Kërko

Takimi i sipërmarrësve në Francë Takimi i sipërmarrësve në Francë

Papa, sipërmarrësve francezë: punës ia japin vlerën njerëzit, jo makinat

Në një mesazh të Papës Françesku për krerët e ndërmarrjeve e të firmave franceze, që u mblodhën dje e sot në hipodromin Longchamp në Paris, Ati i Shenjtë e përvijon figurën e liderit ekonomik si “protagonist të së mirës së përbashkët dhe pasardhës të Shën Jozefit punëtor”, duke nënvizuar vlerën e punës si faktor dinjiteti

R.SH. – Vatikan

"Kur mendoj për sipërmarrësit, fjala e parë që më vjen në mendje është e mira e përbashkët. Sipërmarrësit janë protagonistë të zhvillimit dhe të mirëqenies. Ju jeni motor thelbësor për pasurinë, përparimin dhe lumturinë publike": kështu u shkruan Papa Françesku krerëve të ndërmarrjeve e të firmave franceze, mbledhur dje e sot në Longchamp të Parisit. Në mesazhin e lexuar nga kryeipeshkvi i Nanterres, imzot Matthieu Rougé, Papa vë në dukje mungesën e vëmendjes së mediave për “vështirësitë dhe dhimbjen e sipërmarrësve, që i mbyllin kompanitë dhe falimentojnë pa faj”. Françesku përmend Librin e Jobit, i cili na mëson se suksesi "nuk është sinonim i drejtpërdrejtë i virtytit dhe i mirësisë", ashtu si edhe fatkeqësia "nuk është sinonim i fajit", që godet “edhe të drejtët".

Bibla është plot me çështje ekonomike

Ndërsa Kisha e kupton vuajtjen e sipërmarrësit të mirë, e shoqëron dhe e falënderon atë, shkruan Françesku, duke kujtuar se ajo i ka mirëpritur gjithnjë “tregtarët, pararendësit e sipërmarrësve modernë”. “Në Bibël dhe në Ungjij – vazhdon Papa – shpesh flitet për para dhe tregti e, ndër tregimet më të bukura në historinë e shëlbimit ka edhe ngjarje, që flasin për ekonominë: për dhrahmi, për talente, për pronarë tokash, për administratorë dhe perla të çmuara”. Ati i Shenjtë përmend babanë e djalit plangprishës në Ungjillin sipas Lukës, paraqitur si i pasur, ndoshta, pronar tokash, por edhe Samaritanin e Mirë, "i cili mund të ketë qenë tregtar". Sipas Françeskut, sot, mënyra për të kontribuar në të mirën e përbashkët është krijimi i vendeve të punës, veçanërisht për të rinjtë. “Besoni në të rinjtë – i nxit Papa sipërmarrësit francezë – çdo vënd i ri pune është pasuri e përbashkët, e cila nuk përfundon në banka për interesat e tyre financiare, por investohet në mënyrë që njerëz të tjerë të punojnë dhe ta bëjnë jetën e tyre më dinjitoze”.

“Njeriu e fisnikëron punën”

“Puna është natyrisht e rëndësishme”, vijon Papa e, “nëse është e vërtetë që puna e fisnikëron njeriun, është edhe më e vërtetë se është njeriu ai, që e fisnikëron punën. Jemi ne, jo makinat, vlera e vërtetë e punës”. Françesku nënvizon më pas ç’rrezikon një sipërmarrës kur nuk punon më personalisht. "Atëherë, bëhet spekulator, ose jeton vetëm nga të ardhurat".

Sipërmarrës, punëtorë, Fjala u bë zdrukthëtar

“Sipërmarrësi i mirë, si bariu i mirë i Ungjillit, ndryshe nga mercenari, i njeh punëtorët e tij, sepse ua njeh punën”, vijon mesazhi, që vë në pah shqetësimin e Papës për humbjen e mundshme të kontaktit të sipërmarrësit me punën e firmës së tij e, për rrjedhojë, edhe me punëtorët, të cilët bëhen "të padukshëm", siç thotë ekonomisti francez Pierre-Yves Gomez, i cituar nga Françesku. Ati i Shenjtë u bën thirrje sipërmarrësve të mos harrojnë kurrë si lindi vokacioni i tyre: “Një ditë të bukur, u magjepsët nga era e ofiçinës, nga gëzimi i prekjes së produkteve me dorë, nga kënaqësia kur shikonit se shërbimet tuaja ishin të dobishme. Ju jeni si shën Jozefi, si Jezusi, që e kaloi një pjesë të jetës duke punuar si zejtar: 'Fjala u bë zdrukthëtar', sepse e njihte erën e drurit". "Pa sipërmarrës të rinj – paralajmëron Papa - toka jonë nuk do ta përballojë ndikimin e kapitalizmit. Deri tani, ju keni bërë diçka e disa prej jush kanë bërë shumë: por nuk mjafton”, përfundon Françesku, i cili nxit për më tepër impenjim gjatë këtyre kohëve të vështira, që po kalon bota: “Fëmijët do t'ju falënderojnë, po ashtu edhe unë”.

29 gusht 2023, 12:45