Papa emëron Patriarkun e ri të Lisbonës
R.SH. – Vatikan
Çastet intensive të Ditës Botërore të Rinisë, të ndara minutë pas minute me Papën, përfaqësonin, pas dhjetë vitesh shërbim baritor, lamtumirën ideale për kreun e Kishës së Lisbonës, kardinalin 75-vjeçar Manuel Clemente, i cili ia la detyrën e Patriarkut të kryeqytetit të Portugalisë, pasardhësit të tij, imzot Rui Manuel Sousa Valério, rregulltar montfortian, 58 vjeç, deri tani ordinar ushtarak i vendit. Ati i Shenjtë e emëroi pikërisht sot.
Pak biografi
Lindur në prag të Krishtlindjes 1964, në Ourém, në dioqezën e Leira-Fátima, kryeipeshkvi Sousa Valério i përfundoi studimet në Romë - ato të filozofisë në Lateran dhe ato të teologjisë në Gregoriana - duke marrë diplomën në teologji dogmatike. Më pas ndoqi kursin e Filologjisë në Universitetin La Sapienza të Romës dhe kursin e Përshpirtërisë në Qendrën Ndërkombëtare Monfortiane në Louvain të Belgjikës. Në vitin 1990 bëri kushtet si rregulltar në Shoqërinë e Marisë (Monfortanët) dhe u shugurua meshtar në mars të vitit pasardhës.
Ndër detyrat e shumta, ajo e famullitarit në Patriarkatin e Lisbonës dhe ajo e kapelanit ushtarak në Spitalin e Marinës në kryeqytet dhe në Shkollës Detare në Alfaiete. Ka qenë edhe epror i bashkësisë monfortane të Portugalisë. Më 27 tetor 2018, u emërua ordinar ushtarak i vendit, duke u shuguruar ipeshkëv më 25 nëntor.