Kërko

Papa në Lisbonë për DBR-në: takim i ri gazmor me të rinjtë e botës

Avioni me të cilin udhëton Françesku, avion me ndikim ambiental zero CO2, u shkëput nga aeroporti i Fiumicino-s në orën 8.00. Pas tri orësh arriti në Lisbonë, për të marrë pjesë në Ditën Botërore të Rinisë, që u hap dje, më 1 gusht. Përpara nisjes, përshëndeti rreth pesëmbëdhjetë persona në Santa Marta, shoqëruar nga kardinali Krajewski. Ndërmjet tyre, disa të rinj të një bashkësie shëndetësore dhe tre gjyshër. Telegram përshëndetjeje Presidentit Mattarella

R.SH. / Vatican News

Papa Françesku u nis për në Lisbonë, ku tashmë mbi një milion të rinj nga pesë kontinente e presin prej ditësh për të festuar me të Ditën Botërore të Rinisë XXXVII, përuruar dje, 1 gusht. Papa do të qëndrojë në kryeqytetin portugez deri të dielën, më 6. Avioni me të cilin po udhëton, një Ita Airways A320neo me zero ndikim mjedisor, u ngrit në orën 8 të mëngjesit nga aeroporti romak Fiumicino, ku Papa arriti në bordin e një makine të zezë, i pritur nga kryebashkiaku i Fiumicino dhe autoritete të tjera vendase.

Përshëndetje, një grupi të rinjsh dhe gjyshërish në Santa Marta

Para se të nisej, Françesku, siç është zakon, përshëndeti një grup njerëzish të shoqëruar nga kardinali lëmoshtar Konrad Krajewski në rezidencën e tij, në Shtëpinë e Shën Martës. Këtë herë, siç bën të ditur Salla e Shtypit e Vatikanit, ishin rreth pesëmbëdhjetë vetë, duke përfshirë “disa të rinj, vajza dhe djem, të cilët po jetojnë përkohësisht në një bashkësi rimëkëmbjeje dhe për këtë arsye nuk janë në gjendje të marrin pjesë në takimin e madh të rinisë”. Me ta, tre gjyshërit me nipërit e tyre. "Ky takim, si dhe Dita Botërore e Gjyshërve dhe të Moshuarve, festuar kohët e fundit - thekson Salla e Shtypit e Vatikanit - nënvizon lidhjen ndërmjet brezave, të cilët mund të mbështesin njëri-tjetrin dhe të mësojnë nga njëri-tjetri".

Të rinjtë në Lisbonë në pritje të Papës

Në bordin e aeroplanit Papën e shoqëron në shtegtimin e tij të 42-të apostolik grupi prej rreth shtatëdhjetë gazetarësh nga gazetat ndërkombëtare dhe ekuipazhi. Ulja në bazën ajrore Figo Maduro pritet për pak më shumë se tri orë, me një diferencë kohore prej një ore me atë të Romës. Kur u largua nga trojet italiane, Papa Françesku i dërgoi telegramin e zakonshëm Presidentit të Republikës, Sergio Mattarella, në të cilin ndan "gëzimin e takimit me të rinj nga e gjithë bota" dhe shpreh besimin se këta të rinj "Të shtyrë nga feja dhe të etur për t'u ngritur dhe për të ecur nëpër shtigje të reja, marrin forcë nga takimi me Krishtin dhe inkurajohen në kërkimin e së vërtetës dhe kuptimin e jetës". Papa thekson se "e shpreson këtë” njëherësh me presidentin, përmes të cilit ai u dërgon një "përshëndetje të përzemërt" të gjithë italianëve, shoqëruar nga "urimet e lutjes për paqe dhe prosperitet".

Përgjigje e shpejtë nga Mattarella, i cili në një mesazh i shkroi Papës: "Udhëtimi apostolik me rastin e Ditës Botërore XXXVII të Rinisë përfaqëson një mundësi të jashtëzakonshme për t'u takuar me shumë të rinj nga e gjithë bota, të cilët do të dëshmojnë besimin në të ardhmen dhe vullnetin për të ndërtuar një botë më gjithëpërfshirëse, që i mbështet ëndrrat e tyre. Ju drejtoj, Shenjtëria juaj, përshëndetjet e mia më të përzemërta, së bashku me shprehjet e konsideratës më të thellë".

