Kërko

Françesku në Fatima: Kisha, mikpritëse dhe pa dyer

Rruzarja Shenjte, pranë Zojës së Fatimës, me të sëmurët. Papa hyn në Kapelën e Dukjeve, e nderon Shtatoren e Zojës së Fatimës dhe ndalohet para Saj në lutje të heshtur. Dy fëmijë i ofrojnë lule, e Françesku i vendos te këmbët e Virgjërës, ndërsa u dhuron fëmijëve një Rruzare të artë. Më pas lutja e përbashkët për fundin e çdo lufte!

R.SH. / Vatican News

Papa në Fatima, Portugali, bën edhe një herë thirrje për një Kishë me porta të hapura, ku mund të hyjnë të gjithë. "Kapela në të cilën ndodhemi është figurë e bukur e Kishës - kujton - mikpritëse e pa dyer! Kisha nuk ka dyer, e kështu që të gjithë mund të hyjnë. Munden! Këmbëngulim se të gjithë mund të hyjnë sepse shtëpia është e “Nënës” dhe “e të gjithëve”! Të gjithë, të gjithë duhet të kenë mundësi të hyjnë.

Papa prek, kështu, përsëri temën DBR-së "Maria u ngrit dhe shkoi me nxitim" (nga Ungjilli i Lukës). Ajo shkon me nxitim”, sepse i Biri e thërret! E nuk mund të mos i gjegjet menjëherë! Ajo nxiton të jetë afër, ajo na tregon gjithnjë me gisht Jezusin. "Ta shohim fytyrën e Marisë" dhe të pyesim veten: “Çka ma shqetëson jetën?”.  Papa na fton t’ia drejtojmë këtë pyetje jetike Marisë  Virgjër që "Ajo, me zemrën e saj të butë e të përvujtë t’i thotë përsëri Jezusit ‘eja’!".

Papa e nisi fjalën drejtuar të sëmurëve në Shenjtëroren e Zojës në Fatima me Shenjën e Kryqit, Rruzarja Shenjte, kushtuar të rinjve të sëmurë. Mistereve u prijnë disa lexues, në gjuhë të ndryshme. “Na ndihmoftë kjo Rruzare Shenjte të ecim përpara së bashku, dorë për dore, me këmbët në tokë dhe sytë e lartuar nga qielli - i fton - duke u drejtuar, më pas një thirrje plot optimizëm. Jemi nën vështrimin e saj amtar këtu, ku shumë njerëz vijnë si shtegtarë. Pikërisht shtegtimi është tipari marian, që lidh misteret e lutjes. Na kujton sesi Maria mori lajmin gazmor, atë "Gëzohu" (Lk 1:28) që ia ndryshoi jetën dhe menjëherë filloi shtegtimin, i cili kalon përmes mistereve të njëpasnjëshme: shkon tek Elizabeta, pastaj në Betlehem, pastaj në tempullin e Jeruzalemit, ku më në fund e gjen Jezusin:

“Maria ecën, nuk ndalon. Kështu bën edhe në histori, duke zbritur mes nesh, si në Fatima, e duke na ftuar të shtegtojmë, jo vetëm me trup, por sidomos, me jetë”.

Po si? - vjen sakaq pyetja retorike e Papës e pas saj, menjëherë edhe përgjigja, sipas stilit të zakonshëm të fjalimeve të Atit të Shenjtë. Ecim përpara çdo ditë - vijon - me gëzim dhe shpresë sepse kemi një synim, Parajsën; dhe në të njëjtën kohë me këmbëngulje e durim, sepse jeta në tokë nuk është videolojë për çlodhje, por rrugë në të cilën duhet ecur me guxim dhe qëndrueshmëri. E unë dëshiroj t'ju falënderoj që jeni këtu dhe dini si ta vazhdoni ecjen edhe në sëmundje e në izolim:

“Ju mbartni kryqe, por me Zotin kryqet tuaja nuk janë stacione drejt hiçit, janë dyer të hapura drejt lavdisë; po, sepse me Jezusin çdo kryq përfundon në ringjallje, çdo errësirë ​​në dritë, çdo braktisje në bashkim”.

