Papa, me dishepullet e Jezusit Eukaristik: “Ecni në dritën e Eukaristisë"
R. SH. - Vatikan
Të adhurosh, të shërbesh dhe të riparosh: për këtë lindën Motrat Dishepulle të Jezusit në Eukaristi, një kongregatë e themeluar më 4 tetor 1923, nga ipeshkvi i Tricarico-s, asokohe Lucania, sot Basilicata, Imzot Raffaello Delle Nocche dhe nga dy vajza të reja, Linda Machina dhe Silvia Di Somma, në një realitet "të zhytur në një mjerim shekullor", "të prekur nga plagët e Luftës së Parë Botërore" dhe të tmerruar "nga gripi spanjoll". Këtë u kujtoi Françesku gjatë takimit në Sallën Pali VI, qindra pjesëmarrësve në shtegtimin e familjes fetare me rastin e njëqindvjetorit të themelimit. Duke u kthyer pas në kohë, Papa përshkoi historinë e institutit, kërkuar nga Imzot Delle Nocche për të përmbushur "nevojat e shumta" të dioqezës së tij. Duke mos gjetur "asnjë kongregacion rregulltar mashkullor apo femëror të gatshëm të vinte e të punonte atje, atë nuk e lëshoi zemra dhe, duke pranuar këshillën e Papës Piu XI, "themeloi vetë një institut të ri që të mund ta ndihmonte sadopak në shërbimin e tij".
Imzot Delle Nocche dhe strategjia e veprimit të tij
Motrat Dishepulle të Jezusit në Eukaristi ishin "shërbëtore të varfra, të një populli të varfër" - vuri në dukje Françesku - Qendra e jetës së tyre ishte Eukaristia, të cilën Koncili e përcakton si "sakrament dashurie, shenjë uniteti, lidhje bamirësie" - shpjegon Papa - e detyra e tyre ishte "t’i mbushnin me dashuri plagët dhe zbrazëtirat e shkaktuara nga mëkati tek njeriu, me butësi dhe shoqëri, duke filluar me gjunjëzimin para Jezusit në Osten e Shuguruar dhe duke qëndruar atje për një kohë të gjatë”. Kjo ishte këshilla që u pati dhënë Imzot Delle Nocche. Një "strategji veprimi" që, sipas "kritereve të botës" dukej "absurde". E çfarë kuptimi mund të kishte? Megjithatë kjo rrugë ka dhënë fryte – kujtoi Papa:
“Lutjet e atyre grave guximtare krijuan një forcë ngjitëse, e cila shpejt i shtyu ato të ndërmerrnin dhe të realizonin vepra me vlerë materiale, kulturore dhe shpirtërore që e tejkalonin çdo dëshirë. Ato rizgjuan besimin dhe përkushtimin e familjeve dhe bashkësive të famullisë, themeluan shkolla të llojeve dhe niveleve të ndryshme, rindezën përkushtimin dhe ndjenjën e dinjitetit të tyre te shumë njerëz, burra e gra, të rinj, të rritur dhe të moshuar, shumë shpesh dhe për një kohë të gjatë të shtypur nga kushtet çnjerëzore të jetesës dhe nga përbuzja e indiferenca e botës përreth, e cila nuk shihte tek ato asgjë tjetër veçse fundërrinat e shoqërisë”.
Lufta kundër varfërisë dhe padrejtësisë dhe epidemia e dashurisë
Edhe sot ka njerëz të flakur nga shoqëria - theksoi Papa – e pikërisht ndër këta “të refuzuar” i nxiti murgeshat të vazhdojnë punën e motrave të tyre të para, të cilat “shpallën një “luftë” ndryshe: atë kundër varfërisë dhe kundër “padrejtësisë; dhe përhapën një epidemi tjetër: atë të dashurisë”. “Kjo ishte rruga juaj” - u tha Françesku rregulltareve.
Ecni në shtigjet e shëlbimit, në dritën e Eukaristisë
Sot Dishepullet e Jezusit në Eukaristi, dëshmitare, trashëgimtare dhe vijuese të veprave të atyre grave që ia kushtuan jetën njerëzve të Tricarico-s, janë të pranishme në pesë kontinente, me qendra eukaristike, shkolla, misione dhe shërbime të ndryshme. E Papa u kërkon t’u bëjnë ballë sfidave të sotme, ashtu si motrat, që u paraprinë.
“Duke nisur nga ndalesa përpara Jezusit Eukaristi, Bukë e thyer e Mjeshtër, që lan këmbët e dishepujve, edhe ju do të mësoni t'i shikoni vëllezërit dhe motrat tuaja përmes lentes së zmadhimit të Ostes së shuguruar. Eukaristia, 'pikë qendrore, verbuese dhe ndriçuese' e çdo vizioni të krishterë për njeriun dhe botën, ju nxit të kujdeseni, siç bënë Imzot Delle Nocche dhe Linda e Silvia e re, veçanërisht për më të varfërit, më të përbuzurit dhe më të braktisurit, gjymtyrët më të brishta të Korpit të Krishtit. Kujdesuni për ta, anëtarët më të varfër, anëtarët më të përçmuar, anëtarët më të braktisur të Korpit të Krishtit. E Ai do t’ju inkurajojë të hapni shtigjet e përfshirjes dhe të fitimit të dinjitetit të njerëzve, në veprat që ju janë besuar”.
Të jesh kelk mikpritës, duke i çuar më të varfërit te Zoti
Murgeshave Françesku u kujtoi ftesën e Imzot Delle Nocche për të qenë "kelk dhe patentë", për të mirëpritur lëmoshën e përvuajtur të të varfërve e për t'ia paraqitur Perëndisë. Prej këndej, inkurajimi për ta "zhveshur veten", për "të qenë "zemërgjerë, gati për t’i mirëpritur të gjithë dhe për t'i sjellë të gjitha zemrat para Zotit, në mënyrë që secili të bëjë një dhuratë nga jeta e tij".
Bëhuni kështu, motra: vasa Domini, “kelke mikpritëse”, në gjunjë përpara Tabernakullit dhe me krahët gjithmonë hapur drejt vëllezërve tuaj! Zoja ju priftë gjithmonë në këtë rrugë dhe bekimi im ju shoqëroftë!