Papa, klerit të Portugalisë: në Kishë të ketë vend për të gjithë, edhe për laikët
Takimi i dytë i Papës, sot, në ditën e parë të shtegtimit apostolik në Lisbonë, ishte lutja e mbrëmësores me klerin e Portugalisë, mbajtur pasdite në Manastirin Mbretëror të Santa Maria di Belém, me ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët, seminaristët e njerëz të tjerë të lidhur ngushtë me Kishën, si veprimtarët baritorë. Atyre Papa u foli për ëndrrën më të bukur. E ëndërrojmë – u tha - Kishën portugeze si "strehë të sigurt" për këdo që përballon udhët e vështira, mbytjet e anijeve, stuhitë e jetës!
"Në varkën e Kishës duhet të ketë vend për të gjithë". Papa Françesku e nënvizoi këtë në predikimin e tij në lutjen e mbrësores kremtuar bashkë me klerin portugez. Dhe Papa për këtë “sfidë të madhe” tregoi, si mundësi, përfshirjen e laikëve. “Kisha është sinodale, është bashkim, ndihmë reciproke, një rrugëtim i përbashkët”, nënvizoi Françesku në homelinë e tij e ripohoi: “Ky është synimi i Sinodit aktual të Kishës, i cili do të ketë mbledhjen e parë në tetorin e ardhshëm” në Vatikan.
“I lumtur që jam mes jush për ta rijetuar Ditën Botërore të Rinisë së bashku me shumë të rinj, por edhe për të marrë pjesë në rrugëtimin tuaj kishtar, në përpjekjet dhe shpresat tuaja – këto, fjalët e para që ia drejtoi Papa klerit të Portugalisë, pasi falënderoi Imzot José Ornelas Carvalho për përshëndetjen prekëse:
“Dua të lutem me ju që të bëhemi, së bashku me të rinjtë, të guximshëm në përqafimin e "ëndrës së Zotit dhe në gjetjen e rrugëve për pjesëmarrje të gëzueshme, bujare dhe transformuese në jetën e Kishës”.
Fjalë, këto, që i kujtuan sakaq Papës thirrjen e dishepullit të parë, në brigjet e detit të Galilesë. Do të doja të ndalem në këtë thirrje - theksoi - e cila nxjerr në pah atë që sapo dëgjuam në leximin e shkurtër të lutjeve të mbrëmësores: Zoti na shpëtoi dhe na thirri, jo sipas veprave tona, por sipas hirit të tij (krh. 2 Tim 1: 9).
Jezusi na fton t’i hedhim përsëri rrjetat
Në vijim Papa u ndalua te kjo ngjarje ungjillore, kur Jezusi "pa dy barka në breg. Peshkatarët kishin zbritur dhe po lanin rrjetat” (Lk 5,2). Pastaj Jezusi hipi në varkën e Simonit dhe, pasi foli me turmat, e ndryshoi jetën e atyre peshkatarëve duke i ftuar të dilnin në thellësi dhe t’i hidhnin rishtas rrjetat. Vëmë re menjëherë një kontrast - komentoi Papa - nga njëra anë, peshkatarët zbresin nga barka për të larë rrjetat, domethënë për t'i pastruar, për t'i mbajtur mirë dhe për të shkuar në shtëpi; nga ana tjetër, Jezusi hyn në barkë dhe i fton të hedhin përsëri rrjetat e peshkimit:
“Qëndrimet dallohen: dishepujt zbresin, Jezusi ngjitet; ata duan t’i nxjerrin rrjetat nga uji, Ai do që ata të hidhen përsëri në det për të peshkuar”.
Krishtit i intereson të çojë afërsinë e Zotit pikërisht me vendet dhe situatat në të cilat njerëzit jetojnë, luftojnë, shpresojnë, ndonjëherë me duart bosh, ashtu si ata peshkatarë që nuk kishin kapur asgjë gjatë natës. Jezusi i shikon me butësi Simonin dhe shokët e tij, të cilët, të lodhur dhe të hidhëruar, lajnë rrjetat, duke bërë një gjest të përsëritur: së fundi, përgatiten të shkojnë në shtëpi duarbosh. Ndonjëherë, në udhëtimin tonë kishtar, njeriu mund të përjetojë një lodhje të ngjashme.
