Kërko

Papa përqafon të rinjtë e DBR-së:"Zoti ju do dhe ju thërret me emër"

Françesku u takua me të rinjtë, që marrin pjesë në Ditën Botërore të Rinisë, në Lisbonë, në “Parkun Eduardi VII” në ceremoninë e pritjes. U kërkoi dy gjëra: së pari, ta thërrasin njëri-tjetrin me emër, duke u bërë të vetëdijshëm se Zoti i do e se janë të çmuar për Të; së dyti, t’i bëjnë pyetje Jezu Krishtit, që i pret, pra, të ndihen gjithnjë të lidhur me Të. Kjo do të thotë të jenë të lidhur me dashurinë e vërtetë, që do t’ua shtojë gëzimin, nënvizoi Papa.

R.SH. – Vatican News

Sot pasdite, 3 gusht, Papa Françesku u prit nga rreth 500 mijë të rinj në Parque Eduardo VII në Lisbonë, ku u mbajt ceremonia e mikpritjes së të rinjve të ardhur nga vendet e ndryshme të botës për Ditën e 37-të Botërore të Rinisë. Në fjalën drejtuar të rinjve Papa ripohoi se "Zoti na do të gjithëve ashtu siç jemi ".

Ngjarja, pra, e shumëpritur e ditës së dytë të shtegtimit të Papës në Lisbonë, mbajtur sot në ora 17.45, në Pakun Eduardi VII, në Lisbonë, ceremonia e pritjes së të rinjve të ardhur nga vendet e ndryshme të botës, për Ditën e 37/të Botërore të Rinisë, ndër ta, sot mbërritën edhe 180 të rinjtë nga Kisha katolike e Shqipërisë, së bashku me dy ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë, rregulltare e edukatorë.

Sikur kemi kujtuar edhe më parë, Papa Françesku ndodhet në Lisbonë që dje, por vetëm sot pasdite u takua me të rinjtë, në “Parkun Eduardi VII” në ceremoninë e pritjes të të gjithë atyre që marrin pjesë në Ditën e 37/të Botërore të Rinisë, pas një sërë takimesh që pati me autoritetet e vendit, me klerin dhe të rinjtë portugezë universitarë, në kuadrin e udhëtimit të tij të 42-të ndërkombëtar, që përfshin si pjesëmarrjen në ngjarjen rinore botërore, ashtu edhe shtegtimin apostolik në Portugali, gjatë të cilit Papa shkoi sot në Cascais për takimin me të rinjtë e Scholas Ocurrentes e do të shkojë edhe tek Zoja e Fatimës, të shtunën, më 5 gusht.

Të rinjtë i uruan Atit të Shenjtë Bergoglio mirëseardhjen në DBR-në e Lisbonës, në Parkun e madh Eduardi VII, që e merr emrin nga mbreti i Anglisë, i cili e vizitoi kryeqytetin portugez në vitin 1903.

Duke u thënë të rinjve se i ka ftuar personalisht në këtë Ditë Botërore, por sidomos i ka ftuar Zoti, sepse i do fort, Papa Françesku u kërkoi atyre dy gjëra: së pari, ta thërrasin njëri-tjetrin me emër, duke u bërë të vetëdijshëm se Zoti i do e se janë të çmuar për Të; së dyti, t’i bëjnë pyetje Jezu Krishtit, që i pret, pra, të ndihen gjithnjë të lidhur me Të. Kjo do të thotë të jenë të lidhur me dashurinë e vërtetë, që do t’ua shtojë gëzimin, nënvizoi Papa. Këto ditë, uroi Ati i Shenjtë për çdo të ri, qofshin jehonë e gjallë e thirrjes së dashurisë së Zotit.

Qofshin ditë, në të cilat emri yt, përmes vëllezërve e motrave të shumë gjuhëve e kombeve, që e shqiptojnë me miqësi, të tingëllojë si lajm unik në histori, sepse unike është rrahja e zemrës së Zotit për ty. Qofshin ditë, në të cilat ta ngulisim në zemër se duhemi ashtu siç jemi. Kjo është pikënisja e DBR-së, por sidomos ajo e jetës”.

