Kërko

Dita e Rinisë: e dyta e Papës me të rinjtë e botës, në Lisbonë

Dita e dytë e Papës Françesku në Portugalinë, kushtuar kryesisht studentëve të universitettit Katolik dhe të Scholas Occurrentes.

R.SH. / Vatican News

Dita e dytë e Papës Françesku në Portugalinë, ku kremtohet Festa Botërore e Rinisë. Sot paradite në 9.10 me orën e Romës, Papa u takua me studentët e Universidade Católica Portuguesa të Lisbonës, në sheshin përballë Universitetit. Pas interpretimit të një pjese muzikore dhe përshëndetjes nga Profesoresha Isabel Capeloa Gil, Rektore e Universitetit Katolik Portugez, u dhanë dy dëshmi, njëra e frymëzuar nga Laudato si' dhe tjetra nga Pakti Global i Arsimit. Pas një kënge nga kori, vijoi një dëshmi mbi Ekonominë e Françeskut nga një e re e ndihmuar nga Fondi i me të njëtin emër për kulturën e takimit.

Pastaj Papa u drejtoi të pranishmëve fjalën, që preku zemrat e mendjet. Në fund, pas "Atynës", bekimit dhe interpretimit të një pjese të fundit muzikore, Ati i Shenjtë bekoi Gurin e Themelit të Campus Veritatis. Pastaj u largua nga Universiteti dhe udhëtoi me makinë për në selinë e Scholas Occurrentes, në Cascais. Në orën 10.40 (11.40 me orën e Romës), Françesku do të takojë të rinjtë e Scholas Occurrentes në selinë e Cascais.

Pas përshëndetjes së Presidentit të Scholas Occurrentes, dëshmisë së tre të rinjve që i përkasin feve të ndryshme dhe paraqitjes së një pankarte artistike prej 3 km si dhe nënshkrimit të saj, Papa do t'u drejtojë të pranishmëve disa fjalë përshëndetëse, duke folur lirisht. Në fund, pas "Atynës" dhe bekimit përfundimtar, Ati i Shenjtë, para se të largohet nga selia e Scholas Occurrentes së bashku me krerët fetarë të pranishëm, do t’i ndihmojë të rinjtë për mbjelljen e ullirit të paqes. Më pas do të kthehet me makinë në Nunciaturën Apostolike të Lisbonës, për drekën private.

03 gusht 2023, 11:40