Maria është me ju!

Maria është me ju - vijoi të flasë me optimizëm Papa - Ajo realizoi ëndrra më të mëdha se ato që mund të përfytyrohen. Si? Jo duke ndjekur suksesin, fuqinë, pasurinë dhe ëndjet e kësaj bote, por duke ecur në rrugën e Zotit, rrugën e madhështisë së vërtetë. A e dini si quhet kjo rrugë drejt madhështisë? - pyeti Papa - duke u përgjigjur sakaq:

“Quhet vogëlsi, rruga e vogëlsisë. Zoti zgjedh gjithmonë të vegjlit, sepse për Të janë të mëdhenj; zgjedh të thjeshtët e janë ata që e lejojnë të realizojë planet e tij madhështore në histori: si dishepujt në Ungjill, si fëmijët në Fatima. Ata i pëlqejnë Zotit!”.

Në vitin 1917, kur u duk Zoja, pikërisht në muajin gusht, pati thënë diçka të habitshme: “Lutuni, lutuni shumë; dhe flijoni për mëkatarët, sepse shumë shpirtra shkojnë në ferr e sepse askush nuk flijohet as ndërmjetëson për ta".

Lutjuni Zojës - porositi Papa - ajo është nënë dhe nuk e drejton gishtin kundër askujt, as kundër shoqërisë; nuk kritikon dhe nuk ankohet, por shqetësohet sepse mungon dhembshuria për ata që janë larg, sepse nuk ka njeri që lutet dhe ofron, sepse dashuria dhe zelli janë të pakta.

Tani, si në kohën e dukjeve - pohoi në përfundim Papa – bota është në luftë. Ndaj Zoja kërkon të thuhet Rruzarja për paqen në botë e fundin e luftës. Jo aq me dashamirësinë, sesa me frikën e nënës, na fton:

“Thojeni Rruzaren çdo ditë, për paqen në botë dhe fundin e luftës! T’i bashkojmë zemrat, të lutemi për paqe, t'ia kushtojmë përsëri Kishën dhe botën Zemrës së Papërlyer të Nënës sonë të ëmbël”.

Parque Tejo, vendi i gjelbër i kremtimeve të fundit

Kjo ngjarje si dhe dy  të fundit DBR-së - Vigjilja me të rinjtë dhe Mesha e finale - u kremtua pikërisht në Campo da Graça, Parque Tejo.

Parque Tejo, me sipërfaqe prej 90 hektarësh, në bregun e djathtë të Tagusit, ndërmjet Parque das Nações (Parku i Kombeve) dhe grykëderdhjes së lumit Trancão, është një hapësirë ​​e madhe e gjelbër që të fton për shëtitje të gjata, në tokat e komunave të Lisbonës dhe Loures. I pajisur me një sistem lartësish dhe kodrash artificiale, parku u realizua në vitin 1998, si pjesë e Ekspozitës Ndërkombëtare të Lisbonës, "Expo '98", në një zonë me degradim të fortë territorial dhe mjedisor, për shkak të pranisë së industrisë. Vendndodhja e tij, pikërisht pranë Rezervatit Natyror të Grykëderdhjes Tagus (Reserva Natural do Estuário do Tejo), e bën një vend të privilegjuar për të vëzhguar florën dhe faunën e grykëderdhjes së lumit. Parku metropolitan, i përgatitur për ushtrimin e aktiviteteve të ndryshme sportive, rikrijuese dhe edukative - patinazh, tenis, golf, kalërim e kështu me radhë - strehon lloje të panumërta pemësh ekzotike, përfaqësuese të 4 kontinenteve.

Dy ngjarjet qendrore të DBR-së - Vigjilja me të rinjtë dhe Mesha e finale - do të kremtohen pikërisht në Campo da Graça, pranë urës Vasco de Gama, ku është ngritur një strukturë gjigante metalike e ndriçuar me tuba, me një sipërfaqe prej 3250 m2 dhe rreth 40 ton, e pajisur nga një grup ekranesh, të afta për të krijuar lojëra tingulli, dritë dhe hije.

05 gusht 2023, 11:36