Kërko

Papa Françesku në avionin për Lisbonë Papa Françesku në avionin për Lisbonë

Françesku në avionin për Lisbonë: nga DBR-ja do të kthehem i rinuar

Si zakonisht, Papa përshëndeti gazetarët nga e gjithë bota, që e shoqërojnë në udhëtimin e tij të 42-të apostolik. Me ta, kujtoi se është Dita e katërt Botërore e Rinisë, në të cilën merr pjesë, që nga dita e parë në Rio de Janeiro, në vitin 2013: "Vazhdojmë të bëjmë zhurmë"

R.SH. – Vatikan

"Duket se janë më se një milion të rinj" në Lisbonë për Ditën Botërore të Rinisë, prandaj, "do të kthehem i rinuar". Këto ishin fjalët e Papës Françesku në avionin, që e çoi në Lisbonë, së bashku me mbi 70 gazetarët nga e gjithë bota, të cilët e ndjekin në këtë udhëtim të 42-të apostolik. "Faleminderit shumë për shoqërinë dhe punën tuaj, tani do t'ju përshëndes një nga një," u tha Papa.

DBR-ja e katërt

Udhëtimi, i cili nisi sot, 2 gusht e, do të vazhdojë deri të dielën, 6 gusht, bie pak ditë pas 10-vjetorit të udhëtimit të parë ndërkombëtar të Atit të Shenjtë, atij në Rio de Zhaneiro, në korrik 2013, pak muaj pas zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit. Edhe atëherë ishte Dita Botërore e Rinisë. Françesku përjetoi më pas atë të Krakovit, më 2016 dhe atë të Panamasë, më 2019. Tani një Ditë e re Botërore e Rinisë. “Kjo është e katërta, vazhdojmë të bëjmë zhurmë”, qeshi Papa me gazetarët, disa prej të cilëve i bënë dhurata.

Përshëndetja me gazetarët

Gazetarëve polakë, që e pyetën se cilat do të jenë udhëtimet e tij të ardhshme, Françesku iu përgjigj: "Do të doja të kthehesha" në vendin tuaj, duke iu referuar pikërisht udhëtimit në Poloni, shtatë vjet më parë. Përsa i përket hetimit të nisur nga Selia e Shenjtë për rastet e abuzimit në Peru, Papa Françesku siguroi: “Do të shkojmë përpara”.

02 gusht 2023, 13:40