Krishti na kërkon në vetminë tonë, për të na ndihmuar të nisim nga e para
Është një ndjenjë mjaft e përhapur në vendet me traditë të lashtë të krishterë - u kujtoi Papa përfaqësuesve të klerit, që e ndiqnin me vëmendje të madhe fjalën e tij - e përshkuar nga shumë ndryshime shoqërore dhe kulturore dhe e shënuar gjithnjë e më shumë nga shekullarizmi, nga indiferenca ndaj Zotit, nga shkëputja në rritje prej praktikimit të fesë. E pse? Papa mendon se…
“…kjo theksohet shpesh nga zhgënjimi dhe zemërimi që kanë disa kundër Kishës, ndonjëherë për shkak të dëshmisë sonë të keqe dhe shkandujve që ia vrugnojnë fytyrën, gjë që na bën thirrje për pastrim të përulur dhe të vazhdueshëm, duke nisur nga britma e dhimbjes së viktimave, që duhen mirëpritur e duhen dëgjuar gjithmonë”.
Përsëri në këmbë!
Këtë theksoi Papa, duke u skicuar përfaqësuesve të Kishës situatën aktuale, me rreziqet e dekurajimet e saj, që mund ta shtyjnë ndokënd të zbresë nga barka, duke u ngatërruar në rrjetat e dorëheqjes dhe të pesimizmit. Situatë që duhet ndryshuar:
“Në vend të saj - kujtoi Françesku - duhet t'i çojmë përpjekjet dhe lotët tona para Zotit, për t’i përballuar më pas me situata baritore dhe shpirtërore duke i hapur zemrën njëri-tjetrit dhe duke provuar së bashku ecjen në një rrugë të re, me besimin se Jezusi vazhdon ta marrë Nusen e vet të dashur për dore dhe ta ngrejë përsëri në këmbë”.
Sapo apostujt zbresin për të larë veglat e përdorura - vijoi Papa, duke aktualizuar faqen ungjillore - Jezusi hipi në barkë dhe më pas i ftoi të hedhin përsëri rrjetat. Ai vjen të na kërkojë në vetminë dhe në krizat tona për të na ndihmuar të fillojmë nga e para – ky ishte mësimi - E kjo edhe ajo që na kërkon Zoti - theksoi Ati i Shenjtë – Zoti na kërkon të rizgjojmë shqetësimin për Ungjillin: të shkojmë në bregun përtej jo për ta pushtuar botën, por për ta gëzuar me ngushëllimin dhe gëzimin e Ungjillit.
Nga ky këndvështrim - kujtoi akoma Papa - mund të lexojmë fjalët e njërit nga misionarët tuaj të mëdhenj, At António Vieira, i mbiquajtur "Paiaçu", babai i madh: ai ju pati kujtuar se Zoti ju dha një tokë të vogël, për të lindur, por, duke ju vënë përballë oqeanit, ju dha gjithë botën, për të vdekur: «Për të lindur, një pëllëmbë, për të vdekur, mbarë rruzullimi: për të lindur ju dha Portugalinë; për të vdekur, botën".
Jemi të thirrur për të hedhur rrjetat
Të hedhim sërish rrjetat dhe të përqafojmë botën me shpresën e Ungjillit: për këtë jemi thirrur! – nënvizoi Papa - Nuk është koha për të hequr dorë, për të ankoruar varkën në breg ose për të shikuar prapa; këtë herë nuk duhet të ikim nga kjo kohë, sepse na tremb dhe të strehohemi në format dhe stilet e së shkuarës:
“Jo, kjo është koha e hirit që Zoti na e jep për të hyrë në detin e ungjillëzimit dhe të misionit”.
Me fjalën tënde do t’i hedh rrjetat
Duhet kaluar nga disfatizmi në besim - këshilloi në vijim Papa - si Simoni, i cili, ndonëse u mundua më kot gjithë natën, thotë: "Me fjalën tënde do t'i hedh rrjetat" (Lk 5,5). Por, për t'i besuar Zotit dhe Fjalës së tij çdo ditë, nuk mjaftojnë fjalët, duhen shumë lutje. Duhet ungjillëzimi. Duhet që Ungjilli të arrijë tek të gjithë.
