Kërko

Shpella e Lourdes Shpella e Lourdes

Françesku: Maria na nxjerrtë prej Zotit paqen, kudo ku flasin armët

Papa i dërgon një mesazh Kishës në Francë, e cila kremtoi 150-vjetorin e shtegtimeve kombëtare në shenjtëroren mariane të Lurdës, gjatë ditëve rreth festës së Zojës së Madhe: bota ka nevojë për mbrojtjen e Virgjërës, për t’u bërë ballë shqetësimeve dhe sfidave aktuale

R.SH. – Vatikan

Shpella e Massabielle-s, epiqendër e paqes për njerëzimin, që po bën luftën e tij botërore pjesë-pjesë. Kështu e konsideron atë zemra e Papës, në mesazhin dërguar Kishës në Francë, e cila dje përfundoi shtegtimin e madh kombëtar në Lourdë, në 150-vjetorin e fillimit të dyndjes së besimtarëve në këtë vend të njohur në gjithë botën.

Duhet “t’i drejtohemi me vendosmëri" Virgjërës "përballë vështirësive, shqetësimeve dhe sfidave të së tashmes", shkruan Françesku, i cili i lutet Nënës së Jezu Krishtit t’i çojë para Zotit tragjeditë e shumë zonave të planetit, ku njerëzit vriten me njëri-tjetrin e shkatërrojnë vendet. "Mbretëresha e Paqes – kjo, lutja e Atit të Shenjtë - ndërmjetësoftë tek Biri i saj që të vendoset paqja e shumëdëshiruar kudo ku dëgjohet zhurma e armëve".

Të rizbulohet devocioni popullor

Në mesazhin e tij, Papa kujton se kulti marian në Francë vjen nga "kohë të largëta". Zojës i janë kushtuar "vende të panumërta - dhe të admirueshme - kulti", për të arritur kulmin me dukjet e saj para Bernadetës, në vitin 1858. Shtegtimi dhe procesioni në Lourdë të inkurajojnë "përhapjen, ose rizbulimin e akteve të devocionit popullor", uron Françesku, duke u folur si ipeshkvijve, ashtu edhe besimtarëve. Më pas, Papa e hedh vështrimin mbi plagët e luftës, por edhe tek të tjerat, si dhimbjet e dertet e të sëmurëve e të njerëzve me aftësi të kufizuar, që mblidhen çdo vit tek shenjtërorja në Pirenej e të cilët Ati i Shenjtë i përshëndet “përzemërsisht”. Shtegtimi i tyre dhe i shoqëruesve të tyre në kërkim të “ngushëllimit”, “i japin botës – pohon Françesku – dëshminë e qartë të fesë e të dashurisë”.

Lutje për familjet, të mënjanuarit, refugjatët

Në lutjen drejtuar Zojës, Papa kërkon që ndërmjetësimi i saj të rizgjojë në zemrat e të gjithëve "ndjenja të vërteta dashurie vëllazërore", që shoqëritë të zhvillohen "në respektin për tjetrin, duke mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat e tyre, në mënyrë që askush të mos lihet jashtë”. Françesku ia beson familjet Nënës së Jezusit: i beson “prindërit, që mbajnë peshën e përditshme të një përgjegjësie të rëndë; të rinjtë me kaq potencial, por shpesh të shqetësuar për të ardhmen, ose fatkeqësisht, të penguar nga shumë kufizime; të moshuarit, të pasur me përvojë dhe urti, por shpesh, të braktisur e të lënë pas dore; pa harruar “të vetmuarit, të mënjanuarit, të mërguarit apo refugjatët, të gjithë ata që vuajnë”. Krishti, përfundon Ati i Shenjtë, është "shpresa e palëkundur" mbi të cilën duhet të ndërtojmë jetën dhe shoqëritë tona.

17 gusht 2023, 14:02