Kisha siro-malabareze: emërohet Legati papnor me kompetenca të veçanta
R.SH. – Vatikan
Dikasteri për Kishat Lindore njofton se Papa Françesku e ka emëruar kryeipeshkvin e Košice-s të ritit bizanin, imzot Cyril Vasil', ish-Sekretar i Kongregatës për Kishat Lindore, si Legat Papnor me kompetenca të posaçme për të zgjidhur situatën e Kryeeparkisë siro-malabareze të Ernakulam-Angamaly në Indi. Në të, duhet siguruar zbatimi i reformës liturgjike të miratuar nga Sinodi i Kishës Kryeipeshkvnore Eprore Siro-Malabareze. Imzot Vasil e filloi misionin më 4 gusht.
Dy vjet më parë, Papa Françesku i pati dërguar një letër Kishës Siro-Malabareze, në të cilën shprehte "miratimin dhe inkurajimin" për përpjekjet, që synonin kremtimin e Eukaristisë në mënyrë uniforme, duke i konsideruar si "hap të rëndësishëm për qëndrueshmërinë e bashkimin kishtar” brenda Kishës Indiane sui iuris.
“Megjithë disa vështirësi, që kërkojnë shqyrtim të vazhdueshëm në jetën e Kishës suaj, normat e miratuara për kremtimin e Eukaristisë – nënvizonte Papa – kanë dhënë fryte të dukshme, edhe në ungjillëzimin e atyre vendeve, sidomos, në Eparkitë misionare”.
“U bëj thirrje ipeshkvijve siro-malabarezë të ecin së bashku me popullin e Zotit, sepse uniteti mbizotëron mbi çdo konflikt. Përfitoj nga rasti i njohjes" së normave të reja "për t'i nxitur të gjithë klerikët, rregulltarët dhe besimtarët laikë të zbatojnë me shpejtësi uniformitetin në kremtimin e meshës, për të mirën dhe unitetin e Kishës. Shpirti Shenjt favorizoftë harmoninë, vëllazërimin dhe bashkimin ndërmjet gjithë anëtarëve të Kishës suaj, ndërsa punoni për zbatimin e vendimit sinodal”.