë dhe vendosi të kthehej në Romë sa më shpejt të ishte e mundur.

Në planin e brendshëm, kundërshtarët i pranuan reformat e dëshiruara nga Piu VII dhe sekretari i tij i shtetit. Që kur Piu VII, i zgjedhur më 14 mars 1800, u ul në fronin e Shën Pjetrit, ishte i vetëdijshëm për rreziqet që përfaqësonte Franca dhe rregullimin e çështjeve fetare në këtë vend, i pari i katolicizmit, i cili, për një dekadë të vetme kishte revolucionarizuar Evropën e, pasi kishte persekutuar ose tretur në mërgim mijëra priftërinj e rregulltarë, ishte përpjekur të zhdukte fenë dhe praktikat e saj nga shoqëria, si dhe kishte krijuar Kishën kombëtare, për të zëvendësuar me të, Kishën Katolike Romake.

 I inkurajuar nga pushtimet e tij, Napoleoni, fitimtar mbi Austrinë dhe Rusinë në Austerlitz në 1805, e edhe mbi Prusinë, në Hyena, më 1806, zhvilloi një strategji evropiane lufte edhe kundër Anglisë. Atëherë u kuptua se hallka e dobët e këtij sistemi napoleonik ishte në Itali. Ndërsa Napoleoni synonte të bashkonte qeverinë e shteteve të tij, ai vendosi kodin civil francez - duke përfshirë divorcin - në Mbretërinë e Italisë. Piu VII protestoi dhe si hakmarrje Napoleoni pushtoi portin e Ankonës, bastion i vëretë në Marche.

Më 15 shkurt 1806, Napoleoni urdhëroi ushtritë e tij të niseshin për në Napoli, duke kaluar pa autorizim shtetet papnore me qëllim që të dëbonte Bourbonët dhe të vendoste kunatin e tij, Muratin, në krye të Mbretërisë së Napolit. Në të njëjtën kohë, pushtoi portin e Civitavecchia-s dhe kërkoi dëbimin nga Roma të agjentëve anglezë, rusë dhe sardë.

Situata ishte kritike: nga viti 1806 Piu VII nuk pranoi t'u jepte petkun kanonik ipeshkvijve të caktuar nga Napoleoni. Ndërsa zhvilloheshin bisedimet e Francës me Selinë e Shenjtë për këtë temë, perandori ndoqi projektin e tij në Itali dhe paraqiti, më 1807, katekizmin perandorak në gadishull. Polemikat e dhunshme të shkaktuara nga ky imponim u shtuan më 21 janar dhe 2 prill 1808, me pushtimin e një pjese të Shtetit Papnor në Mbretërinë e Italisë. Si pasojë, disa ipeshkvij refuzuan të bënin betimin para perandorit

Napoleoni më pas urdhëroi gjeneralin de Miollis të hynte në Romë, ndërsa Piu VII u mbyll në Pallatin Kuirinal.

Kardinajtë që nuk kishin lindur në Shtetet Papnore u dëbuan dhe ushtria e Papës u përfshi në ushtrinë perandorake. Më 16 maj 1809, Napoleoni nënshkroi dekretin perandorak në Schönbrunn, përmes të cilit i aneksonte shtetet papnore në perandorinë e tij. Më 10 qershor Piu VII botoi bulën Quam memorandum, me të cilën e shkishëroi fshehurazi perandorin. Megjithatë, bula e shkishërimit qarkulloi me shpejtësi, veçanërisht në të gjitha qendrat e opozitës. Napoleoni më pas vendosi ta rrëmbejë Papën. Natën ndërmjet 5 dhe 6 korrikut 1809, gjenerali Radet sulmoi Quirinalen me 500 burra. Piu VII, i cili i ndaloi zviceranëve të rezistonin për të mbrojtur personin e tij, u largua nga Roma, i shoqëruar vetëm nga kardinali Pacca. Gjatë udhëtimit të gjatë dhe të lodhshëm, nën diellin e verës, turma zbuloi identitetin e shtegtarit dhe nisi të thërrasë: "O Zot! O Zot! Si e lejon gjithë këtë gjëmë! Por, durim!". Kësaj britme, Papa iu përgjigj me: «Guxim dhe lutje».

