Papa lëvizjes Përtëritja në Shpirtin Shenjt: “vazhdoni rrugën me frymën e risisë”
R.SH. / Vatikan
Papa Françesku priti sot paradite në një audiencë private , në Vatikan, kryetarin e lëvizjes kishtare italiane “Përtëritja në Shpirtin Shenjt” (‘Rinnovamento nello Spirito Santo’ RnS), Giuseppe Contaldo, i cili e falënderoi Atin e Shenjtë për “dëshminë e mrekulllushme të fesë, të shpresës e të bamirësisë”.
Takimi, njofton një deklaratë për shtyp nga ‘Rinnovamento nello Spirito Santo’, u zhvillua në bibliotekën private të Pallatit Apostolik të Vatikanit dhe "u karakterizua nga fryma e vëllazërimit". Gjatë bisedës, Papa bekoi kryesinë e re RnS-së që sapo ka nisur veprimtarinë, duke i kërkuar Lëvizjes "të vazhdojë rrugën me frymën e freskisë e të risisë së Shpirtit, e duke e çuar përvojën karizmatike në zanafillën e saj nëpërmjet përhapjes së fesë në gjirin e popullin e Zotit ”.
Papa Françesku i siguroi të pranishmit se do të kenë "mbështetje dhe afërsi shpirtërore në çdo hap të ardhshëm të Përtëritjes në Shpirtin Shenjt", thekson shënimi RnS.
Mirënjohje të thellë" dhe "gëzim të pakrahasueshëm" shprehu Contaldo në përfundim të audiencës për fjalët e Atit të Shenjtë, që tingëlluan si "inkurajim i jashtëzakonshëm për t'i shërbyer edhe më shumë Zotit dhe Kishës së Tij".
Kreu i lëvizes kishtare ‘Rinnovamento nello Spirito Santo’ e falënderoi më pas Papën "edhe për dëshminë e mrekullueshme të fesë, bamirësisë dhe të bujarisë që i ofron Kishës Shenjte dhe të gjithë njerëzve, e sidomos, për fjalët e çmuara, të buta, të ëmbla dhe gazmore, që na pasurojnë çdo ditë. Si fjalë ati, fjalët e Tuaja – kujtoi - na mësojnë, na prijnë, na nxisin gjithnjë e më shumë të ndjekim Jezu Krishtin, Mikun tonë! Stili sinodal, të cilin ju po e tregoni si rrugë për të gjithë Kishën, do të jetë mënyra konkrete që do të frymëzojë përgjegjësinë time në këtë mandat - vijoi Contaldo - E mirëprita këtë bisedë me “Pjetrin” jo vetëm si privilegj, por edhe si “ledhatim i Shpirtit Shenjt”, në mënyrë që ky angazhim i përfaqësimit dhe kryesimit të organeve kolegjiale që drejtojnë RNS të mund të ushtrohet në mënyrë të përshtatshme në këtë kohë historike. E jam i bindur se seanca e sotme do të jetë një tjetër çast historik në rrugën e Lëvizjes”.
“Tre, treguesit, nëpërmjet të cilëve, të mbështetur nga ju, mund të vazhdojmë ecjen në të ardhmen - vazhdoi Contaldo duke iu drejtuar Papës Françesku: rruga e qartë e jetës së re pas përvojës së Pagëzimit në Shpirtin Shenjt në çdo Çenakull, Grup, Bashkësi; projekt formues unitar në mbështetje të jetës vëllazërore, pjekuri kishtare, që të nxit të integrohesh në jetën e dioqezave tona, duke vënë jetën karizmatike në shërbim të gjithë trupit kishtar dhe të historisë me 'Kulturën e Rrëshajëve'". Kryetari i RnS përfundoi duke e siguruar Papën "për besnikërinë", "dashurinë" dhe "bindjen e të gjithë pjesëmarrësve të Përtëritjes Shpirtërore, që e ndjenë afërsinë e tij, vëmendjen e tij, dashurinë e tij të sinqertë".
Dy fjalë, për “Përtëritjen në Shpirtin Shenjt”
Përtëritja në Shpirtin Shenjt (RnS) është shoqatë katolike laike, që i përket lëvizjes kishtare të lidhur me përshpirtërinë e Përtëritjes Karizmatike. Përtëritja Karizmatike në Kishën Katolike lindi në Pittsburg (SHBA) në vitin 1967 dhe prej andej u përhap në mbarë botën, duke mbërritur edhe në Itali e në Shqipëri.
Përshpirtëria e lëvizjes mbështetet në teologjinë e krishterë pneumatike, e cila përshkruan Shpirtin Shenjt dhe veprimin e tij në histori duke propozuar risimin - për ta bërë të re, origjinale jetën e krishterë. Nisur nga episodi ungjillor i Rrëshajëve, sipas të cilit Shpirti Shenjt zbriti mbi dishepujt dhe ndjekësit e Jezusit, duke u dhënë atyre karizma të veçanta, që do t'i bënin të aftë për të kryer veprime të jashtëzakonshme, sipas rolit të tyre në ungjillëzimin e njerëzve.