Kërko

Mongolia, Ulan Bator, monumenti i Sukhbaatar Mongolia, Ulan Bator, monumenti i Sukhbaatar

Papa në Mongoli, udhëtim ndërmjet stepave dhe Ger, për të përqafuar “grigjën e vogël” katolike

Zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni, paraqiti udhëtimin apostolik të Françeskut në vendin aziatik, nga 31 gushti deri më 4 shtator. Papa i parë në këtë udhëkryq ndërmjet Rusisë dhe Kinës, do të takohet me përfaqësuesit e institucioneve dhe të Kishës, e cila jeton sot zanafillën e saj, pasi "rilindi" më '92. Qendrore, mesha në Steppe Arena, ku do të marrin pjesë 1500 besimtarë vendas plus një mijë nga vendet fqinje

R.SH. – Vatikan

Udhëtim ndërmjet stepave të mëdha dhe Ger, çadrave tipike me kolona druri dhe mure prej shajaku, simbol i jetës nomade të popullsisë. Popullsi "e apasionuar", "paqësore", me "prirje për multilateralizëm" dhe për kujdes në favor të ambientit, në një vend ku ka lëvizje të nëndheshme të tokës. 0,02% e popullsisë deklaron se është katolike, pjesë e “një grigje të vogël”, rilindur pas rënies së komunizmit më 1992. Kështu deklaroi drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, i cili paraqiti sot shtegtimin e Françeskut në Mongoli, nga 31 gushti deri më 4 shtator, pikërisht në kryeqytetin Ulan Bator. Për herë të parë, një papë shkon në këtë vend, ndërmjet Rusisë dhe Kinës.

Rrënjët e Kishës "së vogël"

Në këtë çast historik, me luftën në Ukrainë, vendndodhja e Mongolisë është simbolike nga pikpamja gjeopolitike, gjë që do të pasqyrtohet edhe në fjalimin e Papës drejtuar autoriteteve civile më 1 shtator, një nga pesë fjalimet, që Françesku do të mbajë në tri ditët e udhëtimit. Por, qendra e vizitës së tij do të jetë takimi me bashkësinë e vogël katolike, rreth 1500 besimtarë: “Papa shkon në Mongoli kryesisht për të folur me ta, do t'i drejtojë fjalë inkurajimi dhe shprese këtij realiteti të bukur, që jep një kontribut të rëndësishëm në të gjitha fushat e jetës” pohoi Bruni, duke kujtuar edhe rrënjët e kësaj Kishe, e cila e ka zanafillën pas rënies së komunizmit, në vitin 1992. Megjithatë, njihen kontaktet e mongolëve me botën latine qysh nga viti 1200, si edhe shkëmbimi i letrave ndërmjet djalit të Genghis Khan dhe Papës Inoçenci IV. Emërimi i ipeshkvit të parë daton në fillim të shekullit IV, kur perandoria mongole përfshinte një pjesë të Kinës; më pas, me kalimin e shekujve, prania e të krishterëve në këtë zonë u zvogëlua, derisa u mohua plotësisht gjatë viteve të regjimit komunist. Që nga viti 1992, dyert e kishave janë hapur sërish falë punës së misionarëve, sidomos të atyre të Zojës së Ngushëllimit, të cilëve u përket edhe kardinali i parë dhe i vetëm i Mongolisë, Giorgio Marengo, prefekt apostolik i Ulan Batorit.

Takimi me bashkësinë katolike dhe me fetë e tjera

Kisha Katolike në Mongoli është vërtet e vogël, por shumë aktive në shoqëri, aq sa, muajt e fundit, po studiohet një marrëveshje ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Mongolisë për veprimtarinë e të krishterëve. Pikërisht me ta, Papa do të kremtojë meshën në Steppe Arena, pasditen e 3 shtatorit. Përveç 1500 besimtarëve, që banojnë në Mongoli - 90% në kryeqytet - do të jenë të pranishëm edhe një mijë besimtarë nga vende të ndryshme fqinje, ndër të cilat: Rusia, Kina, Tajlanda, Kazakistani, Kirgistani, Azerbajxhani e Vietnami.

Po të dielën, më 3 shtator, Papa do të kryesojë një ngjarje ekumenike dhe ndërfetare në Teatrin Hun: do të marrin pjesë përfaqësues të shamanizmit, shintoizmit, budizmit, islamit, judaizmit, hinduizmit dhe feve të tjera. E gjitha, në vazhdën e traditës së bashkëjetesës paqësore, e cila, nënvizoi Bruni, e ka karakterizuar popullin mongol për dekada. Do të marrin pjesë edhe vëzhgues qeveritarë dhe përfaqësues të botës universitare, theksoi zëdhënësi i Vatikanit, i cili iu përgjigj pyetjeve të disa gazetarëve për tensionet e mundshme me Kinën rreth takimit me përfaqësuesit e budizmit tibetian, përfshirë një fëmijë, që konsiderohet si rimishërimi i dhjetë i Budës, si dhe rreth mundësisë për një takim privat me besimtarët rusë dhe kinezë pas meshës.

Matteo Bruni, duke sqaruar se tani për tani nuk janë parashikuar takime të rezervuara, nënvizoi se të gjitha grupet fetare do të jenë të pranishëm në manifestimin ekumenik dhe ndërfetar. Përsa i përket Kinës, drejtori i Sallës së Shtypit kujtoi fjalët e Papës në Engjëllin e Tënzot të së dielës, 27 gusht: "Papa ishte shumë i qartë të dielën: ai do të shkojë në Mongoli, e dëshiron këtë takim, të cilin e pret me lumturi dhe respekt të madh, ka dëshirë të takojë njerëzit. Nuk do të shtoja asgjë tjetër. Udhëtimi është në Mongoli”.

29 gusht 2023, 16:37