Gjatë njëmbëdhjetë ditëve që kaloi në Grenoble duke filluar nga 21 korriku, Piu VII bekonte çdo mbrëmje një turmë të madhe që e brohoriste. Vetëm më 24 gusht Papa mbërriti në Savona, në Liguria, ku qëndroi i burgosur deri në vitin 1812, i izoluar dhe i mbikëqyrur nga prefekti Chabrol.

 Për shkak të teprimeve të tij, Napoleoni nënvlerësoi personin dhe karakterin e Piut VII. Ai nuk e kuptoi se sa popullor ishte Papa dhe mbi të gjitha nuk e kuptoi se në udhëtimet e pafundme që i imponoheshin, rrethohej nga turma të mëdha, mbi të gjitha, nga njerëz të thjeshtë. E ndiqnin pas për ta parë, për ta takuar, për ta prekur Papën për herë të parë, siç dëshmohet nga besimtarët. Fotografitë me fytyrën e Papës u vendosën kudo, posaçërisht në familje të panumërta italiane dhe franceze.

Në prag të fushatës ruse, Napoleoni urdhëroi transferimin e Piut VII në Fontainebleau. Duke u larguar nga Savona më 9 qershor 1812, kolona mbërriti në cak më 19 qershor. Menjëherë Papa u izolua në banesat ku kish ndenjur më parë me rastin e mbërritjes për kurorëzimin e Napoleonit.

Perandori bëri të pamundurën për të krijuar përshtypjen se Papa ishte në Fontainebleau me vullnetin e tij të lirë dhe se po trajtohej me nderimet që i meritonte. Ai u përpoq me të gjitha forcat t’i pëlqente Papës, në mënyrë që të mund të zhvaste një Konkordat të ri prej tij. Po Piu VII ishte krejtësisht i huaj për madhështinë me të cilën po e rrethonte perandori. Papa refuzoi të dilte për disa shëtitje në këmbë ose me karrocë. Bëri vetëm disa hapa në galerinë e Françeskut. Jetoi në vetmi vullnetare, tërësisht murgare, shumë i rezervuar para zyrtarëve të pallatit.

 E gjithë kjo  e rraskapiti fizikisht dhe moralisht. Për më tepër, e kjo duhet theksuar - rrethimi  jo vetëm që nuk e ndihmoi, por edhe e inkurajoi që të mos i dorëzohej perandorit. Më 23 janar 1814, Piu VII mblodhi prelatët e tij dhe i urdhëroi ata të mos pranonin të nënshkruanin asnjë dokument, të mos merrnin pjesë në asnjë ceremoni publike, të mos t’i përgjigjeshin asnjë propozimi për t'u marrë me çështjet shpirtërore ose materiale të Kishës, «sepse i tillë është vullneti ynë absolut dhe i vendosur”. Për ironi, tre muaj më vonë, Napoleoni, i mundur, u dha lamtumirën ushtarëve të tij, në oborrin e së njëjtës Château de Fontainebleau!

Nga 23 janari deri më 24 maj 1814 Piu VII e nisi dhe e sosi udhëtimin triumfal të kthimit në Romë: përmes jugperëndimit të Francës, pastaj Savonës, Bolonjës, Imolës, Cesenës, Anconës, Fanos, Loretos, Maceratës, Tolentinos, Folignos, Spoletos, Ternit dhe Nepit, deri në Qytetin e Amshuar!

