Kërko

Papa Françesku u nis për në Mongoli

Me moton “Të shpresojmë së bashku”, nisi udhëtimi i 43-të apostolik i Papës Françesku, i cili që sot e deri më 4 shtator shkon në Mongoli për të takuar grigjën e vogël katolike, për ta përforcuar atë në fe, por edhe për ta inkurajuar gjithë popullsinë të vijojë traditën e saj të bashkëjetesës paqësore

R.SH. – Vatikan

Papa Françesku është nisur për në Mongoli, në udhëtimin e tij të 43-të apostolik ndërkombëtar. Avioni do të mbërrijë në Ulan Bator në orën 10 me orën lokale (4 në Evropë). Është hera e parë që një Papë shkon në vendin aziatik, mes Kinës dhe Rusisë. Është ky udhëtim “shumë i dëshiruar” ku Françesku do të shkojë si “vëllai i të gjithëve”, siç tha vetë. Shtatë mijë kilometra për të vizituar një tjetër ‘periferi’ të botës, ku e pret bashkësia katolike e vogël, por tejet e gjallë, që jeton në atë vend, rreth 1500 besimtarë.

“Të shpresojmë së bashku”

Papa kthehet në zemër të Azisë pothuajse një vit pas udhëtimit të tij apostolik në Kazakistan. Shkon në Mongoli për të mbështetur katolikët, por edhe për të ripohuar nevojën për dialog në një vend me popullsi me fe të ndryshme, shumica budistë. Motoja e udhëtimit “Të shpresojmë së bashku” vë mirë në dukje synimin e Atit të Shenjtë, i cili shkon pikërisht për t’u dhënë shpresë katolikëve, por edhe gjithë popullsisë, në udhën e saj demokratike e në vijimin e traditës së bashkëjetesës fetare e paqësore.

31 gusht 2023, 18:36