Norma të reja për marrëdhëniet e Ekzarkatit greko-katolik ukrainas në Itali dhe CEI
R.SH. / Vatikan
Për të favorizuar kujdesin frytdhënës shpirtëror ndaj atyre, që i përkasin Ekzarkatit Apostolik për besimtarët katolikë ukrainas të ritit bizantin me banim në Itali, themeluar më 11 korrik 2019 me bulën Christo Salvatori, Papa Françesku vendosi, përmes një Rescripti, miratimin e disa udhëzimeve, që rregullojnë marrëdhëniet e Ekzarkatit me Konferencën Ipeshkvnore Italiane.
Teksti, i cili mban datën 28 gusht 2023, është rezultat i audiencës së Imzot Claudio Gugerotti, prefekt i Dikasterit për Kishat Orientale, më 23 qershorin e kaluar, para së gjithash, saktëson se "Ekzarkati është pjesë e Popullit të Zotit, i formuar nga besimtarët e kishës greko-katolike ukrainase sui iuris, me vendbanim ose gjysmëvendbanim në Itali, qeverisur nga ekzarku, në emër të Papës së Romës".
Rregullat për zyrën e ekzarkut
Në Reskript saktësohet se “ekzarku është anëtar i Konferencës Ipeshkvnore Italiane e, si pasojë, varet nga normat, që rregullojnë funksionimin e saj si dhe ndjek direktivat e saj”. Për më tepër, "ai duhet të mbajë lidhje të ngushta bashkimi dhe koordinimi me ipeshkvijtë e dioqezave dhe të heparkive italiane, ku është i pranishëm Ekzarkati" dhe, që të mund të themelojë famulli personale, duhet të marrë "mendimin e ipeshkvijve të vendit në fjalë "duke parashikuar edhe informimin e Dikasterit për Kishat Lindore”. Ekzarku - nënvizohet - "mund të ngrejë Institute të reja të Jetës Rregulltare dhe Shoqëri të Jetës Apostolike" me "lejen e Dikasterit për Kishat Lindore"
Urdhëresat për klerikët
Përsa u përket klerikëve, Reskripti kujton se "ata duhet të jenë në lidhje uniteti me presbiteratin e dioqezës ose të heparkisë në territorin e së cilës kryejnë shërbesën e tyre" dhe të inkurajojnë "nismat dhe veprimtaritë e përbashkëta baritore e bamirëse" të cilat mund "të jenë objekt i marrëveshjeve ose mirëkuptimit ndërmjet ekzarkut dhe ipeshkvit të vendit”. “Klerikët e Ekzarkatit dhe ata të Dioqezave apo të Heparkive në territorin e të cilave ndodhet famullia personale e Ekzarkatit - shkruhet në tekst – do të ushtrojnë shërbimin e tyre në ndihmë të ndërsjellë baritore.
Së fundi, Papa specifikon se shërbimi baritor ose "presbiterët në Itali për qëllime studimi" që janë pjesë e kishës greko-katolike ukrainase sui iuris, drejtohen nga "marrëveshjet, sipas modeleve të vendosura nga Konferenca Ipeshkvnore Italiane, ndërmjet hierarkut përkatës dhe ekzarkut”. Nëse nënshkruhen me një ipeshkëv dioqezan ose heparkial, kërkojnë autorizimin e ekzarkut.