Kërko

Papa me seminaristët e Romës Papa me seminaristët e Romës

Papa, meshtarëve të Romës: për udhë, bashkë me ju. Punoni me laikët e kujdes klerikalizmin

Letër e Françeskut drejtuar meshtarëve të dioqezës së Romës: "Jam pranë jush në gëzime dhe vuajtje, faleminderit për shërbimin tuaj, shpesh të panjohur". Paralajmërimi kundër mendësisë së kësaj bote: "Ajo fshihet pas fesë dhe dashurisë në dukje për Kishën, por në të vërtetë kërkon, në vend të lavdisë së Zotit, lavdinë njerëzore dhe mirëqenien personale". Shërbëtorë e jo zotërinj, i porosit Papa meshtarët: "Nganjëherë, dukemi si superiorë, të privilegjuar, ata që janë ‘në krye'"

R.SH. – Vatikan

         Mirënjohje, sidomos për shërbimin e çmuar dhe shpesh pak të njohur; pastaj, garancia se nuk janë kurrë vetëm në mes të "gëzimeve" dhe "vuajtjeve" e, së fundi, paralajmërimi kundër atyre tundimeve të "botës shpirtërore" dhe "klerikalizmit" (nga të cilat nuk janë të përjashtuar as laikët), që ka rrezik ta shndërrojnë shërbimin në forma mbylljeje, elitizmi, pushteti, arrogance - denoncuar që në fillim të papnisë. Pastaj, ftesa për të punuar krah për krah me "vëllezërit" dhe "motrat" ​​laike për të gjetur shtigje të reja sinodale, për të qenë "shërbëtorë" dhe jo "zotërinj", për t'u "larë këmbët” vëllezërve e jo për t’i shtypur me këmbë. Në letrën e sotme (7 gusht), që Papa Françesku u dërgoi meshtarëve të dioqezës së Romës, shihet qartë gjithë vëmendja dhe shqetësimi i bariut. Dioqeza, që ka Papën për ipeshkëv, u “riorganizua” janarin e kaluar me kushtetutën e re apostolike “In Ecclesiarum Communione”, e cila solli ndryshime brenda Vikariatit.

Besojini Zojës “Salus Populi Romani”

Letra zgjat shtatë faqe, mban datën 5 gusht 2023, kujtim i kushtimit të Bazilikës së Shën Marisë së Madhe, ku ndodhet fugurja e Zojës “Salus Populi Romani”, së cilës Papa ia beson të gjithë meshtarët e dioqezës. “Iu luta t’ju ruajë dhe t’ju mbrojë, t’jua fshijë lotët e fshehta, t’jua gjallërojë gëzimin e shërbimit dhe t’ju bëjë çdo ditë, barinj të dashuruar me Jezusin”.

Shërbim “i fshehtë”

Pikërisht ky i fundit duket se është shqetësimi më i madh për Jorge Mario Bergoglio-n, i cili është paraqitur gjithmonë si Ipeshkëv i Romës. Shërbimi meshtarak, shkruan Papa, bart një “barrë gëzimesh dhe vështirësish, shpresash e zhgënjimesh" e shpesh, kryhet mes “shumë lodhjesh” e "keqkuptimesh". Ati i Shenjtë i falënderon priftërinjtë disa herë, sidomos për punën, që nganjëherë, nuk u njihet e nuk u duket para botës. Por, nënvizon, “shërbimi ynë meshtarak nuk matet me sukseset baritore (vetë Zoti, me kalimin e kohës, pati gjithnjë e më pak prej tyre!).