Për Zotin nuk jemi një emër në rrjetet shoqërore

 Papa vuri në dukje se Hyji nuk e trajton emrin tonë ashtu siç bëjnë rrjetet shoqërore. Algoritmet e tyre analizojnë shijet e përparësitë tona për të na propozuar sende tregu për konsum. Janë ujqër, që fshihen pas buzëqeshjeve, denoncoi Françesku.

Janë iluzione të botës virtuale e duhet të kemi kujdes që të mos na mashtrojnë, sepse shumë realitete, të cilat na tërheqin e na premtojnë lumturi, e tregojnë më pas veten ashtu siç janë: të kota, sipërfaqësore, surrogate, që na lën bosh përbrenda. Jezusi jo: Ai ka besim tek ti, për Të ti je i rëndësishëm”.

Kisha, bashkësi të thirrurish

E kështu, vijoi arsyetimin Papa, Kisha, e cila është e Jezu Krishtit, është bashkësi të thirrurish prej Tij. Nuk jemi më të mirët, nënvizoi Françesku, por bashkësi vëllezërish e motrash të Jezusit, bij e bija të të njëjtit Atë.

Sepse Kisha është e duhet të jetë gjithnjë e më shumë ajo shtëpi, ku dëgjohet jehona e thirrjes me emër, që Zoti i bën secilit. Zoti nuk kritikon, por hap krahët, si Jezusi në kryq. Ai nuk na e mbyll derën, por na fton të hyjmë; nuk mban distanca, por na mirëpret”.

Bëjini pyetje Zotit

Duke pasur parasysh pyetjet, që të rinjtë i bënë Atit të Shenjtë, edhe në letrat që i kanë dërguar më parë, Papa i nxiti të jenë të shqetë, duke u larguar nga rutina, që e anestetizon shpirtin. Pyetjet, u tha atyre, drejtojani Jezusit. Vetëm kështu do të përjetoni atë kthesë shpirtërore, që ndodh kur njeriu lutet me të vërtetë.

Ndodh që, në dialogun e lutjes, Zoti të befason: ti bën pyetje e Ai nuk të jep përgjigje të thjeshta, sepse nuk është motor kërkimi në internet, por Mik i vërtetë… ti i kërkon gjithçka ke nevojë e fillon të ndiesh në shpirt pyetje të tjera, të tijat, që prekin nervin e zbuluar të shpirtit e nxisin drejt së mirës”.

Sekreti: të jeni të lidhur me Zotin

 Mund të keni frikë, ndoshta, ndiheni të paaftë, ose nuk keni besim në këtë rrugë, vijoi Papa, por Zoti i merr mbi vete problemet tona e bën mrekulli, ashtu siç bëri me Abrahamin e moshuar, me Moisiun që belbëzonte e kishte frikë të fliste, me Pjetrin impulsiv që gabonte shpesh e me Palin, që persekutonte të krishterët. Sekreti është, u tha Françesku të rinjve, “të jeni gjithnjë të lidhur me Zotin”, edhe kur nuk është e lehtë. DBR-ja shërben edhe për këtë, pasi të rinjtë mblidhen së bashku për ta ndihmuar njëri-tjetrin që t’i qëndrojnë gjithnjë besnikë thirrjes së Hyjit. Ati i Shenjtë i këshilloi ta bëjnë këtë me ndihmën e Nënës së Zotit, Marisë, siç e kërkon edhe motoja e takimit rinor të sivjetëm në Lisbonë. “Ajo pati guximin të hyjë në udhët e Fjalës së Zotit e kështu, solli shpresë e gëzim në botë. Ajo na mëson si të ecim në jetë”, përfundoi Papa Françesku takimin e mirëseardhjes me të rinjtë e DBR-së portugeze.

03 gusht 2023, 20:41