"Inteligjenca artificiale e paqja” - tema e Mesazhit të Ditës Botërore të Paqes
R.SH. - Vatikan
U bë e njohur sot, tema e mesazhit të Atit të Shenjtë për Ditën Botërore të Paqes, që do të kremtohet më 1 janar 2024. Ajo është “Inteligjenca artificiale dhe paqja”. Me të, Papa Françesku bën thirrje për dialog të hapur mbi kuptimin e teknologjive të reja, me potencialin e tyre shkatërrues dhe efektet e dyvlerëshme. Kujton se duhet të jemi vigjilentë dhe të veprojmë në mënyrë që logjika e dhunës dhe e diskriminimit të mos lëshojë rrënjë në prodhimin dhe përdorimin e pajisjeve të tilla, në kurriz të më të ligshtëve dhe më të përjashtuarve, sepse padrejtësia dhe pabarazitë nxisin konflikte dhe antagonizma. Urgjenca për ta orientuar me përgjegjësi konceptimin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale, që të vihet në shërbim të njerëzimit dhe të mbrojtjes së shtëpisë sonë të përbashkët, kërkon që reflektimi etik të shtrihet në fushën e arsimit dhe të ligjit.
Mbrojtja e dinjitetit të njeriut dhe shqetësimi për vëllazërimin e gjithë familjes njerëzore, janë kushte themelore, që zhvillimi teknologjik të kontribuojë për mbrojtjen e drejtësisë dhe të paqes në botë.
Situata aktuale
Përparimet e jashtëzakonshme, por deri diku të parashikuara të Inteligjencës Artificiale po nisin t’i ngjallin dyshime një mase gjithnjë më të madhe njerëzish. Nëse deri para disa vitesh debati kufizohej në ambientet e specialistëve dhe të studiuesve, rregullatorë dhe pa dyshim vënës në jetë të këtyre sistemeve, sot tema e fuqisë, efektivitetit dhe përdorimit të inteligjencës artificiale po trajtohet në nivelin e mediave kryesore dhe të opinionit publik masiv. Vëmendja e përgjithshme, kohët e fundit, është përqendruar në zhvillimet e softuerit ChatGpt të Shoqërisë Open AI, i cili prodhon tekste cilësore me shumë pak elemente bazë, por fushat në të cilat tashmë funksionon IA (Inteligjenca Artificiale), janë tejet të gjëra dhe të rëndësishme e objekt diskutimi për ekspertët.
Gjendja aktuale e kërkimeve dhe e zbatimeve me bazë IA-në (Inteligjencën artificiale), që nga testi i Alan Touring, në vitin 1950, e deri më sot, tregon se është e mundur të mbajmë qëndrim pozitiv dhe të hapur ndaj përparimeve teknologjike, pasojë e IA-së, pa harruar implikimet e mundshme shqetësuese dhe potencialisht të rrezikshme për vetë njeriun. Ky është qëndrimi i Kishës Katolike, e cila ka nisur debatin për këtë çështje, siç e tregon vëmendja e Papës në temën e Ditës së ardhshme Botërore të Paqes 2024.
Evolucione të tilla si Inteligjenca Artificiale, me aftësinë e saj për të përpunuar sasi të mëdha informacioni në pak çaste, mundësinë për t’i interpretuar pyetjet njerëzore dhe për t'iu përgjigjur, për të zëvendësuar me sukses veprimtarinë e njeriut, madje, duke pretenduar të marrë vendime në mënyrë të pavarur, e bëjnë përgjegjësinë etike më urgjente se kurrë, ashtu si edhe veprimtarinë rregullatore nga ana e protagonistëve, që merren me IA-në, nga inxhinierët dhe punonjësit tek institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Asnjë mjet nuk është "asnjanës"
Siç ka theksuar më se një herë Ati i Shenjtë, asnjë mjet nuk është kurrë plotësisht asnjanës, por mund të ketë pasoja të rëndësishme sociale, që ndikojnë, për shembull, mbi stilin e jetesës apo edhe mbi mundësitë për punë. Për këtë arsye, njeriu dhe institucionet kanë për detyrë t'i kontrollojnë dhe t’i mbikëqyrin këto mjete: pa i demonizuar, përkundrazi, duke u shtuar - nëse është e mundur - një suplement "shpirti", duke pasur parasysh premisën se emocionet, domethënë, ndërgjegjësimi tipik i njeriut nuk mund të përsëritet nga asnjë lloj makinerie apo inteligjence.
Djepi i inteligjencës artificiale
Alan Mathison Turing (Londër, 23 qershor 1912 - Mançester, 7 qershor 1954), matematikan, kriptograf dhe filozof britanik, i konsideruar si një nga baballarët e shkencës kompjuterike dhe një nga matematikanët më në zë të shekullit të kaluar, ndikoi fuqimisht në lindjen e disiplinës së shkencave kompjuterike, falë formalizimit të koncepteve të algoritmit dhe të llogaritjes përmes përdorimit të makinës, që mban emrin e tij, e cila ishte hap i rëndësishëm në evolucionin drejt kompjuterit modern. Për këtë kontribut konsiderohet zakonisht si babai i shkencës kompjuterike dhe i inteligjencës artificiale, të cilën e teorizoi qysh në vitet 1930, si dhe njëri nga kriptanalistët më të shkëlqyer që punoi në Mbretërinë e Bashkuar gjatë Luftës II Botërore, për të deshifruar mesazhet e shkëmbyera nga diplomatë dhe ushtarakë të Fuqive të Boshtit.
Turing punoi në Bletchley Park, qendra kryesore e kriptanalizës në Mbretërinë e Bashkuar, ku shpiku një sërë teknikash për kuptimin e mesazheve të shifruara gjermane, përfshirë përdorimin e një makine elektromekanike (të quajtur "Bomba") e aftë për të deshifruar kodet e krijuara nga makina Enigma.
Ky, hapi i parë i Inteligjencës artificiale.