Papa e fton Kishën të ndihmojë punëtorët më nevojtarë e të papunët
R.SH. – Vatikan
"Të ndërtojmë ura, t’i shembim muret. Kisha në botën e punës të krijojë lidhje vëllazërimi": kjo është tema, mbi të cilën po reflektojnë deri nesër, 15 gusht, punonjësit e krishterë të Veprimit Katolik Spanjoll, në asamblenë e përgjithshme të tyre, që mbahet në Segovia.
E, pikërisht dje, më 13 gusht, ata morën mesazhin e Papës Françesku, që mban datën 17 korrik, në të cilin Ati i Shenjtë reflekton mbi temën, duke vlerësuar "përkushtimin e çmuar" të lëvizjes katolike dhe "impenjimin e saj për të vazhduar të jetë Kishë, që ecën në botën e punës". Duke iu referuar Nxitjes apostolike “Evangelii Gaudium”, Françesku kujton rëndësinë e punës si një nga përmasat themelore të jetës, që i jep dinjitet njeriut.
Të shndritet bota e punës nga drita e Ungjillit
"Puna – shkruan Papa - nuk është vetëm veprimtari prodhuese, por mjet përmes të cilit bashkëpunojmë me Zotin në veprën e Tij të krijimit dhe realizohemi si qenie njerëzore", sepse "‘në punën e lirë, krijuese, pjesëmarrëse dhe solidare, njeriu e shpreh dhe e shton dinjitetin e jetës së vet’ (EG 192). Puna, në të gjitha format e saj, na jep mundësinë të jemi bashkëkrijues dhe të marrim pjesë në ndërtimin e një bote më të drejtë dhe më vëllazërore”, pohon Ati i Shenjtë.
Françesku i inkurajon pjesëmarrësit e asamblesë të vazhdojnë të krijojnë lidhje vëllazërimi, ta çojnë dritën e Ungjillit në botën e punës dhe të ndërtojnë një shoqëri më të drejtë, pavarësisht nga vështirësitë, duke u bërë “njerëz-anfora, që u japin për të pirë të tjerëve” nga gurra e gjallë e krishtërimit.
Të përkrahen punëtorët në vështirësi
Në mesazhin e tij, Papa thekson edhe nevojën që Kisha t’i shoqërojë ata, që po kalojnë kohë të vështira në punë, duke u nisur nga periferitë e botës së punës. Duhet, nënvizon ai duke pasur parasysh ata, që kanë punë të pasigurt, ose jetojnë në dëshpërim e mënjanohen nga shoqëria, pasi nuk kanë mundësi për të gjetur punë, “të ecim me ta, t'i dëgjojmë dhe t'i ndihmojmë të gjejnë zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme. Nuk mjaftojnë “fjalimet apo veprimet e izoluara”.
Në një situatë, ku papunësia vazhdon të godasë shumë familje, të krishterët duhet të jenë dëshmitarë të vazhdueshëm të solidaritetit dhe të mbështetjes për ata, që kalojnë pasiguri, duke i inkurajuar të mos e humbasin besimin dhe të kërkojnë "mundësi për t’u integruar sërish në botën e punës".
Asambleja XIV e Përgjithshme e HOAC
Në asamblenë e Veprimit Katolik, që po mbahet në Segovia të Spanjës nga 12 deri më 15 gusht, marrin pjesë më se 800 vetë nga 41 dioqeza. Pjesëmarrësit, përfshirë kryeipeshkvijtë, ipeshkvijtë dhe anëtarët e lëvizjes, po diskutojnë mbi sfidat, përparësitë dhe propozimet, që kanë të bëjnë me botën e punonjësve katolikë, për gjashtë vitet e ardhshme. Gjithçka, bazuar në këndvështrimin e krishterë për realitetin e për sfidat, me të cilat përballet Kisha, në një botë të karakterizuar nga polarizime të mëdha shoqërore, nga pabarazi e padrejtësi, që prekin veçanërisht punëtorët dhe botën e punës, ku, siç këshillon Papa, të krishterët duhet të jenë dëshmitarë dhe promovues të humanizmit të propozuar nga Jezu Krishti.
Pesë hapësira dialogu
Asambleja ka pesë hapësira dialogu, të cilat trajtojnë çështje si "praktikat konkrete" të solidaritetit dhe vëllazërimit me punëtorët; ndryshimi i mendësisë për të përmbushur nevojat e punëtorëve në vështirësi dhe ato të shtëpisë sonë të përbashkët; roli i Kishës në favor të të varfërve dhe pjesëmarrja e laikëve për të siguruar "veçanërisht barazinë efektive ndërmjet grave dhe burrave"; format e ndryshme të lidhjeve dhe të pjesëmarrjes së kësaj Lëvizje të krishterë të Veprimit Katolik Spanjoll (HOAC) në veprimtari të përbashkëta me organizma të ngjashme dhe formimi i vazhdueshëm i aktivistëve të saj për një impenjim më të madh shoqëror.
Për të qenë, ashtu siç i këshillon Papa në mesazhin e tij, popull i Zotit “në mesin e botës së punës, duke vazhduar të krijoni histori dashurie e përqafimi… Kisha ka nevojë për ju”. Së fundi, Françesku i lutet Shpirtit Shenjt t’i udhëheqë pjesëmarrësit e asamblesë në impenjimin e përditshëm. “Të ecim përpara, të bëjmë gjithçka mundemi, por ta lejojmë Atë t’i bëjë të frytshme përpjekjet tona, ashtu siç dëshiron vetë”.