Kërko

iuti umanitari per le vittime del del terremoto in turchia e cipro iuti umanitari per le vittime del del terremoto in turchia e cipro  (ANSA)

Papa: pakësoni shpenzimet ushtarake e shndërrojini në ndihma humanitare

Në Ditën Botërore të Ndihmës Humanitare, në një tweet, në faqen e tij të internetit @Pontifex, Papa bën përsëri thirrje të ulen armët për të inkurajuar kulturën në favor të mbështetjes të më nevojtarëve, aktualisht mbi 130 milionë, për shkak të luftërave ose fatkeqësive natyrore. Numri i incidenteve pësuar nga veprimtarët në mbarë botën është trefishuar që nga viti 2003, me një mesatare vjetore prej rreth 450 të vrarë, të plagosur ose të rrëmbyer.

R. SH. - Vatikan

Në një tweet, në faqen e tij të internetit @Pontifex, publikuar sot, 19 gusht, me rastin e Ditës Botërore të Ndihmës Humanitare, kumbon thirrja që është një nga lajtmotivet e magjisterit të Papës Françesku: thirrja për paqe, që kërkon përpjekje dhe përfshirje shoqërore dhe zhvendosjen e 'biznesit kryesor' të institucioneve ndërkombëtare nga armët, në nevojat urgjente të popujve që kalojnë çaste shumë të vështira.

“Është përgjegjësia jonë të ndihmojmë në çrrënjosjen e urrejtjes dhe dhunës nga zemrat. Ju inkurajojmë t’i ulni armët e të reduktoni shpenzimet ushtarake, për të siguruar nevojat humanitare e për t’i shndërruar mjetet e vdekjes në mjete jete".

# No MatterWhat, "Çfarëdo që të ndodhë"

Ushqimi, uji, strehimi, edukimi, shëndeti, mbrojtja... Këtë ofrojnë organizatat humanitare në shumicën e situatave ku njeriu përjeton brishtësi, rrezik, mjerim. Dita Botërore Humanitare - e themeluar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2008 - ka haraç për t’i larë guximit dhe përkushtimit të punëtorëve humanitarë në mbarë botën. “Nuk ka rëndësi se kush, nuk ka rëndësi se ku, nuk ka rëndësi se çfarë”, është slogani i zgjedhur këtë vit, siç thuhet në kanalin që i kushtohet. Aktualisht janë mbi 130 milionë njerëz në krizë, për shkak të luftës apo fatkeqësive natyrore, të cilët kanë nevojë për ndihmë humanitare. Nuk mungojnë operatorët, përgjithësisht të përgatitur mirë, të frymëzuar nga parimet bazë të humanizmit. Janë njerëz, që me punën e tyre ndërgjegjësojnë publikun për kushtet e civilëve në nivel global, të vetëdijshëm se po përballen me një angazhim gjithnjë e më të rrezikshëm: me numrin e aksidenteve në të cilat janë përfshirë, të trefishuar që nga viti 2003, me një mesatare prej rreth 450 punonjës të ndihmave të vrarë, të plagosur ose të rrëmbyer mesatarisht çdo vit.

Njëzet vjet pas sulmit në hotelin Canal në Bagdad

"Sa luftëra filluan për shkak të arrogancës, indiferencës, mungesës së interesimit për arsyet e të tjerëve?" – pati pyetur Sergio Vieira de Mello, Përfaqësues i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara në Irak, ndërmjet 22 viktimave të sulmit vdekjeprurës në hotelin Canal në Bagdad, në vitin 2003, gjë që e shndërroi në rrënojë selinë e OKB-së në kryeqytetin irakian. Ishte një nga më vdekjeprurësit në historinë e Kombeve të Bashkuara, hera e parë që një organizatë humanitare ndërkombëtare asnjanëse vihej në shënjestër. Ndodhi më 19 gusht, prej këndej dhe vendimi që Dita Botërore të përkojë me një datë simbolike shumë domethënëse. Një datë e cila gjithashtu shënoi një pikë ndërprerjeje në veprimtarinë humanitare. Njëzet vjet më vonë, është mbresëlënëse të vërehet se ai veprim i tmerrshëm terrorist nuk e shoi aspak veprimtarinë e operatorëve, përkundrazi, e mbushi me kuptim. Përceptohet qartë nga dëshmitë e shumta të të mbijetuarve, që tregojnë se si e jetojnë misionin e tyre të qëndrueshmërisë, me rrënjët në territor e bashkëpunimin me njerëzit.

