Kërko

Papa Françesku firmos një dokument Papa Françesku firmos një dokument

Komiteti Panamerikan i Gjykatësve bëhet Shoqatë private besimtarësh

Papa ndryshoi Komitetin COPAJU me një kirograf të datës 15 gusht 2023 dhe themeloi "Institutin e Kërkimeve Ligjore Fray Bartolomé de las Casas" nën varësinë e Komitetit, me qëllime akademike, didaktike dhe formative mbi të drejtat shoqërore, emigracionin dhe kolonializmin

R.SH. – Vatikan

 Veprimtari, që synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave shoqërore nga ana e pushtetit gjyqësor, me vëmendje të veçantë për njerëzit më të mënjanuar të shoqërisë, që kanë vuajtur e vuajnë nga pasojat e neokolonializmit. Kjo është detyra dhe misioni i COPAJU-së, Komitetit Panamerikan të Gjykatësve për të Drejtat Shoqërore dhe Doktrinën Françeskane, të cilin, pas kërkesës së themeluesve, Papa Françesku e ktheu në Shoqatë Private Besimtarësh me karakter ndërkombëtar. Vendimi bëhet i njohur sot me një kirograf të Atit të Shenjtë.

Në zgjerim të vazhdueshëm

Themeluar formalisht në Vatikan, në qershor 2019, në kuadrin e takimit të mbajtur në Casina Pio IV, seli e Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore, në të cilën morën pjesë 120 magjistratë nga i gjithë kontinenti amerikan, COPAJU - vëren Ati i Shenjtë - vijon të përhapet, duke krijuar “kapituj kombëtarë në Argjentinë, Kili, Kolumbi, Peru, Brazil, Meksikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Paraguaj".

Origjina dhe zhvillimi

Ajo, që Ati i Shenjtë e rithemelon si Shoqatë Private Besimtarësh, e ka znafillën në "Komitetin Panamerikan të Gjykatësve dhe të Magjistratëve për të Drejtat Shoqërore dhe Doktrinën Françeskane", lindur në Buenos Aires e përhapur në Argjentinë, në vitin 2017. Papa kujton ngjarjet e shumta ndërkombëtare, organizuar që nga krijimi i tij, dokumentet e statutin, që, tashmë i ndryshuar, do të hyjë në fuqi më 31 gusht. Në kirograf, emërohet argjentinasi Roberto Andrés Gallardo si kryetar i Shoqatës së reformuar për periudhën 2023-2028, braziliania Ana Algorta Latorre si zv.kryetare dhe argjentinasi Gustavo Daniel si sekretar i saj. Anëtarë zgjidhen kolumbiania María Julia Figueredo Vivas, amerikania Tamila Ipema, kiliani Daniel Urrutia Laubreaux dhe peruviania Janet Tello Gilardi.

Instituti Fray Bartolomé de las Casas

Kirografi themelon edhe Institutin "Fray Bartolomé de las Casas" për kërkimin dhe promovimin e të Drejtave Shoqërore, me qëllime akademike, didaktike dhe formuese në temën e të drejtave shoqërore, migracionit dhe kolonializmit. “Do të mbështetet financiarisht, do të drejtohet dhe do të administrohet nga COPAJU”, shkruan Papa, “në kuadër të Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore”. Anëtarët e këshillit akademik të Institutit, emëruar nga Papa për periudhën pesëvjeçare 2023-28, janë profesorët Raúl Eugenio Zaffaroni, Alberto Filippi dhe Marcelo Suarez Orozco. “Që tani e tutje”, përfundon Françesku, “autoritetet e COPAJU-së duhet të marrin miratimin papnor, mbi bazën e propozimeve që institucioni do të bëjë për çdo periudhë pesëvjeçare”.

18 gusht 2023, 17:43