Papa: të mënjanuarit janë të preferuarit e Zotit, thesari i Kishës
R.SH. / Vatican News
Papa Françesku u takua sot paradite, në kryeqytetin portugez, me përfaqësuesit e disa qendrave dhe shoqatave të bamirësisë dhe ndihmës, duke përfshirë "Centro Paroquial da Serafina", Shtëpinë Familjare "Ajuda de Berço" dhe "Acreditar". Prej tyre historia e dëshmia e një mbështetjeje konkrete që u ofrohet njerëzve më në vështirësi, veçanërisht fëmijëve të vetmuar ose të sëmurë, nëpërmjet veprave që kanë lindur nga dashuria për të afërmin, që i ka rrënjët në Ungjillin e Krishtit. "Misioni ynë është të jemi pranë të gjithëve", tha Papa.
Kisha dhe Qendra Sociale Paroquial São Vicente de Paulo ndodhen në zemër të lagjes periferike dhe problematike Serafina, pranë Bairro Liberdade, në Campolide freguesia, në Lisbonë. Qendra punëson rreth 170 persona të cilët merren, ndër të tjera, me veprimtari të kohës së lirë për fëmijë dhe të rinj, pushim për të moshuarit dhe njerëzit me aftësi të kufizuara si dhe me ndihmesën e tyre në shtëpi.
Famullia kishtare u krijua më 25 mars 1959 nga Kardinali Manuel Gonçalves Cerejeira dhe iu besua Etërve Misionarë të Zojës Ngushëlluese e Shën Antonit de Campolide. Themeluesi i saj dhe famullitari i parë ishte At José Gallea, Epror Rajonal i Misionarëve të Zojës Ngushëlluese. Që në fillim dhe me vullnetin e shprehur të Atë Gallea, famullia iu besua mbrojtjes së Shën Vincent de Paolit dhe motos të jetës së tij "Duaje Zotin në të varfrit". Famullia, besnike ndaj Pajtorit të saj, u shërben vëllezërve, pa dallim race, besimi, ngjyre apo klase shoqërore. Këtu shkoi së pari sot Papa, që u prit nga famullitari, drejtor i qendrës dhe përfaqësues të Centro Paroquial da Serafina, Shtëpia e Familjes Ajuda de Berço dhe Shoqata Acreditar. Pas përshëndetjes, Papa u kujtoi menjëherë moton e takimit rinor, Virgjërën Mari e cila ngrihet dhe shkon për të ndihmuar të afërmen e saj të moshuar, Elizabetën (krh. Lk 1,39).
Tre aspekte
“Në të vërtetë - kujtoi në vijim Papa - bamirësia është origjina dhe qëllimi i rrugëtimit të krishterë, ndërsa prania juaj, realitet konkret i "dashurisë në veprim", na ndihmon të mos harrojmë rrugën, kuptimin e asaj që bëjmë. E më pas nënvizoi tre aspekte themelore, tri porosi të çmuara: bëni mirë së bashku, veproni konkretisht dhe jini pranë më të brishtëve”.
Bëni mirë!
Së pari, porosia: “Bëni mirë së bashku” - kujtoi Papa. “Së bashku” është kryefjala, të cilën e kam dëgjuar të përsëritet shumë herë në ndërhyrjet tuaja:
“Të jetosh, të ndihmosh dhe të duash së bashku: të rinj dhe të vjetër, të shëndetshëm dhe të sëmurë, së bashku, sepse ne nuk jemi sëmundje apo problem: ne jemi, secili prej nesh, dhuratë, dhuratë e çmuar dhe e shenjtë për Zotin, për bashkësinë e krishterë dhe për mbarë bashkësinë njerëzore”.
Veproni konkretisht!
Së dyti - vijoi Ati i Shenjtë - bëni veprime konkrete. Kjo ka shumë rëndësi. Burimi shërben për të shuar etjen e udhëtarëve që mbërrijnë me peshën dhe mundin e rrugëtimit të tyre, ashtu siç janë! Konkretësi, pra, vëmendje "këtu dhe tani", siç bëni tashmë, në detaje dhe sens praktik, virtyte të bukura tipike për popullin portugez. Historia juaj e dëshmon këtë:
“…nga takimi me vështrimin e një të moshuari në rrugë, lind një qendër bamirësie e ‘gjithanëshme’, si kjo ku jemi; nga një sfidë morale dhe sociale, ‘fushata për jetën’, shoqatë që ndihmon nënat dhe familjet në pritje, fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë në vështirësi”.
Pranë më të brishtëve
Aspekti i tretë: të jeni gjithnjë pranë më të brishtëve. Të gjithë jemi të brishtë dhe nevojtarë, por vështrimi i dhembshur i Ungjillit na bën të shohim nevojat e atyre që janë edhe më nevojtarë. Na fton për t'u shërbyer të varfërve, të dashurve të Zotit, që u bë i varfër për ne (shih 2 Kor 8:9): të përjashtuarve, të papranuarve, të vegjëlve, të pambrojturve. Janë thesari i Kishës, të preferuarit e Zotit! E, ndërmjet tyre, të mos harrojmë se nuk duhen bërë dallime!
Bëni mirë, vëllezër!
Duke folur për bamirësinë, Papa nisi të tregojë një histori, veçanërisht për fëmijët, që sigurisht nuk e dinin. Historinë, që i ndodhi realisht një të riu portugez, i cili jetoi shumë kohë më parë.
Ai quhej Giovanni Ciudad - kujtoi Françesku - dhe jetonte në Montemor-o-Novo. Ëndërronte një jetë aventureske dhe kështu, si djalë që ishte, u nis nga shtëpia në kërkim të lumturisë. Dhe e gjeti. Pas shumë vitesh e shumë aventurash. Po kur, thoni ju? Kur takoi Jezusin. Dhe ishte aq i lumtur me zbulimin, saqë vendosi të ndryshojë deri emrin. Nuk e quajti më veten Gjon Ciudad, por Gjoni i Zotit. E më pas bëri edhe një gjë tjetër, më të guximshme: shkoi në qytet dhe filloi të lypte rrugës, duke i ftuar njerëzit: "Bëni mirë, vëllezër. Bëni mirë vetes". Domethënë, shpjegoi se gjestet e dashurisë janë mbi të gjitha dhuratë për ata që i japin, madje edhe para atyre, që i marrin; dhurata, që jepet nga dashuria, nuk do të shkojë kurrë dëm, por do të jetë thesari ynë në parajsë!
Ta shndërrojmë gjithçka në dashuri
Për këtë - kujtoi në përfundim Papa - bëri thirrje “Bëni mirë vetes, o vëllezër!”. Por dashuria nuk të bën të lumtur vetëm në qiell, të bën edhe këtu, në tokë, sepse ta zgjeron zemrën dhe të lejon ta rrokësh kuptimin e jetës. Nëse duam të jemi vërtet të lumtur, ta shndërrojmë gjithçka në dashuri. Të gjithë mund ta bëjmë, e të gjithë kemi nevojë për të, këtu dhe kudo në botë:
“Ta duam njëri-tjetrin kështu! Vazhdoni ta bëni jetën dhuratë dashurie dhe gëzimi. Ju falënderoj dhe ju porosis të gjithë, por sidomos fëmijët: ecni përpara dhe lutuni për mua. Obrigado! (Faleminderit).
Të mos harrojmë: porosia e Papës u përket të gjithëve, e të gjithëve u drejtohet thirrja, që jehon në shekuj: “Bëni mirë vëllezër!”.