OKB: e papranueshme, të reduktohet ndihma për miliona njerëz

Sot, operacionet humanitare globale arrijnë një zonë dhjetë herë më të madhe se dy dekada më parë, thuhet në mesazhin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, António Guterres. Bëhet fjalë për sjelljen e ndihmave për shpëtimin e jetës të 250 milionë njerëzve, në 69 vende. “Me shumëfishimin e krizave, është e papranueshme që operatorët humanitarë të detyrohen t’i reduktojnë ndihmat për miliona njerëz në nevojë”, denoncon ai, ndërsa vëren se pikërisht në njëzet vitet e fundit, kur tensionet gjeopolitike janë rritur, me fushatat e dezinformimit dhe agresionin e qëllimshëm “përçmohen haptazi ligji ndërkombëtar humanitar dhe të drejtat e njeriut. Vetë humanizmi - nënvizon ai - tani sulmohet haptazi". Në këtë skenar, megjithatë, këto sfida e kanë bërë më të fortë bashkësinë humanitare globale - thekson mesazhi për Ditën. Humanitarët, të cilët janë kryesisht personel kombëtar që punon në vendet e veta, janë edhe më afër njerëzve, të cilëve u shërbejnë. Ata po gjejnë mënyra të reja për të hyrë më thellë në rajonet e goditura nga katastrofa dhe më afër vijës së parë të konfliktit, të shtyrë nga një qëllim i vetëm: për t’i shpëtuar dhe për t’i mbrojtur jetët njerëzore”.

Caritas Internationalis: përgjigje krizave komplekse dhe të zgjatura

"Sot bota jonë përballet nga tre kërcënime kryesore: pabarazia në rritje, shumëfishimi i konflikteve dhe urgjenca klimatike. Punonjësit e ndihmës duhet t'u përgjigjen urgjencave gjithnjë e më komplekse dhe krizave gjithnjë e më të zgjatura" me kalimin e kohës. Ky, komenti i Alistair Dutton, sekretar i përgjithshëm i Caritasit ndërkombëtar. "Punëtorët tanë humanitarë flijojnë sigurinë e tyre, për t'u shërbyer më të cenuarve dhe për t'u garantuar atyre të drejtat e tyre humanitare. Janë të pranishëm para, gjatë dhe shumë kohë pas çdo fatkeqësie" - shkruhet në një deklaratë të organizmit - që vijon të kujtojë se njerëzit, të cilëve u shërbejnë nuk janë thjesht përfitues të ndihmës humanitare, por në qendër të veprimit të Karitasit. "Në vendet e shkatërruara nga lufta si Ukraina apo Siria, punonjësit e ndihmës vazhdojnë veprimtarinë, edhe kur të dashurit e tyre janë vrarë a rrëmbyer, ose kur shtëpitë e tyre janë shkatërruar dhe ata vetë janë zhvendosur. Pas tërmetit në Siri dhe Turqi - vijon Dutton - shumë nga anëtarët e stafit të Caritas Anatolia u detyruan të flinin në makinat e tyre, por ata nuk e ndaluan kurrë shpërndarjen e ndihmave". E megjithatë, vëren me hidhërim sekretari, përkushtimi për fat të keq ndeshet me krizat e shumta dhe shpesh të harruara (si në Etiopi, ku më shumë se 20 milionë njerëz rrezikojnë të vdesin nga uria), me varfërinë ekstreme dhe mungesën e vëmendjes nga bashkësia ndërkombëtare!

19 gusht 2023, 16:55