Kërko

Papa rrëfen disa të rinj në Kopshtin Vasco da Gama të Lisbonës

Veprimtaria e parë e ditës së sotme, e treta e pranisë së Papës Françesku në Portugali, ku ndodhet në shtegtimin e tij të 42-të apostolik ndërkombëtar, ishte rrëfimi i dhjetë të rinjve në Kopshtin Vasco da Gama të Lisbonës. Ati i Shenjtë shkoi më pas në Centro Social Paroquial Sao Vicente de Paulo për të takuar përfaqësuesit e disa qendrave të ndihmës dhe të bamirësisë. Në mbrëmje, Udha e Kryqit me të rinjtë e Ditës së 37-të Botërore të Rinisë

R.SH. – Vatikan

Papa Françesku shkoi sot në mëngjes në Kopshtin Vasco da Gama, në Lisbonë, ku rrëfeu dhjetë të rinj. 150 rrëfyes ishin sot në dispozicion të të rinjve të Ditës së 37-të Botërore të Rinisë, në rrëfyestoret e realizuara nga të burgosurit e burgut Pasos de Ferreira.

Kujtojmë se Parku ndodhet para të famshmit Mosteiro dos Jerónimos, porositur nga mbreti Manuel I për të kremtuar kthimin e lundërtarit portugez Vasco da Gama, pas zbulimit të rrugës për në Indi, si edhe pranë Kullës së Belém. Të dyja këto monumente, së bashku me atë kushtuar zbulimeve kremtojnë një periudhë të rëndësishme historike për kombin portugez dhe janë pika të njohura turistike në Lisbonë. Pikërisht në Manastirin dos Jerónimos u nënshkrua, më 13 dhjetor 2007, Traktati i Lisbonës, që reformon Traktatet mbi të cilat bazohet Bashkimi Evropian.

Kjo ishte edhe veprimtaria e parë e ditës së sotme, e treta e pranisë së Papës në Portugali, ku ndodhet në shtegtimin e tij të 42-të apostolik ndërkombëtar. Ati i Shenjtë shkoi më pas në Centro Social Paroquial Sao Vicente de Paulo për të takuar përfaqësuesit e disa qendrave të ndihmës dhe të bamirësisë: Centro Paroquial da Serafina, Shtëpia Familje Ajuda de Berco dhe Shoqata Acreditar.

Në Centro Social Paroquial Sao Vicente de Paulo shërbejnë 170 vetë, të cilët administrojnë një çerdhe e një kopsht fëmijësh, organizojnë veprimtari për kohën e lirë të fëmijëve dhe të adoleshentëve, mbajnë një shtëpi për të moshuarit, një qendër ditore për ta dhe për njerëzit me aftësi të kufizuara, si edhe ndihmojnë nevojtarët nëpër shtëpi.

Pasi të drekojë me dhjetë të rinj me kombësi të ndryshme, në nunciaturën apostolike, në praninë e Patriarkut të Lisbonës, kardinalit Manuel José Macário do Nascimento Clemente, në mbrëmje, Ati i Shenjtë do të marrë pjesë në kremtimin e Udhës së Kryqit me të rinjtë e DBR-së, me të cilët do të reflektojë mbi kryqin e Krishtit e rëndësinë e flijimit të Birit të Zotit për njerëzimin.

04 gusht 2023, 11:41