Dita e Rinisë në Lisbonë: Papa, politika duhet t'u japë njerëzve shpresë
R.SH. / Vatican News
Papa posa mbërrini në Lisbonë u takua me autoritetet e Portugalisë. "Politika e mirë mund të bëjë shumë në këtë kohë, mund të lindë shpresë. Nuk është e thirrur për të mbajtur pushtetin, por për t'u dhuruar njerëzve fuqinë të shpresojnë. Sot, më shumë se kurrë, thirret për të korrigjuar pabarazitë ekonomike të një tregu, që prodhon pasuri, por nuk e shpërndan, duke i lënë shpirtrat pa burime dhe pa siguri". Kështu tha mes tjerash Papa gjatë takimit me Autoritetet, Shoqërinë Civile dhe Trupin Diplomatik në Lisbonë, me rastin e Ditës së Rinisë.
I lumtur që jam në Lisbonë, qytet takimesh, i cili përqafon popuj dhe kultura të ndryshme dhe që po bëhet edhe më universal këto ditë - me këto fjalë e nisi Papa përshëndetjen drejtuar autoriteteve, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe botës së kulturës. Në një farë kuptimi - sot është bërë kryeqytet i botës. E kjo i përshtatet shumë karakterit të saj multietnik dhe multikulturor - po mendoj për lagjen Mouraria, ku njerëzit nga më shumë se gjashtëdhjetë vende jetojnë në harmoni - gjë që zbulon tiparin kozmopolit të Portugalisë, rrënjosur në dëshirën për t'ia hapur udhët botës dhe për ta eksploruar, duke lundruar drejt horizonteve të reja, më të gjera. Më pas, citimi i një poeti të madh: “Jo larg prej këndej, në Cabo da Roca – kujtoi - është gdhendur vargu i një poeti të madh të këtij qyteti: «Aqui… waves a terra se acaba e o mar começa» (L. Vaz de Camões, Os Lusíadas, III, 20). (Këtu... ku mbaron toka dhe fillon deti)
Për shekuj - vijoi Papa - besohej se ekzistonte skaji i botës, dhe në një farë kuptimi është e vërtetë: ne jemi në skaj të botës, sepse ky vend kufizohet me oqeanin, i cili kufizohet me kontinentet. Lisbona sjell përqafimin dhe parfumin e saj. Më pëlqen të kujtoj këngën, që këndojnë portugezët: «Lisboa tem cheiro de flores e de mar» (A. RODRIGUES, Cheira bem, cheira a Lisboa, 1972) (Lisbonës i vjen era lule e era det). Një det që është shumë më tepër se element peisazhi, është thirrje e ngulitur në shpirtin e çdo portugezi:
“Përpara oqeanit, portugezët reflektojnë mbi hapësirat e pafundme të shpirtit dhe mbi kuptimin e jetës në botë. Dhe unë gjithashtu, i tërhequr nga imazhi i oqeanit, do të doja të ndaja disa mendime”.
Disa mendime, frymëzuar nga pamja e oqeanit
Sipas mitologjisë klasike - vijoi të kujtojë Papa, duke hyrë në lashtësinë e këtij vendi - Oqeani është biri i qiellit (Urani): pafundësia e tij i bën të vdekshmit të shikojnë lart dhe të ngrihen drejt pafundësisë. Por, në të njëjtën kohë, Oqeani është biri i tokës (Gea) të cilën e përqafon, duke na ftuar kështu ta rrokim butësisht gjithë botën e banuar:
“Në të vërtetë, oqeani lidh jo vetëm popujt dhe vendet, por edhe tokat dhe kontinentet; prandaj Lisbona, qyteti i oqeanit, na kujton rëndësinë e së tërës, për t’i parë kufijtë si zona kontakti, jo si kufij, që ndajnë”.
Ne e dimë se sot pyetjet e mëdha janë globale, megjithatë shpesh shikojmë se bota është e ndarë, e paaftë për të përballuar së bashku, çka i vë të gjithë në krizë:
“Duket se padrejtësitë planetare, luftërat, krizat klimatike dhe migracioni ecin më shpejt se aftësia, e shpesh edhe vullneti, për t'i përballuar këto sfida së bashku”.
Piketat për rrugëtimin e bashkësisë evropiane
Lisbona - u kujtoi në vijim Papa krerëve të pranishëm të Portugalisë, në këtë takim të jashtëzakonshëm - mund të sugjerojë ndryshimin e ritmit. Këtu, në vitin 2007 u nënshkrua traktati i reformës homonim i Bashkimit Evropian. Ai thekson se "qëllimi i Bashkimit është të promovojë paqen, vlerat e saj dhe mirëqenien e popujve të tij" (Traktati i Lisbonës që ndryshon Traktatin për Bashkimin Evropian dhe Traktati themelues i Komunitetit Evropian, neni 1,4 /2.1); por shkon edhe më tej, duke pohuar se "në marrëdhëniet me pjesën tjetër të botës [...] kontribuon për paqen, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm të Tokës, solidaritetin dhe respektin ndërmjet popujve, tregtinë e lirë dhe të ndershme, zhdukjen e varfërisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut” (neni 1,4/2.5). Nuk janë thjesht fjalë, por piketa për rrugëtimin e bashkësisë evropiane, gdhendur në kujtesën e këtij qyteti. Këtu është fryma e tërësisë, e gjallëruar nga ëndrra evropiane për një multilateralizëm më të gjerë se sa vetëm konteksti perëndimor.