 Më 17 maj, Piu VII kishte tërhequr kardinalin Consalvi në sekretariatin e shtetit, ku kardinali shkoi për të krijuar një pozicion të dyfishtë me kardinalin Pacca. Ndërsa Consalvi ndoqi politikën e mençur të Konkordateve me sovranët në fuqi, Pacca iu kushtua përtëritjes shpirtërore dhe materiale të Kishës romake dhe të qeverisë papnore. Papa, i cili ishte treguar i papajtueshëm me Napoleonin dhe me sovranët e tjerë për sa i përket autoritetit të tij kohor, ua la të tjerëve, më kompetentë, rimëkëmbjen konkrete të Shtetit Papnor. Nëse Pacca nuk ishte i aftë për të ndërmarrë reforma të thella, absolutisht të nevojshme, Consalvi, diplomat gjenial,  i siguroi shtetit papnor një armëpushim prej gjysmë shekulli, por nuk qe në gjendje ta përfundonte luftën kundër procesit të fosilizimit administrativ, të favorizuar nga një restaurim që kishte si model shtetin para Revolucionit, e si ideal, situatën e kohës së Piut VI.

Ndër masat më të rëndësishme të miratuara nga Piu VII pas kthimit të tij në Romë, bula Sollicitudo omnium Ecclesiarum e 7 gushtit 1814, me të cilën rimëkëmbi kudo Shoqërinë e Jezusit, duke shfuqizuar kështu Dominus ac Redemptor të Klementit XIV të 21 korrikut 1773. E kjo pati domethënie e rëndësi të dukshme dhe i vuri vulën veprës së nisur nga Papa që nga fillimi i papnisë së tij.

Më 7 mars 1801, Piu VII kishte botuar tashmë Catholicae fidei, me të cilën njihte zyrtarisht Shoqërinë e Jezusit në Rusi, që numëronte rreth dyqind anëtarë,  nën mbrojtjen e Katerinës II, e cila nuk e kishte pranuar kurrë brevën e Klementit XIV. Kjo njohje pati ndikim të konsiderueshëm tërheqës, me pasojë kërkesat për t'u lidhur me grupin rus. Piu VII miratoi shumë kërkesa nga Zvicra, Belgjika, Holanda dhe Anglia. Papa ishte i bindur për dobinë e jezuitëve në rindërtimin fetar të pas revolucionit. Kjo shpjegon pse Piu VII këmbënguli kaq shumë në përpjekjen për edukimin e të rinjve në fenë katolike dhe formimin e tyre të mirë moral në kolegje dhe seminare.

Krahas restaurimit të jezuitëve, rivendosja e rendeve fetare në Shtetet Papnore ishte një tjetër objektiv i rëndësishëm i Piut VII. I shqetësuar për restaurimin e Kishës në vende të ndryshme evropiane, Piu VII ndoqi këshillat e atyre që ishin gjithashtu të shqetësuar për përparimin e ideve të trashëguara nga shekulli i Iluminizmit. Për këtë arsye, më 21 shtator 1821 dënoi masonerinë, ashtu siç kishte paralajmëruar më 29 qershor dhe 3 shtator 1816  kundër shoqërive biblike, të dyshuara, për shkak të origjinës së tyre protestante, si përhapëse të  indiferentizmit.

Papa inkurajoi organizimin e misioneve të famullisë, ushtrimet shpirtërore për klerikët, shtegtimet, procesionet, vëllazëritë e laikëve përmes dhënies së indulgjencave. Shtoi numrin e festave të Zojës dhe rinisi proceset e kanonizimit. Gjatë viteve të tij të fundit, Papa ia besoi me dëshirë kardinalit Consalvi gjithçka kishte lidhje me orientimin e politikës kishtare.

Benediktini Barnaba Gregorio Chiaramonti vdiq më 20 gusht 1823, në moshën 81-vjeçare, tri javë pas zjarrit gjigant që shkatërroi bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, të cilën e donte aq shumë. Dyqindvjetori i zgjedhjes së Chiaramontit në fronin e Shën Pjetrit i krijoi imzot Dante Lanfranconit, asokohe ipeshkëv i Savona-Nolit, mundësinë që, në mars 2000, të merrte iniciativën, në emër të ipeshkvisë liguriane, që t'i kërkonte Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve Lumnimin e Piut VII. Më 24 shkurt 2007, Kongregata i dha Nihilit obstat për paraqitjen e Çështjes së Lumnimit të Piut VII, të cilit, në kohë të stuhishme, i pëlqente ta quante veten "mëkëmbës i Zotit të paqes".

20 gusht 2023, 15:00