Kërko

Ukraina Ukraina

Papa: t'ia besojmë Edith Stein Ukrainën, që t’i rikthehet paqja

Në fund të audiencës së përgjithshme, Françesku iu lut Shën Terezës Benedikta e Kryqit, bashkëpajtore e Evropës, të ndërmjetësojë për popullsinë e Ukrainës, vendit të martirizuar: "Dëshmia juaj nxitët angazhimin kundër çdo forme të dhunës dhe të diskriminimit". Thirrje edhe për besimtarët polakë, në shtegtim nëpër shenjtëroret mariane: "Kërkojini Zonjës dhuratën e paçmuar të paqes, veçanërisht për Ukrainën e dashur". Përshëndetje pjesëmarrësve të samitit në Brazil, për Amazonën

R.SH. - Vatikan

“E kërkoj prej Saj, prej Shën Terezës Benedikta e Kryqit, dhuratën e Paqes për Evropën, bashkëpajtore e së cilës është. E ndërmjetësimit të saj ia besoj popullatën e martirizuar të Ukrainës, që ta rigjejë së shpejti paqen e humbur” - këtë theksoi Papa Françesku në përfundim të audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, duke kujtuar Edith Stein, murgeshë karmelitane, viktimë e Shoah, të cilën Kisha e kremton sot, 9 gusht:

“Dëshmia e saj nxitët angazhimin në favor të dialogut dhe vëllazërisë ndërmjet popujve dhe kundër të gjitha formave të dhunës e të diskriminimit”.

Ndërmjetësimi i Edith Stein

Filozofja me origjinë hebraike, që u kthye krejt e re në fenë e krishterë e më pas hyri në Urdhrin e Karmelitaneve të Zbathura, u kap së bashku me motrën e saj në manastirin Echt, në Hollandë, dhe u internua në kampin e përqendrimit të Aushvicit. Atje vdiq në një dhomë gazi, më 9 gusht 1942. Pesëdhjetë e shtatë vjet më vonë, më 1 tetor 1999, Gjon Pali II  e shpalli bashkëpajtore të Evropës për të shpalosur - shpjegoi - "në horizontin e Kontinentit të vjetër, flamurin e respektit, të tolerancës e të mikpritjes"  si edhe "për të formuar një shoqëri vërtet vëllazërore".

E sot, një tjetër Papë, Françesku,  i lutet asaj  që ta ndihmojë për rigjetjen e paqes në një Evropë, e cila duket se e ka humbur rrugën e dialogut dhe të vëllazërisë. E njëjta Evropë së cilës Papa, gjatë katekizmit, kujtoi se ia kishte besuar Zemrës së Papërlyer të Marisë, duke përtërirë kushtimin.

Edith Stein
Edith Stein

Dhurata e paçmuar e paqes

E për paqen, me një mendim të veçantë për Ukrainën, foli Papa edhe gjatë përshëndetjes së besimtarëve polakë të pranishëm në audiencën e përgjithshme. Ndërsa duke iu drejtuar atyre që shtegtojnë këto ditë në Jasna Góra dhe në shenjtëroret e tjera mariane, kujtoi më pas fjalët e tij në në lutjen e Engjëllit, me të cilën mbyllte Takimin e Rinisë në Lisbonë - duke ndarë me ta "një dëshirë që ka gjithnjë në zemër, dëshirën për paqe në të gjithë botën”.

“Paraqitjani Asaj, që është Mbretëresha e Paqes! Kërkojani këtë dhuratë të paçmuar, posaçërisht për Ukrainën e dashur dhe të martirizuar”.

Papa gjatë audiencës së përgjithshme
Papa gjatë audiencës së përgjithshme   (Vatican Media)

Përsëriteni angazhimin e kujdesit për Krijimin

Duke e zgjeruar shikimin, mendimi i Ipeshkvit të Romës arriti deri në Brazil, ku në Belém do Para u hap dje, 8 gusht, samiti i vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Bashkëpunimit të Amazonës (OTCA), organizatë e krijuar në vitin 1995 nga Bolivia, Brazili, Kolumbia, Ekuadori, Guajana, Peruja, Surinami dhe Venezuela.

 “Ju siguroj se lutem për suksesin e takimit” - tha Papa Françesku, duke uruar:

“U përtëriftë angazhimi i të gjithëve për kujdesin ndaj krijimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm”.

Samiti në Belem të Brazilit
Samiti në Belem të Brazilit
09 gusht 2023, 12:37