Bota ka nevojë për Evropën e vërtetë
Sipas një etimologjie të diskutueshme, emri Europë rrjedh nga një fjalë që tregon drejtimin e perëndimit. Megjithatë, është e sigurt se Lisbona është kryeqyteti më perëndimor i Evropës kontinentale - kujtoi Papa – duke vënë theksin mbi rolin e Ditës Botërore të Rinisë:
“Shpresoj se Dita Botërore e Rinisë do të jetë nxitje për hapjen universale të ‘kontinentit të vjetër’. Sepse bota ka nevojë për Evropën, Evropën e vërtetë: ka nevojë për rolin e saj si urë dhe paqebërëse në pjesën lindore, në Mesdhe, në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme”.
Kështu - vijoi Françesku - Evropa do të jetë në gjendje të sjellë origjinalitetin e saj specifik, duke bërë realitet ëndrrën e ndërtimit të së nesërmes me armikun e djeshëm, duke nisur rrugët e dialogut dhe të përfshirjes, duke zhvilluar një diplomaci paqeje që shuan konfliktet dhe lehtëson tensionet.
Një mori pyetjesh, që kërkojnë gjegje
Në oqeanin e historisë – vijoi t’u kujtojë Papa autoriteteve, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe botës së kulturës - ne po lundrojmë në një çast të stuhishëm, ku ndjehet mungesa e rrugëve të guximshme drejt paqes. Duke e parë me përzemërsi Evropën, në frymën e dialogut që e karakterizon, dikush mund të pyesë…:
“….për ku po lundroni, nëse nuk ofroni shtigje paqeje, mënyra krijuese për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe konflikteve të shumta që po gjakosin botën? Dhe përsëri, duke zgjeruar fushën: cilën rrugë po ndjek, Perëndim? Teknologjia jote, e cila ka shënuar progres dhe ka globalizuar botën, nuk mjafton më vete; aq më pak mjaftojnë armët më të sofistikuara, të cilat nuk përfaqësojnë investime për të ardhmen, por varfërime të kapitalit të vërtetë njerëzor, atë të arsimit, shëndetësisë, shtetit të mirëqenies”.
Është shqetësuese - vijoi Papa - të lexohet se në shumë vende fondet investohen vazhdimisht për armë dhe jo për të ardhmen e fëmijëve të tyre.
Ëndërra e Papës për Evropën
Unë ëndërroj - vijoi Ati i Shenjtë - një Evropë, zemër e Perëndimit, e cila e përdor zgjuarsinë e saj për shuarjen e shpërthimeve të luftës dhe ndezjen e dritave të shpresës; një Evropë që di të rizbulojë shpirtin e saj rinor, duke ëndërruar për madhështinë e së tërës dhe duke shkuar përtej nevojave të çastit; një Evropë që përfshin popuj dhe individë, pa ndjekur teoritë dhe kolonizimet ideologjike:
“Oqeani, një hapësirë e madhe uji, të kujton origjinën e jetës. Në botën e sotme të zhvilluar, paradoksalisht është bërë prioritet mbrojtja e jetës njerëzore, e vënë në rrezik nga lëvizjet utilitare, të cilat e përdorin dhe e flakin atë. Mendoj për kaq shumë fëmijë të palindur dhe të moshuar të lënë në duart e tyre, për vështirësinë e pritjes, mbrojtjes, promovimit dhe integrimit të atyre që vijnë nga larg dhe trokasin në dyer, për vetminë e shumë familjeve në vështirësi në lindje dhe rritje të fëmijve”.
Pasqyrë e botës së sotme, kjo që përshkroi Papa – pasuar nga një breshëri pyetjesh retorike:
“Ku po lundroni drejt Evropës dhe Perëndimit, me mbeturinat e të vjetrës, me muret me tela me gjemba, me masakrat në det dhe me djepat bosh? Ku do të shkoni nëse, përballë të keqes të të jetuarit, ofroni ilaçe të nxituara dhe të gabuara, siç është vdekja e lehtë, parë si zgjidhje e përshtatshme, që duket e ëmbël, por që është më e hidhur se ujërat e detit?”.
Mjedisi, e ardhmja, vëllazëria
Megjithatë - vijoi Papa duke krijuar një atmosferë tjetër, pas asaj tejet të hidhur - atmosferën e festës rinore.,Lisbona, e përqafuar nga oqeani, na jep arsye për të shpresuar, theksoi.
“Një oqean të rinjsh po derdhet në këtë qytet mikpritës; të rinjtë nga e gjithë bota që kultivojnë dëshirën për unitet, paqe dhe vëllazëri na sfidojnë të realizojmë ëndrrat e tyre për të mirën. Ata nuk janë në rrugë duke shprehur zemërimin, por duke ndarë shpresën e Ungjillit. Dhe nëse sot ka një klimë proteste dhe pakënaqësie në shumë pjesë të botës, terren pjellor për populizëm dhe teori konspirative, Dita Botërore e Rinisë është një mundësi për të ndërtuar së bashku:
“Ringjall dëshirën për të krijuar risi, për të dalë në det dhe për të lundruar së bashku drejt së ardhmes. Më vijnë ndërmend disa fjalë të guximshme të Pessoa-s: “Të lundrosh është e nevojshme, të jetosh nuk është e nevojshme [...]; ajo që nevojitet është të krijosh”.
“Pra, le të merremi me kreativitet për të ndërtuar së bashku! Përfytyroj tre kantiere shprese, në të cilat ne të gjithë mund të punojmë së bashku: mjedisi, e ardhmja, vëllazëria”.