Kërko

Protestat e të krishterëve Protestat e të krishterëve

Papa: të mos përdoret emri i Zotit për të justifikuar dhunën, terrorizmin, shtypjen

Me rastin e Ditës së sotme ndërkombëtare në përkujtim të viktimave të dhunës së bazuar mbi fenë, themeluar nga OKB-ja, Papa Françesku, në një tweet, bën thirrje t'i jepet fund shfrytëzimit të "feve për të nxitur urrejtje, dhunë, ekstremizëm dhe fanatizëm". Sipas raporteve të disa OJQ-ve, të krishterët janë bashkësia fetare më e persekutuar në botë

R.SH. – Vatikan

“E përsëris thirrjen që të ndalet instrumentalizimi i feve për të nxitur urrejtjen, dhunën, ekstremizmin e fanatizmin dhe emri i Zotit të mos përdoret për të justifikuar aktet e vrasjeve, të përzënies nga shtëpitë, të terrorizmit, ose të shtypjes". Kështu shkruan sot Papa Françesku në Twitter, duke marrë fjalë nga Dokumenti për Vëllazërimin Njerëzor, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të viktimave të akteve të dhunës bazuar mbi fenë e besimin, që kremtohet më 22 gusht. Një ditë, në të cilën, sipas organizatës jofitimprurëse Porta të Hapura/Open Doors, është "e pamundur të mos përmendet shtimi i dhunës kundër të krishterëve", ushtruar në shumë vende ku ata janë pakicë. Ndërsa, sipas një raporti të Qendrës Kërkimore Pew në SHBA, të krishterët janë bashkësia fetare më e persekutuar në botë, për shkak të besimit.

Dhuna kundër të krishterëve në Bangladesh dhe Indi

Në deklaratën e organizatës saktësohet se rritja e akteve të dhunshme kundër pakicave të krishtera, për shkak të fesë, është veçanërisht e dukshme në Indi (Manipur), Pakistan (Punjab), Nigeri, Kamerun, Bangladesh. Janë raportuar episode të shumta, si ai që i ka ndodhur më 17 maj një djali 8-vjeçar nga Daka e Bangladeshit, shtruar në spital me djegie të rënda, pasi fqinjët i hodhën ujë të valë. Prindërit e tij janë ish-myslimanë, të kthyer në krishterim. Në shtetin Manipur, në Indinë veri-lindore, përleshjet kanë vijuar për gati tre muaj, për shkak të tensioneve ndërmjet grupit etnik Meitei, kryesisht hinduistë dhe pakicës Kuki-Zomi, kryesisht të krishterë. Tensionet, që kanë shkaktuar dhjetëra viktima, sipas deklaratës, janë keqësuar, pasi qeveria pro-hinduiste e Manipurit vendosi të japë toka dhe privilegje shtesë për etninë Meitei, duke i detyruar të krishterët e etnisë Kuki të largohen nga vendi. Në korrik, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë urgjente për këtë situatë, duke i kërkuar qeverisë indiane të marrë masat e nevojshme "për t'i dhënë fund menjëherë dhunës së vazhdueshme etnike dhe fetare".

Terrorizmi i Boko Haramit në Afrikë

Në Afrikë, Nigeria ka numrin më të madh të të krishterëve të vrarë për besimin e tyre: në vitin 2023, janë dokumentuar së paku 5014 raste. "Dhuna, e ushtruar kryesisht nga grupet militante islamike, - raporton organizata Open Doors - është përhapur prej kohësh në gjithë kontinentin, duke filluar nga rajoni i Sahelit dhe i liqenit Çad, nën terrorin e Boko Haramit, si edhe nga bregu lindor i Afrikës deri në Mozambik. Edhe Kameruni, me shumicë të krishterë (mbi 60%), vuan prej vitesh nga sulmet brutale të xhihadistëve të Boko Haramit kundër fshatrave të krishtera të veriut”. Këtu, në zonat malore, “të krishterët largohen nga fshatrat e tyre çdo mbrëmje, për t'u fshehur në pyll e në male, ku kalojnë natën. Njerëzit jetojnë në pasiguri të vazhdueshme ". Në këtë situatë, të krishterët e kanë të vështirë të mblidhen, edhe për shkak të rrënimit të objekteve të kultit. U duhet ta jetojnë vetëm dhe shpesh, në  fshehtësi, fenë e tyre.

Të shumta, format e dhunës dhe të abuzimit

Sulmet e dhunshme kundër të krishterëve, vazhdon teksti, nuk cënojnë vetëm jetën e viktimës, por mund të marrin forma të ndryshme dhune fizike a materiale. Përveç njerëzve të vrarë dhe të plagosur, ka pasur sulme kundër kishave dhe ndërtesave të tjera si shkollat ​​dhe klinikat. Kishat mbyllen, të krishterët arrestohen e dënohen, duke u izoluar në burgje, ose në kampe pune të detyruar. “Rrëmbimi, agresionet seksuale, martesat e detyruara, abuzimi fizik dhe psikologjik, zhvendosja, shkatërrimi, ose plaçkitja e shtëpive a dyqaneve janë episode të tjera dhune kundër të krishterëve”, denoncon raporti i organizatës Open Doors.

22 gusht 2023, 14:41