Papa na fton të lutemi dhe të impenjohemi për “të mënjanuarit e shoqërisë”
R.SH. – Vatikan
"Si mundëm të arrijmë në këtë nivel indiference?" Kjo është pyetja, që shtron Ati i Shenjtë në Videon e Papës së shtatorit, me të cilën, përmes Rrjetit Botëror të Lutjeve të Papës, kërkon lutje "për njerëzit, që jetojnë në periferi të shoqërisë". “Një i pastrehë, që vdes në rrugë, nuk del kurrë në faqen e parë të motorëve të kërkimit në internet apo në lajme”, nënvizon Françesku, duke e ndarë me Kishën universale ndjetin e lutjes mujore.
Të harruarit nga mediat
E pikërisht të harruarve nga kronikat e lajmeve, u kushtohet videoja e këtij muaji, duke u përpjekur të bëhet zëri i tyre: pamjet, që shoqërojnë fjalët e Papës, tregojnë njerëz të pastrehë – vetëm, ose në grupe të vogla, nganjëherë pothuajse të shkelur nga kalimtarët - në trotuaret e Kanadasë, SHBA-së, Kenias, Kamerunit dhe Indisë. Shihen fëmijët e rrugës, që i kalojnë ditët duke larë xhamat e makinave të ndalura në semaforët e San Salvadorit, si edhe njerëz të ndryshëm me aftësi të kufizuara në Spanjë, Filipine dhe në Amerikën Qendrore. Bien në sy lagjet e varfra pranë rrokaqiejve në Vankuver, Buenos Aires dhe Rio de Zhaneiro.
Në periferitë e shoqërive jetojnë lloj-lloj njerëzish, shumë më tepër nga sa mendohet. Sipas OKB-së, më se 700 milionë njerëz, 10% e popullsisë së botës, jetojnë në kushte varfërie të skajshme, luftojnë çdo ditë për të përmbushur nevojat bazë, si shëndetësia, arsimi, furnizimi me ujë të pijshëm dhe me shërbime higjienike. Vetë OKB-ja shton më pas se rreth një miliard e 600 milionë vetë jetojnë në kushte të papërshtatshme strehimi dhe se vendet më të industrializuara nuk bëjnë përjashtim. Raportet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë vënë në dukje gjithashtu se një ndër tetë njerëz në botë vuan nga ndonjë "çrregullim mendor", ndërsa 16% e popullsisë së botës vuan, në një masë të konsiderueshme, nga "aftësi të kufizuara".
Kundër “kulturës së hedhurinave”, “kultura e mikpritjes”
“Si mund të lejojmë që ‘kultura e hedhurinave’ – në të cilën miliona burra dhe gra janë pa vlerë në krahasim me fitimin ekonomik – të dominojë jetën, qytetet tona, mënyrën tonë të jetesës?”, vazhdon të pyesë Françesku. E, me trishtim, pranon: “Do të na dhembë qafa sa herë e kthejmë kokën nga ana tjetër për të mos e parë këtë situatë”. Papa na fton të mos “i bëjmë të padukshëm të mënjanuarit e shoqërisë, për arsye varfërie, varësie, sëmundjeje mendore apo paaftësie”.
“Le të përqendrohemi tek mikpritja,” nxit Ati i Shenjtë, "për të mirëpritur të gjithë njerëzit në nevojë. Tek 'kultura e mikpritjes', e mirëpritjes, për t’u dhënë të tjerëve një çati mbi krye, një strehë, për t’iu dhuruar dashuri, ngrohtësi njerëzore". Për këtë, Papa u kërkon të gjithë besimtarëve të luten “që njerëzit e mënjanuar të shoqërisë, në kushte çnjerëzore jetese, të mos harrohen nga institucionet dhe të mos konsiderohen kurrë hedhurina”.
Mikpritja është më e vlefshme se ndihma
“Lutja nxjerr në pah çka fshihet në zemër. Prandaj, ata që jetojnë në periferi, si të padukshëm, duhet të bëjnë pjesë në lutjet tona: ata janë në zemrën e Kishës - një zemër prej mishi dhe jo prej guri”. Kështu e komenton kardinali Michael Czerny, prefekt i Dikasterit për Promovimin e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor, ndjetin e Atit të Shenjtë për muajin shtator: “Papa Françesku e njeh fuqinë edukative të lutjes dhe nëpërmjet saj na fton të zhvillojmë kulturën e mikpritjes. ‘Guri i hedhur poshtë nga ndërtuesit u bë gur themeli’: ky mesazh mbetet i fortë dhe i besueshëm nëse edhe sot u lëmë vend atyre që mënjanohen, nëse e pranojmë dinjitetin e pashlyeshëm të atyre, që kryqëzohen nga një ekonomi e pamëshirshme, nga arroganca, ose nga indiferenca. Mikpritja është më e vlefshme se ndihma: do të thotë ta sjellësh tjetrin në nivelin tonë, të gjesh një motër a vëlla, që e kishim humbur. Në lutje bëhemi anëtarë të një Korpi të vetëm”, që është Kisha e Krishtit.