Kërko

2023.08.30 La famiglia Ulma, nelle parole del Papa - Udienza 30 settembre 2023 2023.08.30 La famiglia Ulma, nelle parole del Papa - Udienza 30 settembre 2023

Papa: kush janë martirët e Ulmës, një libër që do të dalë nesër

Të dielën e kaluar, 20 gusht, dhjetëra mijëra vajza dhe gra morën pjesë në tubimin tradicional devocional, në shenjtëroren polake të Zojës, në Piekary Śląskie”. Ndërsa në fund të lutjes të Engjëllit, po të dielën e kaluar, Françesku e kujtoi këtë tubim njëherësh me një ngjarje rrënqethëse, që të kujton tragjeditë e luajtura në trojet polake, gjatë Luftës II Botërore

R.SH. / Vatikan

“Përshëndes polakët, duke menduar edhe për gratë e vajzat shtegtare në shenjtëroren e Zojës në Piekary Śląskie” - kujtoi Papa pas lutjes së   Engjëllit. Dhjetëra mijëra vajza dhe gra morën pjesë në shtegtimin e 20 gushtit në këtë vend kulti, kushtuar Virgjërës Mari në shekullin e 17-të. Sipas traditës, shtegtimi i të rinjve dhe i burrave bëhet në maj, ndërsa i vajzave dhe grave, në gusht.

Gjatë meshës, predikoi Imzot Wiesław Lechowicz, Ipeshkëv Ushtarak i Polonisë. Ndërmjet tjerash, Kryeipeshkvi Lechowicz kujtoi një nga ngjarjet tragjike të Luftës II Botërore, shfarosjen e familjes Ulma, vrarë nga nazistët gjermanë gjatë përpjekjes për të shpëtuar disa hebrenj. Vdiqën bashkë me njerëzit, që po i ndihmonin. E do të lumnohen më 10 shtatorin e ardhshëm, në Markowa.

Papa: kush janë martirët Ulma, një libër që del nesër

Më 10 shtator Kisha do të shpallë martirë e të lum nëntë anëtarë të familjes polake Ulma: babain, nënën dhe shtatë fëmijët (nga të cilët i fundit nuk kishte lindur akoma) të ekzekutuar në shtëpinë e tyre nga nazistët. Po cili ishte faji që kishin bërë, për t’u dënuar kaq mizorisht? Kishin pritur fshehurazi tetë hebrenj. Historia e tyre tregohet në librin “I vranë edhe fëmijët” (botime Ares), nesër, në librari.

Është fryt i kërkimit gazetaresk, kryer nga Manuela Tulli, gazetare e ANSA-s dhe Don Pawel Rytel-Andrianik, drejtues i seksionit polak të Vatican News dhe Radio Vatican, në vendet ku banonte familja Ulma dhe në burimet e procesit të lumnimit.

 Lumnime, si ky i Ulmës “në kohët e fundit, dhe me procedurat aktuale nuk ka pasur kurrë” - pohon prefekti i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Marcello Semeraro, në intervistën me të cilën hapet libri.

Për herë të parë në historinë e Kishës "është një familje e tërë, që pëson martirizimin së bashku, çështja për lumnimin e së cilës u bë së bashku, miratimi i dekretit, së bashku e së bashku edhe lumnimi" - shpjegon Kardinali Semeraro.

“Është shumë e rëndësishme që të gjithë fëmijët të lumnohen bashkë me prindërit e tyre. Ndërsa për shkak të pagëzimit të gjakut, do të lumnohet edhe një ferishte, ende në barkun e nënës, gjë që nuk ka ndodhur kurrë më parë”, nënvizon në hyrje Imzot Stanislaw Gadecki, kryeipeshkëv metropolit i Poznanit dhe kryetar i Konferencës së Ipeshkvijve polakë.

Ishte një ditë e akullt marsi…

Ishte 24 mars 1944 kur në Markowa, fshat i Polonisë, u shfaros një familje e tërë: Jozefi dhe Wiktoria, me fëmijët e tyre Stasia, Basia, Wladziu, Franio, Antos, Marysia Ulma dhe një foshnjë ende në barkun e nënës. Një ferishte. Krijesë ende pa emër! Para tyre u pushkatuan tetë hebrenjtë nga familjet Goldman, Grünfeld dhe Didner, që fshiheshin pikërisht për t’i shpëtuar këtij fundi kaq tragjik!

 Ulmat u njohën më pas si "Të Drejtë ndërmjet e Kombeve", nderimi më i lartë që shteti i Izraelit u bën johebrenjve. Një familje që vuri mbi çdo gjë miqësinë dhe dashurinë e që me gjestin e saj fitoi titullin "Samaritanët e Markovës". Libri ndërthur historinë e familjes së re polake me atë të Luftës II Botërore dhe persekutimin e hebrenjve. Shumë prej tyre u shfarosën në kampe përqendrimi, të tjerët u pushkatuan në geto. Por pati edhe nga ata që vdiqën në shtëpitë e njerëzve, që kishin vendosur të mos shikonin nga ana tjetër, por t’i ndihmonin edhe me humbjen e jetës. Në historinë e jetës e të fundit të tyre përmblidhet edhe historia e "luftës së pakuptimtë", siç e quan shpesh Papa Françesku, e cila prodhon tmerre dhe dhimbje! Po njerëzimi ndonjëherë duket se nuk i mban mend. Ndaj i duhen kujtuar, që të mos përsëriten kurrë më!   

30 gusht 2023, 16:09