Françesku: po shkruaj pjesën e dytë të enciklikës Laudato Si'
R.SH. / Vatikan
"Po shkruaj një pjesë të dytë të letrës enciklike Laudato Si', për të pasqyruar në të problemet aktuale". Këtë bëri të ditur Papa Françesku, duke folur jashtë tekstit të fjalimit të përgatitur, nësa priste, në Vatikan, një grup avokatësh nga vendet anëtare të Këshillit të Evropës, nënshkrues të Thirrjes së Vjenës.
"Laudato si'" është enciklika e dytë e shkruar nga Papa Françesku gjatë papnisë së tij. Teksti u botua më 18 qershor 2015. Emrin e mori nga vargu i parë i Këngës së Krijesave të Shën Françeskut, ndërsa lajtmotivi është mbrojtja e mjedisit si çast i nevojshëm i drejtësisë sociale:
“Jam i ndjeshëm ndaj kujdesit që i kushtoni shtëpisë sonë të përbashkët dhe angazhimit tuaj për të marrë pjesë në përpunimin e një kuadri rregullator në favor të mbrojtjes së mjedisit”, ishin fjalët e shqiptuara nga Papa:
“Nuk duhet të harrojmë kurrë se brezat e rinj kanë te drejtën te marrin nga ne një botë të bukur dhe të banueshme. E kjo na ngarkon me detyra te rënda ndaj krijimit, që e morëm nga duart bujare të Zotit. Faleminderit për këtë kontribut. Po e shkruaj pjesën e dytë te “Laudato Si'”, për të pasqyruar në të edhe problemet aktuale”.