Papa: të promovohet miqësia ndërmjet popujve, në këtë orë të trazuar të historisë
R.SH. – Vatikan
Të krishterët dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë të mos mbeten "të shurdhër përpara britmës që lartohet drejt Zotit nga kjo bota jonë", por të punojnë për "kulturën e paqes, aty ku jeton secili prej nesh". Kemi nevojë për "gjeste konkrete" dhe "vendime të përbashkëta", fjalimet nuk mjaftojnë. Kështu shkruan Papa Françesku në mesazhin drejtuar imzot Nicolò Anselmit, ipeshkëv i Riminit, me rastin e Takimit të 44-t për Miqësinë ndërmjet Popujve, i cili mbahet nga data 20 deri më 25 gusht në qytetin bregdetar italian. Mesazhi mban firmën e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin. "Rruga, që mund ta ndjekin të gjithë" dhe që Kisha e inkurajon vazhdimisht është "pajtimi me familjen, miqtë e fqinjët, lutja për ata që na kanë lënduar, ndihma për nevojtarët, përhapja e fjalës së paqes” kudo, siç pati theksuar Françesku edhe në Takimin Botëror kushtuar Vëllazërimit Njerëzor "Not alone (Jo të vetëm)",10 qershorin e kaluar.
Askush nuk shpëton i vetëm
Në një kohë kur "lufta dhe përçarjet mbjellin inate dhe frikë në zemra", kur "tjetri, i ndryshëm prej meje, shpesh, perceptohet si rival" dhe kur komunikimi global e kthen këtë qëndrim në mendësi mbizotëruese, duke i bërë "dallimet të duken si simptoma armiqësie" dhe duke shkaktuar "një lloj epidemie armiqësie", tema e Takimit të Riminit - "Ekzistenca njerëzore është miqësi e pashtershme" - është qartësisht kundër kësaj prirjeje, vëren Papa. Koha e sotme, thekson Ati i Shenjtë, karakterizohet “nga individualizmi dhe indiferenca, të cilat sjellin vetmi” dhe forma të shumta mënjanimi, që i kthejnë njerëzit në hedhurina të shoqërisë. Nga kjo gjendje, “është e pamundur të dalim vetëm me forcat individuale", përsërit Françesku një koncept, që e ka përmendur shpesh, sidomos gjatë pandemisë së Covid-19, sepse "askush nuk mund të shpëtojë i vetëm". Për këtë, Hyji dërgoi Birin e tij, për të na hapur një horizont të ri, por edhe "një fjalë të re për kaq shumë situata përjashtimi, shpërbërjeje, mbylljeje, izolimi", thekson Papa.
Jezusi dhe miqësia me njeriun
Edhe në situatat më të vështira, nuk jemi vetëm, vijon Françesku. "Shpirti i Krishtit të ringjallur e theu vetminë, duke i dhënë njeriut miqësinë e tij, si hir të mirëfilltë". Ati i Shenjtë përmend themeluesin e lëvizjes “Bashkim e Çlirim”, që organizon çdo vit Takimin e Riminit, don Luigi Giussani-n, i cili në vëllimin "Rruga drejt së vërtetës është përvojë" nënvizon se me këtë dhuratë, që Hyji i bëri njeriut, vetmia njerëzore u tret. “Përvoja njerëzore nuk është më ajo e pafuqisë së dëshpëruar, por ajo e vetëdijes” se forca e njeriut dhe siguria e tij qëndron tek Dikush tjetër. Kjo bazë, që fton për t’i besuar tjetrit, i bën marrëdhëniet njerëzore “miqësi të pashterrshme”.
Miqtë na mësojnë ta ndajmë jetën me të tjerët
Miqësia e vërtetë ta mbush zemrën, ta zgjeron atë, nënvizon Papa, i cili në Nxitjen apostolike “Christus vivit” i përkufizon miqtë besnikë "pasqyrim i dashurisë së Zotit, i ngushëllimit dhe i pranisë së tij", duke shtuar se kur kemi miq, mësojmë t’i kuptojmë e të kujdesemi për të tjerët, të dalim nga izolimi dhe ta ndajmë jetën me ta. Françesku i bën të tijat fjalët e don Giussani-t në librin "Përmes shoqërisë së besimtarëve", ku shkruan se "natyra e vërtetë e miqësisë është ta jetosh lirisht së bashku" edhe fatin e tjetrit, duke e konsideruar si tëndin, pa menduar për përfitime.
Vëllezër në Krishtin
Në mesazh, Françesku thekson se "dashuria për tjetrin na shtyn të kërkojmë më të mirën për jetën e tij" dhe se "vetëm duke kultivuar këto lloj marrëdhëniesh do të bëjmë të mundur miqësinë shoqërore, që nuk përjashton askënd”. Kjo miqësi, për Papën, është e vetmja mundësi, që i ndihmon njerëzit edhe në “situatat më dramatike, edhe përballë luftës". Prandaj, Ati i Shenjtë e nxit Takimin për Miqësinë ndërmjet Popujve të mos i mungojë kurrë gatishmëria për një miqësi të tillë, e vetmja e bazuar në Krishtin e në Kishën, në mënyrë që të vlerësohet “e mira, që secili mund të sjellë në jetën e të gjithëve”.
Të promovohet kultura e takimit
Së fundi, Françesku vë në dukje se baza e miqësisë shoqërore është përvoja jetësore, që na bën të takohemi me njerëz, tradita, kultura e fe të ndryshme. Kur e lejojmë tjetrin të hyjë në jetën tonë, krijojmë premisat për miqësinë me të e kontribuojmë në kulturën e takimit. Ky është edhe synimi kryesor i Takimit të Riminit, përfundon Papa, i cili i këshillon pjesëmarrësit të shohin tek të tjerët pasqyrimin e Atit Qiellor, “që u jep të gjithëve jetën dhe frymëmarrjen çdo gjëje”. "Secili – shpreson Françesku - të mësojë t'u afrohet të tjerëve sipas mënyrës së Jezu Krishtit".