Papa, për Gjeorgjinë dhe Slloveninë prekur nga gjëmët e natyrës
R.SH. - Vatikan
Papa Françesku nuk harroi, në përshëndetjet e tij në gjuhë të ndryshme në fund të audiencës së përgjithshme, t'i drejtonte një mendim popullatës së Sllovenisë dhe Gjeorgjisë, viktima të fatkeqësive natyrore, që shkaktuan vdekje, dëmtime të rënda dhe njerëz të zhdukur.
“Ditët e fundit, në Slloveni dhe Gjeorgji ndodhën ngjarje dramatike natyrore, që shkaktuan vdekje dhe shkatërrime materiale. Lutem për viktimat dhe shpreh afërsinë time shpirtërore me familjet dhe të gjithë ata që vuajnë për këtë…”.
Papa i inkurajoi edhe ata, që përpiqen të japin ndihmesën e tyre gjatë këtyre orëve.
Rrëshqitja e dheut në Gjeorgji
Edhe në përfundim të lutjes së Engjëllit të DBR-së në Lisbonë, të dielën e kaluar, më 6 gusht, Papa premtoi se do të lutej për viktimat e "ortekut tragjik" që ndodhi ditët e fundit në rajonin e Raçës, në Gjeorgji. Rrëshqitja e dheut goditi një zonë turistike malore, në veriperëndim të Shovit, dy ditë më parë, 140 km larg kryeqytetit Tbilisi. Të paktën 18, vdekjet e konfirmuara, ndërsa 16 vetë të tjerë, ende të zhdukur, duke përfshirë edhe disa fëmijë. Mbi 400 zjarrfikës, policë dhe vullnetarë, u angazhuan në operacionet e shpëtimit.
Përmbytjet në Slloveni
Në Slloveni përmbytjet intensive dëmtuan rëndë disa qytete gjatë orëve të fundit. Në 24 orë ra aq shi, sa bie gjatë një muaji, duke shkaktuar vdekje dhe dëme të vlerësuara mbi 500 milionë euro. Shirat e dendura ndërprenë rrugë dhe ura, mbuluan shumë ndërtesa e lanë dhjetëra mijëra shtëpi pa energji elektrike. Një rrënim që me të drejtë u quajt "gjëma më e rëndë natyrore" në vendin e Evropës Lindore.