Kërko

Pikëllimi i Papës për vdekjen e kardinalit Majella Agnelo Pikëllimi i Papës për vdekjen e kardinalit Majella Agnelo  (Vatican Media)

Ngushëllimet dhe mirënjohja e Papës për vdekjen e kardinalit Majella Agnelo

Në një telegram, Françesku kujton pikëllimin e shkaktuar nga vdekja e kardinalit, më 26 gusht, në Brazil si dhe detyrat e tij të shumta e të rëndësishme në shërbim të Kishës, "gjithmonë i udhëhequr nga zelli apostolik".

R. SH. - Vatikan

Me dhimbje të thellë Papa Françesku mori lajmin për vdekjen e kardinalit brazilian Gerardo Majella Agnelo, që ndërroi jetë dje, më 26 gusht, në moshën 89-vjeçare, në Londrina, shteti i Parana-s, në Brazil. Kështu shkruhet në telegramin drejtuar kardinalit Sergio Da Rocha, kryeipeshkëv metropolit i San Salvador de Bahia, në të cilin Papa shpreh ngushëllimet e tij, duke siguruar se i lutet Zotit "për pushimin e pasosur të prelatit të nderuar".  

Mirënjohje Zotit, për vitet e gjata të shërbimit ndaj Kishës

“Lutjet e mia - vazhdon Françesku - i shprehin edhe mirënjohjen Zotit për vitet e gjata të shërbimit të tij të përkushtuar ndaj Kishës së Shenjtë Nënë, gjithmonë i udhëhequr nga zelli apostolik në misionet e ndryshme, që iu besuan si ipeshkëv i Toledos, kryeipeshkëv i Londrinës, sekretar i Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve dhe, së fundi, kryeipeshkëv primat i Brazilit e kryetar i Konferencës Ipeshkvnore”.

Bekimi i Françeskut

Papa Françesku i dërgon Kryeipeshkvit Da Rocha "dhe të gjithë atyre që bashkohen në lutje për prehjen e përjetshme" të Kardinalit të ndjerë, bekimin e tij apostolik si "peng ngushëllimi dhe shprese në jetën e amshuar".

27 gusht 2023, 14:57