Françesku lutet për viktimat e zjarreve në Hawaii
R. SH. - Vatikan
"Dëshiroj t’ju siguroj se lutem për viktimat e zjarreve, që shkatërruan ishujt Maui, në Hawaii". Pas telegramit të dërguar ditët e fundit nuncit Cristophe Pierren, në Shtetet e Bashkuara, edhe në Engjëllin e së Dielës, përballë rreth 15 mijë besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku i shprehu edhe një herë afërsinë e tij popullsisë së prekur nga tragjedia më e rëndë natyrore, që ka jetuar arkipelagu amerikan në historinë e tij.
Dhimbja e Papës për viktimat e zjarreve
Numri i të vdekurve është rritur në 93, sipas të dhënave siguruar nga Maui County, ndërsa guvernatori Josh Green ka frikë se numri i të vdekurve do të rritet. 1400, të zhvendosurit, të strehuar në gjashtë strehime të përkohshme, ngritur për të ndihmuar të prekurit. Javën e kaluar flakët përfshinë gjithë ishullin me zjarrin më shkatërrues në Shtetet e Bashkuara që nga shekulli i kaluar, madje edhe më i tmerrshëm se ai, që pati shkaktuar 85 të vdekur në Kaliforninë veriore, në vitin 2018.
Të paktën dy zjarre të tjera kanë ndodhur në Maui, fatmirësisht pa asnjë vdekje: në zonën Kihei në jug të ishullit dhe në bashkësitë malore, në brendësitë e njohura si Upcountry. Një zjarr i katërt shpërtheu të premten mbrëma në Kaanapali, një bashkësi bregdetare në West Maui, në veri të Lahaina, por zjarrfikësit arritën ta shuanin.