Programi i DBR në Lisbonë, ku oqeani bashkon të rinjtë e botës

Me të mbërritur në Lisbonë, Papa do të pritet nga Presidenti i Republikës Marcelo Rebelo de Sousa, me të cilin më pas do të kalojë një kohë të shkurtër në Sallën e miqve. Menjëherë më pas do të shkojë me makinë në Pallatin Kombëtar të Belem, rezidenca zyrtare e kreut të shtetit, për ceremoninë e mirëseardhjes dhe vizitën e mirësjelljes presidentit, e më pas do të vijojë takimi i zakonshëm me autoritetet politike dhe fetare, në Centro Cultural de Belém. Pas drekës, Françesku do të presë Presidentin e Kuvendit të Republikës, Augusto Ernesto dos Santos Silva dhe Kryeministrin António Costa. Angazhimi i fundit i ditës është në Manastirin Mbretëror të Santa Maria di Belém për Mbrëmje me klerin vendas.

Takime me botën e të rinjve

Mëngjesi i ditës së dytë të Papës në Lisbonë, më 3 gusht, do të hapet me një takim me studentë të rinj universitarë në Universitetin Katolik Portugez, ku Papa do të bekojë gurin e themelit të Campus Veritatis. Në orën 11.40 Papa pritet në Cascais, 35 km larg, nga të rinj të tjerë të mbledhur në selinë e Scholas Occurrentes. Pasdite, në orën 16.45 do të zhvillohet takimi i parë i madh me të rinj nga e gjithë bota në parkun Eduardo VII, një zonë e madhe e gjelbëruar në qendër të Lisbonës ku do të zhvillohet ceremonia e mirëseardhjes, e cila do të përfundojë me "çastin e dërgimit". Të nesërmen, më 4 gusht, Françesku do të jetë në kopshtin Vasco da Gama, i riemëruar "Parku i Ndjesës” për DBR-në, ku rrëfeu disa djem dhe vajza. Me dhjetë prej tyre, në mesditë, do të drekojë në Nunciaturën Apostolike. Takimi tjetër është Udha e Kryqit, në orën 18:00, në Parkun Eduardo VII.

Lutja në Fatima dhe nata pa gjumë me të rinjtë

Fatima është caku i parë i ditës së katërt, 5 gushtit. Këtu do të ketë edhe një çast lutjeje me të rinjtë e sëmurë. Papa do të mbërrijë me helikopter në qytetin e tre barinjve të vegjël dhe me makinë, në shenjtërore, për të përshëndetur më pas besimtarët e mbledhur për vizitën e tij. Pasi të ketë arritur në Kapelën e Dukjeve, do të lutet para shtatores të Zojës së Fatimes. Në orën 9.30, Rruzarja, me mistere të shqiptuara në gjuhë të ndryshme, e ndjekur nga meditimet e Papës i cili, para se të largohet nga shenjtërorja, do të përshëndesë disa të rinj.

Në Lisbonë, Françesku do të shkojë në Colégio de São João de Brito, ku do të zhvillohet me dyer të mbyllura takimi me anëtarët e Shoqatës së Jezusit në Portugali. Më në fund, në mbrëmje, ngjarja më e pritur: vigjilja në Tejo Park. Françesku do të mbërrijë atje në orën 20.15 dhe me papamobil do të udhëtojë në të gjithë hapësirën e madhe të gjelbër ku janë mbledhur të rinj nga e gjithë bota, të cilët do të jetojnë një lutje të ndarë në tre çaste, ndjekur nga fjala e Papës, Eukaristia dhe bekimi

Mesha e DBR 2023 më 6 gusht

Ditën e fundit në Lisbonë, të diel, 6 gusht, Mesha, kulm i DBR-së 2023. Ngjarja zhvillohet në Tejo Park, ku Papa kthehet në 8.15. Sipas traditës, festimi do të përfundojë me dorëzimin e Kryqave të Ditës Botërore të Rinisë disa përfaqësuesve të pesë kontinenteve. Papa do të shpallë edhe vendin e vitin në të cilin do të mbahet DBR-ja e ardhshme dhe, më pas, do të kremtojë Engjëllin e Tënzot. Para nisjes, takimi i fundit i Françeskut me vullnetarët e DBR-së në Passeio Marítimo de Algés. Menjëherë pas transferimi në bazën ajrore Figo Maduro për ceremoninë e lamtumirës. Nisja për në Romë, rreth orës 18.15.

02 gusht 2023, 11:02