Papa takon një grup viktimash të abuzimit nga kleri, në Lisbonë
R. SH. - Vatican News
Takimi i mbrëmshëm i Papës Françesku me një grup prej 13 personash, viktima të abuzimit nga anëtarët e klerit portugez, zgjati më shumë se një orë dhe u zhvillua "në një atmosferë dëgjimi intensiv". Ngjarja u bë e ditur nga Salla vatikanase e Shtypit, që shpjegoi se takimi – i fundmi i ditës së parë në Portugali - u zhvillua “pas takimeve me institucionet dhe me Kishën” e përfundoi pak pas orës 20.15. Papa e priti grupin në Nunciaturën Apostolike të Lisbonës, streha e tij në këto ditë të Shtegtimit të 42-të apostolik për DBR-në. Viktimat shoqëroheshin edhe nga disa përfaqësues të institucioneve të Kishës portugeze, të ngarkuar me mbrojtjen e të miturve dhe luftën kundër kësaj plage të shëmtuar në kishë. Një nga “shkandujt” që “ia shpërfytyrojnë fytyrën”, të cilin Papa e kujtoi edhe gjatë Mbrëmësores me klerin vendas, në Mosteiro dos Jeronimos.
Raporti i Kishës së Portugalisë
Raporti përfundimtar i Komisionit të Pavarur (CI) për studimin e abuzimit seksual të të miturve në Kishën Katolike në Portugali, publikuar në Lisbonë shkurtin e kaluar, vërtetoi 512 dëshmi, nga 564 gjithsej, lidhur me raste që ndodhën ndërmjet viteve 1950 dhe 2022. Raporti u botua nga Këshilli i Përhershëm i Konferencës së Ipeshkvijve Portugezë (CEP) gjatë një takimi në internet, në dhjetor 2022. Në të njëjtin rast, u dha lajmi për një asamble të jashtëzakonshme të ipeshkvijve të Vendit iberik, më 3 mars 2023, kohë për të analizuar studimin e Komisionit të Pavarur për shpërdorimet.
Plenare në Fatima
Në Asamblenë, mbajtur në Fatima, prelatët u zotuan t’i "dyfishojnë përpjekjet" në luftën kundër këtyre krimeve brenda Kishës. Për këtë, ipeshkvi José Ornelas, kryetar i CEP, njoftoi se do të ishin të pranishëm përfaqësuesit e dioqezave dhe të institucioneve të ndryshme fetare, së bashku me ipeshkvijtë dioqezanë dhe eprorët kryesorë. Konferenca e Ipeshkvijve Portugezë siguroi, më pas, mbështetje "shpirtërore, psikologjike dhe psikiatrike" për viktimat e abuzimit seksual në "strukturat ekzistuese" në Kishë dhe njoftoi, në një deklaratë, se ipeshkvijtë do të jepnin një "shenjë të dukshme" të angazhimit të tyre në ndihmë të viktimave, duke organizuar "një memorial gjatë Ditës Botërore të Rinisë".
Një Këshill i Përhershëm i CEP u mblodh përsëri në Fatima, në gjysmën e prillit të kaluar, për të riafirmuar angazhimet e marra nga Kisha, në mënyrë që "sjelljet dhe qëndrimet e së kaluarës të mos përsëriten kurrë më". Më 20 prill u mbajt një ditë kombëtare lutjeje për viktimat e shpërdorimit seksual, shpërdorimit të pushtetit dhe shpërdorimit të ndërgjegjes në Kishë; Ipeshkvijtë njoftuan se do të krijohej edhe një grup, për shoqërimin e viktimave të abuzimit, i kryesuar nga psikologia Rute Agulhas.