Kërko

Niger, një delegacion i Ecowas arrin në Niamey Niger, një delegacion i Ecowas arrin në Niamey   (ANSA)

Françesku lutet për paqe në Niger dhe stabilitet në Sahel: të gjindet shpejt zgjidhja

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Françesku kujtoi se po ndjek me shqetësim zhvillimin e situatës në vendin afrikan dhe se bashkon zërin me kërkesat e ipeshkvijve në favor të paqes. Inkurajon edhe bashkësinë ndërkombëtare që të veprojë menjëherë "për të mirën e të gjithëve".

R. SH. - Vatikan

Pas lutjes mariane të Engjëllit, nga sheshi i Shën Pjetrit, Papa shprehu shqetësimin për çka po ndodh në Niger:

“Bashkohem me thirrjen e ipeshkvijve në favor të paqes në vend dhe të  stabilitetit në rajonin e Sahelit. I shoqëroj me lutje përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për të gjetur zgjidhje paqësore sa më shpejt që të jetë e mundur, për të mirën e të gjithëve”.

E ndërsa na fton të lutemi për popullin e dashur nigerian, Papa kërkon paqe "për të gjitha popullsitë e plagosura nga lufta dhe nga dhuna, veçanërisht - nënvizon - për Ukrainën që vuan prej kaq shumë kohe".

Për disa vite, Nigeri është goditur rregullisht nga sulmet e përgjakshme xhihadiste. Të martën, të paktën 17 ushtarë u vranë në një sulm pranë Burkina Fasos, më vdekjeprurësi që nga grushti i shtetit. Situata është shumë e tensionuar dhe tërheq vëmendjen e diplomatëve.

Gjeneral Tiani: tranzicioni nuk do të zgjasë më shumë se tre vjet

Delegacioni i Komunitetit Ekonomik të Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS), i cili mbërriti në Niamey dj,e më 19 gusht, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje diplomatike për krizën në Niger, deklaroi se ishte gati për ndërhyrje të armatosur. Ai u takua me presidentin e rrëzuar Mohamed Bazoum, i burgosur që nga grushti i shtetit të 26 korrikut, e edhe me ata, që po bëjnë thirrje për lirimin dhe rikthimin e tij në pushtet. Ndërkohë, gjenerali Abdourahamane Tiani, në pushtet me grushtin e shtetit,  deklaron se periudha e tranzicionit nuk do t’i kalojë tre vjet dhe u tërheq vëmendjen vendeve të huaja lidhur me ndërhyrjet ushtarake kundër vendit të tij. “Ambicia jonë nuk është të marrim pushtetin”, pohoi Tiani në një fjalim televiziv. Më pas Tiani paralajmëroi se “një agresion i mundshëm kundër regjimit të ri, "nuk do të ishte aq i lehtë, sa mendojnë disa".

Mobilizimi i vullnetarëve në mbështetje të forcave të armatosura

Më 10 gusht, udhëheqësit e Afrikës Perëndimore urdhëruan vendosjen e një "force në pritje",  roli i së cilës u përshkrua të premten në Akra, pa dhënë asnjë hollësi apo orar. Në Niamey, ushtria këmbëngul që popullsia të mbështesë marrjen e pushtetit. Të shtunën në mëngjes, mijëra vullnetarë u mblodhën rreth stadiumit Seyni Kountché në qendër të kryeqytetit, duke iu përgjigjur thirrjeve nga disa organizata për t'u bashkuar me listat e ndihmësve civilë që mund të mobilizohen në mbështetje të forcave të armatosura - vunë në dukje gazetarët e AFP.  Pasdite, Shtetet e Bashkuara, një nga partnerët kryesorë të Nigerit në luftën kundër xhihadistëve, njoftuan arritjen e një ambasadori të ri në Niamey.

Thirrja e UNICEF-it: siguroni mbërritjen e ndihmave humanitare

"Jemi të alarmuar që furnizimet tona për shpëtimin e jetës mbeten të bllokuara në pika të ndryshme hyrjeje në vend" - proteston Unicef, i cili ka nevojë urgjente për të arritur në Nigerin pa dalje në det. Aktualisht, organizata e ndihmës ka dy kontejnerë të bllokuar në kufirin e Beninit me pajisje themelore: 19 mjete transporti në portin e Cotonou, me pajisje vaksinimi; 29 të tjera të destinuara për në Niger, aktualisht në det, me rezerva ushqimesh terapeutike dhe shiringa. Këto ndihma shpëtimtare "për trajtimin e kequshqyerjes dhe për imunizimin rrezikojnë të humbasin efektivitetin e tyre për fëmijët që ne ndihmojmë - shkruhet në thirrje - nëse hyrja e tyre në Niger vonohet më tej dhe nëse ekspozohen ndaj elementeve". Ndaj UNICEF-i u kërkon të gjitha palëve të përfshira në krizë “të krijojnë mundësinë që punëtorët dhe furnizimet humanitare të arrijnë të sigurt tek fëmijët dhe familjet më të varfra, aty ku është e nevojshme”.

20 gusht 2023, 13:38