Kërko

Mbytja e emigrantëve në Cutro të Italisë Mbytja e emigrantëve në Cutro të Italisë

Françesku: të mos qëndrojmë indiferentë para tragjedive në det

Në një tweet, lutja dhe dhimbja e Papës për tragjedinë e re të emigrantëve në Kanalin e Sicilisë, ku gjetën vdekjen 41 vetë, pas përmbysjes së një barke të vogël me të cilën lundronin që prej pesë ditësh. Vetëm 4, të mbijetuarit

R.SH. – Vatikan

         Thirrje e re e Papës për të luftuar indiferencën dhe për të shmangur rrezikun e "mbytjes së qytetërimit", pas një tragjedie tjetër në det. Françesku ia beson dhimbjen e tij një tweet-i në faqen @Pontifex. “Me dhimbje mësova lajmin e mbytjes së një barke tjetër emigrantësh në Mesdhe. Të mos qëndrojmë indiferentë para këtyre tragjedive dhe të lutemi për viktimat dhe familjet e tyre”, shkruan Papa, duke iu referuar ngjarjes së djeshme në Kanalin e Sicilisë, ku humbën jetën 41 emigrantë, pas përmbysjes së një barke të vogël, me të cilën lundronin që prej pesë ditësh, nisur nga Sfax-i i Tunizisë.

Tregimi i të mbijetuarve

Çastet e dëshpërimit të përjetuara nga viktimat u treguan nga katër të mbijetuarit, tre burra dhe një grua, me origjinë nga Bregu i Fildishtë dhe Guinea Konakry, të shpëtuar nga motobarka Rimona, e cila i transferoi në anijen e Rojes Bregdetare Italiane. Të mbijetuarit, të cilët zbarkuan në Lampedusa, pohuan se ishin 45 vetë kur u nisën nga bregdeti tunizian, të ngjeshur në një barkë, që ngjante me një lëvozhgë arre metalike prej 7 metrash. Mes tyre, edhe 3 fëmijë. Një dallgë e madhe e përmbysi varkën, duke krijuar një gjendje të pashpresë, pasi vetëm 15 vetë kishin jeleke shpëtimi.

Burime të përmenduar nga agjencia e lajmeve LaPresse denoncojnë mungesën e ndërhyrjes nga ana e Rojes Bregdetare të Libisë. Pasi humbi udhën, barka u identifikua dje nga një helikopter i agjencisë evropiane Frontex, e cila vuri në alarm Rojen Bregdetare Italiane. Aktualisht, në ishullin e Lampedusës ndodhen 1.458 emigrantë. Prefektura e Agrigento-s dhe policia janë përpjekur ditët e fundit ta ulin këtë numër, duke e ditur se sapo të përmirësohen kushtet e lundrimit në det, do të vijnë emigrantë të tjerë. Sot, 600 emigrantë u zhvendosën nga ishulli, duke pasuar 1100 të djeshmit.

Mbi 2000 të vdekur gjatë 2023-shit

Sipas “Save the Children”, organizatës ndërkombëtare që punon për të shpëtuar fëmijët e të rinjtë nga rreziqet e jetës, që nga fillimi i vitit 2023, mbi 2000 njerëz mund të kenë vdekur ose janë zhdukur, në përpjekjen për të kaluar Mesdheun. Numra, që mund ta bëjnë vitin aktual si më të keqin, që nga viti 2016, përsa u përket viktimave në det: nga mbytja e Cutro-s në atë në brigjet e Greqisë, deri në tragjeditë e përsëritura në ujërat e Lampedusës.

Françesku: jo globalizimit të indiferencës

Papa Françesku nuk ka reshtur kurrë së ngrituri zërin në mbrojtje të shumë njerëzve, që ikin nga lufta, dhuna, persekutimi dhe varfëria. 26 shkurtin e kaluar, në të njëjtën ditë në të cilën mbi 70 emigrantë në një barkë që vinte nga Turqia, vdiqën në brigjet italiane të Steccato di Cutro, Ipeshkvi i Romës shprehu dhimbjen e tij të thellë gjatë Engjëllit të Tënzot, për t’iu kthyer kësaj çështjeje edhe një javë më vonë, gjithnjë nga dritarja e Pallatit Apostolik, nga ku u lut: “Udhëtimet e shpresës të mos kthehen më në udhëtime vdekjeje. Ujërat e kthjellta të Mesdheut të mos përgjaken më nga incidente të tilla tragjike”. Duke ftuar në lutje për viktimat e shumta të detit, Papa kërkoi edhe të mos dorëzohemi para “globalizimit të indiferencës”, por t’i lutemi Zotit që në japë gjithnjë forcën për të kuptuar e për të derdhur lot në situata të tilla, pa i kthyer në gjëra të zakonshme, që mund të ndodhin.

Të ndalim fundosjen e qytetërimit

“Të shikojmë fytyrat e fëmijëve”, pati thënë Françesku edhe në ishullin grek të Lesvos, në vitin 2021: “Të mos i heqim sytë me nxitim nga imazhet e vrazhda të trupave të tyre të vegjël, të shtrirë pa jetë në bregdete. Ta ndalim këtë fundosje të qytetërimit!” Fjalë, që kujtojnë ato të shqiptuara në Maltë, në vitin 2022: "Për të shpëtuar nga mbytja, që kërcënon ta fundosë anijen e qytetërimit tonë, duhet të sillemi me humanizëm, duke i parë njerëzit jo si numra, por ashtu siç janë: vëllezër dhe motra".

10 gusht 2023, 13:24