Mendësia e kësaj bote dhe klerikalizmi

“Ndihem për udhë bashkë me ju – shkruan më tej Papa - dhe do të doja që ju të ndjeni se jam pranë jush në gëzime dhe vuajtje, në projekte dhe në përpjekje, në hidhërimet dhe në ngushëllimet tuaja baritore”. Më pas, Ati i Shenjtë vë në dukje të këqijat e shërbimit meshtarak: mendësinë e kësaj bote dhe klerikalizmin. Tundime, që i ka denoncuar shpesh gjatë papnisë: në fakt, Françesku kërkon falje në disa pjesë të letrës për përsëritjen e gjithçkaje ka thënë më parë, por thekson se këto paralajmërime janë të nevojshme. “Zoti na kërkon të shkojmë deri në fund të luftës kundër mendësisë së kësaj bote”, pohon ai, duke kujtuar Henri de Lubac, i cili paralajmëroi për rreziqet e kësaj “mënyre të jetesës, që e redukton përshpirtërinë veç në dukje”. “Mendësia e kësaj bote – thekson - na bën të jemi ‘punonjës të shpirtit’, burra të veshur me forma kishtare, që në të vërtetë vazhdojnë të mendojnë dhe të veprojnë sipas modës së botës”, të tunduar nga e përkohshmja, mediokriteti, rutina e përditshme, nga kotësia e narcizizmi, që na bëjnë të kërkojmë lavdinë personale në vend të lavdisë së Zotit. Mendësia e kësaj bote është “e sjellshme”, plot edukatë, fshihet madje, edhe pas motivacioneve fetare, vë në dukje Ati i Shenjtë.

Të shqetësuar për imazhin e suksesin

         Kur mendësia e kësaj bote hyn në zemrat e barinjve të Kishës, kthehet në klerikalizëm, denoncon më tej Papa. “Më falni që e përsëris, por si meshtarë mendoj se më kuptoni”, u drejtohet Françesku priftërinjve të Romës, duke u përmendur sinqeritetin proverbial romak. “Si i moshuar, nga zemra, e ndiej se duhet t’ju them që më shqetëson kur biem në forma klerikalizmi; kur, ndoshta, pa e kuptuar, u japim njerëzve përshtypjen se jemi superiorë, të privilegjuar, ‘në krye’ të gjërave e, për këtë arsye, të ndarë nga pjesa tjetër e popullit të shenjtë të Zotit”. Shqetësohemi vetëm për imazhin dhe suksesin, vë në dukje Papa, i cili përdor metaforën e qumështit dhe të leshit, që përmenden në Librin e Ezekielit e nga Shën Augustini. “Kur shqetësohemi vetëm për qumështin, mendojmë për përfitimin tonë personal; kur kërkojmë me çdo kusht leshin, kujdesemi vetëm për imazhin dhe për suksesin tonë. Dhe kështu, humbasim frymën meshtarake…”.

Të shohim Jezusin e të mos shkurajohemi

         Ilaçi kundër këtij mediokriteti është të shohim çdo ditë fytyrën e Jezu Krishtit e të bëhemi shërbëtorë të Popullit të Zotit - nënvizon Françesku në letër – t’u lajmë këmbët vëllezërve e jo t’i shkelim me këmbë, të mos mbyllemi në grupe e në elita, duke ngritur mure e duke u sjellë me arrogancë. "Kështu - shkruan Papa - e lëmë veten në dorën e atmosferës së kritikës dhe të zemërimit, që mbretëron rreth nesh, në vend që, me thjeshtësi ungjillore dhe butësi, me dashamirësi dhe respekt, t’i ndihmojmë vëllezërit dhe motrat të dalin nga rëra e lëvizshme e vuajtjes”. Së fundi, Ati i Shenjtë i fton meshtarët të mos shkurajohen: “Të përveshim mëngët dhe të përkulim gjunjët (ju që mundeni!- bën shaka Papa): t'i lutemi Shpirtit Shenjt për njëri-tjetrin, t'i kërkojmë të na ndihmojë që, si në jetën personale, ashtu edhe në veprimtarinë baritore, të mos biem në atë dukje fetare plot me shumë gjëra, por e boshatisur e pa Zot, të mos jemi funksionarë kishtarë, por lajmëtarë të apasionuar të Ungjillit, jo ‘klerikë shtetërore’, por barinj të popullit”.

07 gusht 2023, 15:35