Kërko

 Papa duke u lutur në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe Papa duke u lutur në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe  

Papa në Shën Marinë e Madhe lutet për shtegtimin në Lisbonë dhe për të rinjtë e DBR-së

Françesku kthehet për herë të 109-të në Bazilikën liberiane për t'u lutur përpara ikonës së Salus Populi Romani, siç është bërë traditë që nga fillimi i papnisë të tij para dhe pas çdo shtegtimi ndërkombëtar. Vizita e fundit, ajo e qershorit, menjëherë pas operacionit në Gemelli. Para nisjes, Françesku ia besoi Virgjërës Mari shtegtimin në Portugali, të tijin dhe të gjithë djemve e vajzave nga pesë kontinentet, që do të marrin pjesë në Ditën Botërore të Rinisë.

R. SH. - Vatikan

Mijëra të rinjtë, që do t’i takojë gjatë Ditës Botërore të Rinisë në Lisbonë - e katërta e Papnisë së tij - Papa deshi t'ia besonte Asaj, Salus Populi Romani, Virgjërës Pajtore të Romës, së cilës Françesku i lutet për mbrojtje para dhe pas çdo shtegtimi ndërkombëtar prej më shumë se dhjetë vjetësh.

Edhe një herë, në prag të nisjes për në Portugali mëngjesin e 2 gushtit, Papa e vijoi këtë traditë. Shkoi përsëri në Santa Maria Maggiore. Kështu njofton Salla e Shtypit e Vatikanit, duke shpjeguar se shkoi tek kapela, që e pa 109 herë Papën argjentinas. I vetëm, i ulur, në heshtje, Françesku "u gjunjëzua në lutje" përpara figures mariane, sipas traditës vepër e Shën Lukës, "duke ia besuar Asaj - thuhet në shënimin e Sallës së Shtypit – shtegtimin e gjatë dhe mijëra të rinjtë, që do t’i takojë së shpejti”.

Vizita e fundit tek Zoja, në qershor, pas operacionit

Herën e fundit Papa e vizitoi Marinë Salus Populi Romani më 16 qershor. Ishte takim falënderimi për rezultatin e suksesshëm të operacionit laparatomi në Poliklinikën Gemelli. Me atë rast, Jorge Mario Bergoglio - i pritur si në hyrje, ashtu edhe në dalje, me përshëndetje të përzemërta nga besimtarët, mbledhur në oborrin e kishës – u gjunjëzua në lutje për disa çaste, i ulur në një karrocë, përballë ikonës së Virgjërës. Herën e fundit Papa pati shkuar në Shën Marinë e Madhe në fund të prillit, përpara se të nisej për vizitën e 41-të apostolike në Hungari; e qe kthyer rishtas atje, menjëherë pas kthimit nga Budapesti në Romë.

Besimi i të rinjve te Maria

Përveç mbrojtjes së Zojës, Papa u kërkoi edhe besimtarëve ta shoqëronin me lutje gjatë këtij shtegtimi kaq të ngarkuar me frymë rinore. I ftoi kështu, gjatë  Engjëllit të dielën, më 30 korrik, duke i shtuar kërkesës së tij edhe lutjen drejtuar Marisë për t’i mbrojtur të gjithë djemtë dhe vajzat që do të mblidhen nga pesë kontinentet në Lisbonë, për ngjarjen e madhe botërore. “Ju kërkoj të më shoqëroni me lutjet tuaja në shtegtimin tim në Portugali, të cilin do ta nis duke filluar nga e mërkura e ardhshme”-  janë fjalët e Françeskut. Ka "shumë" të rinj që do të shkojnë (shumë janë nisur tashmë) në Portugali - shtoi Papa - duke përshkuar të gjitha rrugët që të çojnë atje, ku do të takohet “Rinia e kësaj bote”. Me etje për të takuar Zotin, vëllezërit dhe motrat, të udhëhequr nga Virgjëra Mari, e cila u ngrit dhe shkoi shpejt, pas Shpalljes". Kjo e fundit është tema e këtij takimi të rinisë botërore. “Yllit të ndritshëm të udhës së krishterë,  shumë të nderuar në Portugali" - përfundoi Papa - "ia besoj shtegtarët e DBR-së dhe të gjithë të rinjtë e botës".

Orari i udhëtimit të Papës

Takime të shumta, sipas programit zyrtar, do të ketë Papa gjatë shtegtimit të 42-të apostolik, e jo vetëm me të rinjtë, por edhe me autoritete civile, drejtues fetarë e përfaqësues lokalë të realiteteve bamirëse. Nga data 2 deri më 6 gusht, do të takohet me Presidentin e Republikës, Marcelo Rebelo de Sousa, më pas, me kryeministrin, autoritetet, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik. Do të kremtojë mbrëmjen me klerin vendas dhe do t'u kushtojë një takim të tërë studentëve në Universidade Catòlica Portuguesa. Duke u zhvendosur në Cascais aty pranë, Françesku do të përshëndesë edhe të rinjtë e Scholas Occurentes dhe do të ndihmojë, së bashku me prijës të tjerë fetarë, në mbjelljen e ullirit të paqes.

Pjesë e shtegtimit është edhe ndalesa në Fatima

Nuk do të mungojnë as ngjarjet karakteristike të çdo Dite Botërore të Rinisë, pra rrëfimi i disa të rinjve (më 4 gusht, në kopshtin Vasco da Gama në Belèm), Udha e Kryqit me djem dhe vajza, të premten në mbrëmje dhe nata e vigjiljes, ndërmjet së shtunës e të dielës, e ndjekur, më 6 gusht, nga mesha përfundimtare. Në udhëtim përfshihet edhe një ndalesë në Fatima, ku Papa - duke u kthyer në Shenjtëroren Mariane, që e pati vizituar edhe më 13 maj 2017 - do të thotë Rruzaren me të rinjtë e sëmurë e do të lutet për paqen në një botë të plagosur nga konfliktet. Edhe ky, akt kushtimi Zojës,  ndorën e së cilës do të vijojë ta kërkojë gjatë gjithë shtegtimit!

01 gusht 2023, 11:09