Një shembull, ndërmjet shumë shembujve
Ju keni shumë shembuj në këtë rrugë - siguroi në vijim Papa - që kujtoi, më pas një djalë të ri nga Lisbona, San João de Brito, i cili shekuj më parë, mes shumë vështirësish, u nis për në Indi dhe filloi të fliste e të vishej në të njëjtën mënyrë, si ata që takoi:
“Për ta shpallur Jezusin, jemi thirrur t’i zhysim rrjetat tona në kohët që jetojmë, të dialogojmë me të gjithë, ta bëjmë Ungjillin të kuptueshëm, edhe nëse për ta bërë këtë mund të rrezikojmë shpërthimin e ndonjë stuhie”.
Kisha është sinodale - pohoi Papa - është bashkim, ndihmë reciproke, rrugëtim i përbashkët. Ky është synimi i Sinodit që po zhvillohet, i cili do të ketë mbledhjen e parë tetorin e ardhshëm:
“Në barkën e Kishës duhet të ketë vend për të gjithë: të gjithë të pagëzuarit thirren të hipin në të dhe të hedhin rrjetat, duke u angazhuar personalisht për të shpallur Ungjillin. Është një sfidë e madhe, e ne mund ta shohim si mundësi për të përfshirë laikët me entuziazëm vëllazëror dhe krijimtari të shëndetshme baritore”.
Kisha plaket pa dialog
Pa dialog, bashkëpërgjegjësi dhe pjesëmarrje - theksoi në vijim Papa - Kisha plaket. Ju porosis: kurrë një ipeshkëv pa presbiterin e tij dhe popullin e Perëndisë; kurrë një prift pa sivëllezërit e tij; e të gjithë së bashku – priftërinj, rregulltarë, rregulltare e besimtarë laikë - si Kishë, kurrë pa të tjerët, pa botën. Pa mendësi bote, por jo pa botë!
Në Kishë ndihmohet njëri-tjetri, mbështetet njëri-tjetri, thirret për të përhapur klimën e vëllazërisë konstruktive edhe jashtë. Ju, besimtarët portugezë, jeni edhe “calçada”, gurët e çmuar të asaj dyshemeje mikpritëse e të ndritur mbi të cilën duhet të ecë Ungjilli: asnjë gur nuk mund të mungojë, përndryshe bie menjëherë në sy:
“Ja si është Kisha që, me ndihmën e Zotit, jemi thirrur ta ndërtojmë!”.
Zgjedhja e tretë: të bëhemi peshkatarë njerëzish!
Së fundi, zgjedhja e tretë: të bëheni peshkatarë njerëzish. Jezusi u beson dishepujve misionin e daljes në detin e hapur të botës:
“Në të vërtetë, Ungjilli është shpallje e jetës në detin e vdekjes; e lirisë, në vorbullat e skllavërisë; e dritës, në humnerën e errësirës. Siç pohon edhe Shën Ambrozi, "mjetet e peshkimit apostolik janë si rrjetat: rrjetat nuk i vrasin ata që kapen në to, por i mbajnë gjallë, i tërheqin nga humnera në dritë" (Shp. Luc. IV. 68-79).
Ta çojmë Krishtin, ku mbretëron demoralizimi dhe fatalizmi
Në përfundim të kësaj bisede, që preku plagët më të rrezikshme të botës sotme, ku ka kaq shumë errësirë, si dhe të Kishës, të duket se mungon entuziazmi, guximi për të ëndërruar, forca për të përballuar sfidat, besimi në të ardhmen – kujtoi Papa – pa harruar të kujtojë edhe ilaçet për t’i shëruar:
“Ne, si Kishë na është besuar detyra të zhytemi në ujërat e këtij deti duke hedhur rrjetën e Ungjillit, pa treguar kënd me gisht, por duke u propozuar njerëzve të kohës sonë një jetë të re, atë të Jezusit: duke sjellë Ungjillin në një shoqëri multikulturore; afërsinë e Atit në situatat e pasigurisë dhe të varfërisë në rritje, veçanërisht ndërmjet të rinjve; dashurinë e Krishtit atje ku familja është e brishtë dhe marrëdhëniet janë të lënduara; duke çuar gëzimin e Shpirtit, atje ku mbretëron demoralizimi dhe fatalizmi”.
E ëndërrojmë Kishën Portugeze si "strehë të sigurt" për këdo që përballon udhët e vështira, mbytjet e anijeve, stuhitë e jetës!