Papa: do të jem në Mongoli, si vëlla i të gjithëve
R. SH. - Vatikan
Françesku kujtoi, pas kremtimit të lutjes së Engjëllit të Tënzot, shtegtimin e afërt në Mongoli, ku do të rrijë nga 31 gushti deri më 4 shtator. Vizitë "tejet e dëshiruar", e një vendi dhe një populli, me rastin e një takimi ekumenik dhe ndërfetar planifikuar për të dielën, 3 shtator, në Teatrin Hun.
Mongoli, publikohen programi, logoja dhe motoja e shtegtimit
Do të jetë mundësi për të përqafuar një kishë të vogël në numër, por të gjallë në fe dhe në bamirësi e edhe për të takuar nga afër një popull fisnik, të mençur, me traditë të madhe fetare, të cilin - kujton Papa - do të kem nderin ta njoh veçanërisht në rrethanat e një ngjarjeje ndërfetare.
Më pas Françesku u drejtohet të gjithë mongolëve, me fjalë tejet të përzemërta, ashtu si i përzemërt është edhe ky takim i largët, në vise pak të njohura nga shumë njerëz nëpër botë. Po Papa i njeh mirë, ndaj i siguron se është "i lumtur që udhëton për të qenë mes tyre si vëlla për të gjithë". Pa harruar të falënderojë autoritetet për ftesën, si dhe të gjithë ata që po punojnë për të përgatitur shtegtimin. E të gjithëve u kërkon ta shoqërojnë vizitën me lutje.